READING

Bjeshkët e Nemuna – Gazmend Krasniqi

Bjeshkët e Nemuna – Gazmend Krasniqi

Gazmend Krasniqi

BJESHKËT E NEMUNA

 

Mos i shikoni kaq shumë: male janë, ndërhynte ai guidë herë pa here, sa që dikush prej nesh nuk u durua pa i thënë: Pse po e thua kaq shumë? Kaq di t’ju them, vazhdoi ai.

Nuk e di se kush ia doli ta bënte të tregonte këtë histori:

Kështu po i shikoja edhe unë dikur. Atëherë mungonte rruga dhe veruesit ishin shumë të rrallë, prandaj ende nuk pat lindur ëndrra për të qenë guidë.

Pra, shihja malet dhe po thosha si me vete:

Me nemë dikë, do të thotë se e ke mallkuar, çka sipas besimit parakupton ndëshkimin, kurse se sa e vjetër është si fjalë e tregon perëndesha antike Neme(sis), perëndesha e drejtësisë, pra e ndëshkimit.

E qartë, ke rënë në dashuri me… këto male, më ndërpreu mikpritësi, një burrë me origjinë prej këtyre anëve, i cili kishte ardhur të ndërtonte një bujtinë për verues.

Ai nuk e dinte se herën tjetër, pra një vit më parë, pata rënë me të vërtetë në dashuri me një vajzë fytyrën e të cilës po e shikoja në konturet e maleve. Po i shikoja sytë e mëdhenj, flokët e pashtruar dhe gojën seksuale, ashtu siç m’u shfaq një natë në dritare. Ndjehej menjëherë se brenda saj kishte një forcë që donte t’i kapërcente kufijtë e femrës, kur më pyeti se pse shikoja aq gjatë nga Bjeshkët e Nemuna. U tremba pak, kur e mendova nga ato femrat fatale përballë të cilave nuk mund ta mendosh çfarë vjen më pas, ndaj mezi ia dola ta përmbaja emocionin.

Më duken si një metaforë, iu përgjigja, pa e vrarë mendjen nëse mund ta thosha këtë fjalë para saj. Po ty?

E dija, tha, nuk është njëlloj për të gjithë. Ndryshe janë për njerëzit që jetojnë matanë tyre, ndryshe janë për njerëzit që jetojnë këtu. Këndej nga ne thonë se njerëzit që jetojnë andej matanë, janë të egër, por unë e di: ata janë të fortë. E di, pasi kam qenë atje, se nëna ime është gjak i tyre. Do të shkoj sonte. Është bukur të udhëtosh nën dritën e hënës. Sidomos, vetëm.

Shtatë ditë më vonë, në muzg, rrija mbi gur dhe shikoja si zakonisht nga Bjeshkët e Nemuna, kur m’u shfaq para syve kali i saj i bardhë, derisa e shqova edhe atë vetë: dukej e hequr në fytyrë, por rrinte pip drejt mbi kalin e dërrmuar që mezi i hidhte këmbët.

Norë, e thirri dikush nga turbullira e muzgut.

Erdha, ia ktheu. Ndërkohë, më bëni gati rrobat e vdekjes.

U afrua tek unë, më përshëndeti me një gjest kalorësiak dhe bëri përpara.

Çfarë kishte ndodhur? Duke mos qenë i pranishëm, e kam humbur mundësinë ta di. Kisha dëgjuar për njerëz në udhëtime të tilla dhe i jepja rrugë imagjinatës: e mahnitur prej hënës së plotë, Nora nuk e pa se ku po shkelte këmba e kalit, kështu e kuptoi shumë vonë se qe çarë mali dhe e kishte gëlltitur në barkun e vet, duke e përballur në mënyrë të papritur me ca burra të fuqishëm që pinin duhan me llulla gjigante. Nuk e maste dot kohën që kaloi me ta. Kur iku, i kërkuan të premtonte se nuk do të fliste për çfarë kishte parë, pasi kjo kishte çmimin e vdekjes. Tregoi apo e dinte se nuk mund të rrinte pa treguar? E vërteta është se nuk e pashë më Norën, sepse të nesërmen u largova nga ky vend.

Të kishte vdekur vërtet? Një pyetje që më kishte munduar prej një viti.

Norë, the, e kishte emrin, u kujtua mikpritësi, pasi e pata mbaruar rrëfimin. Atëherë, së pari, shkojmë e shohim në varreza.

E ndoqa pas.

Kishte vetëm një varr me atë emër. Kishte emrin e vajzës që pata takuar unë, por ai datonte njëqind vjet përpara.

Kjo Nora këtu, më tha mikpritësi, ishte vajza e shtëpisë ku po qëndron tashti. Familja e saj qe shuar, prandaj shtëpia u mbajt nga disa njerëz të farefisit. Nëse je kureshtar, po ta tregoj se si ka ardhur historia e saj në kohët tona.

A mund të flitej për mungesë kureshtjeje?

Ja çfarë më tregoi:

A e dini pse në fotot apo gravurat e asaj kohe, shqiptarët paraqiten me kokë të rruar, por me një krifë të gjatë sipër saj? Malazezët e kishin zakon prerjen e kokave të kundërshtarëve të vet dhe ajo krifë shërbente për ta mbajtur. Një natë, një prej tyre, në pije e sipër u qe mburrur shokëve të vet se do t’ua sillte një kokë shqiptari. Kur u lirua nga pija, e pa se kishte bërë një premtim jo fort të lehtë, por nuk kishte kthim prapa. Pija e liroi aq sa të kuptonte se duhej të shkonte nga zona ku shqiptarët mendoheshin më të butë. Dinte gjuhën, por nuk dinte rrugët, prandaj humbi shumë kohë derisa hasi në shqiptarin e parë. E studioi mirë rrethanën se si do të largohej pa probleme. Por nuk e kishte parashikuar se mund t’ia behte aq shumë mjegull. U rropat aq shumë, sa kur pa një dritë, iu afrua menjëherë, i bindur se e kishte kapërcyer kufirin. S’kishte kohë as të mendonte ndryshe, sepse e kuptoi që kishte rënë në sy dhe iu drejtua shtëpisë më të afërt.

Ai u tremb pak nga pamja e zymtë të të zotit të shtëpisë (si ai që e ka mizën nën kësulë), çka nuk ndodhte kur ftohej dikush brenda. Vetëm kur dëgjoi një piskamë gruaje në njërën nga dhomat, e kuptoi se po hynte në një shtëpi me mort. E vuri pas derës thesin me kokën e prerë dhe hyri te dhoma e burrave që ruanin kufomën mbi shpatullat e së cilës qëndronte një qeleshe, po jo një kokë.

Zuri vend, me përpjekjen e sforcuar për të mbajtur qetësinë.

Nora, fëmija i vetëm i viktimës, tha e para: Po del gjak prej këtij thesi.

Meqë ishte heshtje thellë, zëri i saj u dëgjua edhe në dhomën e burrave. Malaziasi, që i dinte mirë zakonet e shqiptarëve, u ngrit në këmbë e tha: Besë, burra.

Më të rinjtë, siç ndodh gjithmonë, donin ta vrisnin në vend, por nuk i lejuan. Përkundrazi, ai u lejua ta merrte me vete kokën e prerë, për t’ua treguar të vetëve, si çmim i trimërisë, veçse do ta kthente menjëherë.

Është thënë gjithmonë se plumbi i Norës e mori hakun, megjithëse vetë u vra gjatë tërheqjes, prandaj nuk po di ta shpjegoj se pse ajo u endka prapë në këtë botë.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *