2 poezi – William Carlos Williams

William Carlos Williams

 

PARABOLA E TË VERBËRIT

 

Kjo pikturë e tmerrshme por e mrekullueshme

parabola e të verbrit

s’ka ngjyrë të kuqe

 

në tërësinë e saj shfaqet një tufë

lypsash që ecin njëri pas tjetrit

nga majtas lart për djathtas poshtë

 

tërthor tabllosë

duke hequr këmbët zvarrë

në moçalishte përfundojnë

 

në të gjithë pikturën

fillim e mbarim

as në sfond s’duket frymë e gjallë

 

veç ca fytyra të parruara

prej të varfërish

e zhelet e tyre

 

një pellg për të larë teshat

ca kasolle fshati

kambanarja me majuce e kishës

 

fytyrat ngritur lart

si kthyer nga drita

dhe asnjë hollësi e tepërt

 

në të gjithë tabllonë njëri ndjek

shkopin e tjetrit me shkopin e vet

në dorë fitimtar drejt fatkeqësisë

 

 

SHIU

 

Ashtu sikur bie shi

bën edhe ti

me dashurinë tënde

 

gjithçka të zbuluar

lag kudo

 

Në shtëpitë

krejt të terura

dhomat

 

e dashurisë së paligjshme

ku jetojmë

dëgjohet rrebeshi

i shiut

 

Atje

pikturat

metalet e çmuar,

stofrat e shtrenjtë

harbimi ynë

i kënaqur

 

kundron

nga dritaret

 

rrebeshin pranveror

të dashurisë tënde

rënien

e shiut

 

Pemët

bëhen

si kafshë të lagura

nga ujët e detit

 

çurg

u kullon

gjithë trupi

 

Kështu më shkoi jeta

të mbaj larg dashurinë

me të cilën

si shi bie

mbi botën e pranverës,

çurgon

dhe kështu fjalët ndan

deri sa gjen një shteg

për dashurinë e saj.

 

Përmes rrjedhin

pikat.

Shiu

si mjek dashamirës

shiu i mendimeve të saj

mbi oqean

e ngado

 

ku kalojnë

me këmbët e shpejta, të padukshme

mbi dallgët e pambrojtura

 

Dashuri jo e kësaj bote

ku shpresa për botën s’ka

dhe pas dëshirës

s’mund ta ndryshojë

 

Bie shiu përmbi dhé

mbi bar e mbi lule

 

Përsosmërisht vjen

në trajtë të lëngët

kthjelltësie

 

Por dashuria s’është

e kësaj bote

dhe prej saj

asgjë nuk vjen

pos dashuri

 

që pafundsisht

vazhdon të bjerë

nga mendimet e saj.

 

Përktheu: Maksim Rakipaj

 

William Carlos Williams, poet, shkrimtar dhe mjek amerikan, u lind më 17 shtator 1883 në një familje mërgimtarësh portorikanë në New Jersey. Në vitin 1902 u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Pensilvania. Kjo qe koha kur u njoh me të madhin Ezra Pound dhe Hilda Doolitle, miqësi që e lidhën me botën e poezisë.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *