READING

Bar “Bota” – Gazmend Krasniqi

Bar “Bota” – Gazmend Krasniqi

Gazmend Krasniqi

BAR “BOTA”

Bar “Bota” është një nga ato lokale që gjenden rëndom gjithandej, pa ndonjë shenjë për të shkëlqyer mbi të tjerat. Njeriu e gjen ose nuk e gjen veten aty. Kaq. Atyre që janë habitur se si u bëra frekuentues i asaj kafeneje aq të potershme, u them se emri “Bota” nuk është ashtu si duket, por bashkim inicialesh të emrave të fëmijëve të pronarit – siç ma shpjegoi kamerieri; apo se herën e parë u futa duke pasur parasysh kriteret e mia – ose tavolina bosh, ose tavolina me një person në të, pra ku nuk flitet me zë të lartë.

Unë kisha zënë vend, kur u shfaq personi i dytë: i vetëm, me disa gazeta në dorë, pamje mjaft mikluese për një shkrimtar kaps prej muajsh, i cili po shoshit në paqe idetë e veta, për sa kohë nuk e di se çfarë ka në kokë njeriu me gazeta në dorë.

Fillimisht i dëgjova zërin, pastaj u ktheva e pashë se qe rehatuar si ata folësit e televizioneve të cilët kujdesen që zëri i tyre të mos ketë asnjë “kiks”, siç thonë muzikantët për instrumentet e tyre. Nuk e di se sa minuta durova, me shpresë se kjo qe diçka kalimtare. Mora t’i bëja një shenjë kamerierit, por ai m’u shmang, sipas meje, me vetëdije. Pas pak u ktheva nga klienti në tavolinën tjetër, por nuk e dija se si ta merrja grimasën që më bëri.

U ktheva te bar “Bota” vetëm pas dy javësh, i sigurt se çdo gjë qe harruar. Mund të vija bast për këtë. Por historia u përsërit pikë për pikë.

Po ai, si e duron, i thashë kamerierit, për personin e tavolinës tjetër.

Nga frekuentuesit e atij lokali vetëm unë nuk dija për miqësinë proverbiale të atij që po e quaj Lexuesi, me atë që po e quaj Dëgjuesi. E kisha të vështirë ta kuptoja këtë që po më thoshte kamerieri, sepse s’i kisha parë asnjëherë duke komunikuar, prandaj atë ditë ika në shtëpi me ndjesi të ngatërruara.

As të nesërmen nuk i pashë shenjat e komunikimit, sepse ata realisht nuk komunikonin. Kamerieri më tha se “miqësia e madhe” qe kthyer në “prishja e madhe”, gjë që e dinin të gjithë frekuentuesit e lokalit. Ishte intriguese të mësoje se dikur patën qenë në role të ndryshme: lexonte dëgjuesi i sotëm dhe dëgjonte tjetri, por mua pikërisht kjo më largoi. Mendoja se nuk kisha kohë për të humbur me këtë histori.

Kur u ktheva të nesërmen, bëra gjithçka që t’i shmangesha vështrimit të Dëgjuesit, dhe ia dola. Por nuk ia dola të shpëtoja prej vëmendjes së tij; erdhi ai çast kur e pashë si rrinte në këmbë pranë tavolinës sime.

Ai burrë donte ndihmë prej meje. Kamerieri i kishte thënë se isha njeri i letrave dhe shpresonte që t’i gjendesha.

Qe kjo historia e tij: kishte pasur një problem me sytë dhe mjeku ia ndalonte leximin. Edhe pse nuk flisnin, tjetri, që nuk kishte pasur ndonjë interes të veçantë për leximin, pati një ide: të lexonte me zë të lartë dhe të mos e privonte ish-mikun nga ajo që donte shumë: informacioni.

Sublime, i thashë me ton mbushamendës. Ç’kërkoni më shumë?

Nuk e prishi gjakun nga patetizmi im.

Shiko, tha, këtu ka vend për një sqarim.

Edhe një ditë pa punë, mendova dhe mallkova veten që kisha shkelur në atë lokal. Me shpresë se do të ishte dita e fundit.

Po?

Sipas paktit të pashkruar, duheshin lexuar vetëm gazeta apo revista. Jo romane. A kisha vënë re se ky pakt nuk qe respektuar?

Që donte të thoshte?

Disa informacione nuk përmbanin mundësinë e verifikimit të menjëhershëm. Ato i kërkonin të ishte i lirë dhe ta nxirrte përfundimin sipas dëshirës, po ai nuk ishte për habinë dhe emocionin që krijohej me këtë rast. Ai priste vetëm informacionin. Ishte, siç tha me patos, “bir i epokës së informacionit”.

I thashë se ishte e thjeshtë, se e kishte në dorë vetë ta kapërcente këtë situatë: në këtë rast të mos dëgjonte fare.

As këto fjalë nuk e bindën. Kishte frikë se ish-miku, lexuesi i sotëm, nuk ishte mirë dhe ai nuk mund t’ia thoshte se sa shqetësohej nga kjo. E ngarkonte veten me faj: gjithë kjo vinte nga ai lexim – maratonë. Donte, medoemos, të bënte diçka.

Mirë, i thashë, po sikur ish-miku të thotë se këto më pëlqejnë, prandaj dua që t’i pëlqejnë edhe ish-mikut tim. Se këto tekste kanë shanse të mbeten në kujtesë apo gjëra të këtij lloji.

E kishte zakon të mos fliste pa pasur informacion të saktë.

Lexuesi më tha pak a shumë ato që kisha menduar unë, por i shprehu me fjalë të tjera.

Negociata? E njihnin mirë njëri-tjetrin: nuk do të kishte tërheqje.

Pati vetëm zhvendosje të historisë. Ndodhën ca gjëra që Dëgjuesi u kthye në Lexues dhe Lexuesi në Dëgjues: pra, vetëm informacion.

Më vonë, pati tjetër zhvendosje të historisë: informacioni u zhvlerësua përsëri, sepse Dëgjuesi u kthye në Lexues dhe Lexuesi në Dëgjues.

Më thonë se zhvendosjet kanë vazhduar, sa kohët e fundit nuk kam informacione se kush është Lexuesi e kush është Dëgjuesi.

Për aq kohë sa i pata ndjekur, ia dola të shkruaj një libër, i cili nuk i vendoste ngjarjet te bar “Bota”, por gjithsesi ato mbaheshin nga fryma që më përçonte ai vend.

E ndjeva të nevojshme ta jepja këtë informacion, i cili u bë tregim vetëm kur kamerieri më tha: Nuk ka nevojë të dukesh. Nuk duan t’ia dinë më për askënd.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *