4 poezi – Tomas Tranströmer

Tomas Tranströmer

 

STACIONI

 

Një tren ka arritur. Qëndron vagon pas vagoni,

por asnjë derë nuk hapet, askush nuk zbret as nuk hyn.

Ka dyer fare apo? Brenda vlojnë njerëzit e ngujuar që lëvizin poshtë e lart.

Ata ngulin sytë jashtë dritareve të palëkundura.

Dhe jashtë një burrë në fund të trenit me një çekan.

Ai godet rrotat, kumbon dobët. Por jo pikërisht këtu.

Këtu kumbon jashtëzakonisht shumë: një bubullimë,

një tingull i kambanës së katedrales, një tingull i anijes që i risillet botës,

që ngre lart krejt trenin dhe gurët e njomë përreth.

Çdo gjë këndon. Këtë do ta mbani në mendje. Vazhdoni udhëtimin!

 

 

GRAFITE ZJARRI

 

Gjatë muajve të mërzitshëm jeta ime ndizte shkëndijat

vetëm kur bëja dashuri me ty.

Sikur xixëllonja që ndizet e fiket, ndizet e fiket –

dhe përmes xixëllimave mund t’u shkosh pas rrugës së tyre mes ullinjsh qiellit të natës.

 

Gjatë muajve të mërzitshëm shpirti ishte pa shpresë dhe pa jetë,

por trupi vinte drejt tek ti.

Qielli pëlliste natën.

Ne milnim vjedhurazi kozmosin dhe mbijetonim.

 

C-DUR

 

Kur ai la rrugën pas takimit me të dashurën

Dëbora sillej në ajër

Dimri kishte ardhur

Ndërsa ata kishin bërë dashuri

Nata ndriçonte bardh

Ai ecte shpejt nga gëzimi

I tërë qyteti heshtte

Qeshjet që kalonin –

Të gjithë buzëqeshnin pas jakave të mbërthyera

Ishte i lumtur

Dhe të gjitha pikëpyetjet filluan të këndonin

Për praninë e Zotit

Kështu mendonte ai

 

Një muzikë u dëgjua

Dhe depërtoi në dëborën fërfëlluese

Me hapa të mëdhenj.

Çdo gjë shkonte drejt tingullit C

Një kompas i dridhur drejtuar kah C-ja

Një orë mbi vuajtjet

Ishte e lehtë

Të gjithë buzëqeshnin prapa jakave të mbërthyera

 

 

KARTOLINA TË ZEZA

 

I

Almanaku i stërmbushur. E ardhmja e panjohur.

Kablloja përçuese për baladat pa atdhe.

Borë bie mbi detin e qetë plumb. Hije që përplasen në mol.

 

II

Në pikë të jetës ndodh që vdekja vjen dhe merr përmasat e njeriut.

Kjo vizitë harrohet dhe jeta vazhdon.

Por kostumi qepet në heshtje.

 

Përktheu : Qerim Raqi

 


RELATED POST

Your email address will not be published.