Apokrif – Gazmend Krasniqi

Gazmend Krasniqi

APOKRIF

 

Te Biblioteka e Babelit (atëherë, unë J.L.Borges-i, isha një nga punonjësit e shumtë të një biblioteke të rëndomtë bashkiake të Buenos Airesit), kam përmendur edhe kërkimin e Librit të Librave: mbi ndonjë raft, mendohej se duhej të ekzistonte një libër që është çelësi dhe përmbledhja e përkryer e të gjithë librave: është një bibliotekar që e ka lexuar këtë libër dhe ai ngjan si perëndi. Qe propozuar një metodë prapavajtëse: për të lokalizuar librin A, shihej më parë libri B, që do të tregonte vendin e A-së; për të lokalizuar librin B, shihej më parë libri C dhe kështu me radhë deri në pafundësi.

Kur u bëra drejtor i Bibliotekës Kombëtare, i dhashë vetes të drejtë ta ripërtërija këtë ide: sikur ta gjenim, në mënyrë që, kur ta kishim atë, të mos i trembeshim asgjëje për punën tonë në bibliotekë?  Nëndrejtori im (të cilin, kur punonim bashkë te biblioteka e vjetër, e mbaja mend që më pat tundur para syve një enciklopedi, duke më thënë: ky këtu jo vetëm e paska emrin si ti, por edhe të njëjtën datë lindjeje), për të më bindur një herë e mirë se ndryshe nga unë (që, me ardhjen e Peron në pushtet, isha emëruar dikur në sektorin e pulave e vezëve), nuk qe shkëputur nga biblioteka, një ditë më pas, me një zë të sigurt, më përmendi relacionin Çfarë e dëmton librin dhe masat e marra. Hapi fletoret e vjetra dhe pasi lexoi se dëmtuesit e letrës janë biologjikë, fizikë dhe kimikë, vazhdoi me shpjegimet sipas radhës:

1) Bakteret janë mikroorganizma elementarë, në shumicën e rasteve njëqelizorë, me forma të ndryshme, me përmasa shumë të vogla dhe që shumëzohen shpejt. Gjenden në ujë, në tokë, në ajër dhe zhvillohen shumë në lagështirë. Bakteret kanë formë: sferike, shkopthore, të përdredhura, të lakuara. Në varësi se ku jetojnë, i kemi: 1. aerobe (jetojnë në prani të oksigjenit). 2. anaerobe (që jetojnë pa praninë e oksigjenit). 3. anaerobe facultative (që jetojnë me dhe pa praninë e oksigjenit). Dëmtimi i letrës nga bakteret dallohet nga krijimi i njollave të rrumbullakëta.

2) Kërpudhat kanë madhësi mikrometrike dhe rriten në ujë, në tokë apo në ajër. Zhvillohen për 4-7 ditë, kur kushtet janë të volitshme. Që të zhvillohen, u duhen: karboni, hidrogjeni, magnezi e rrallëherë gjurmë të zinkut e të bakrit. Kërpudhat zhvillohen në varësi të temperaturës (5-30 grade C), lagështisë (75%) dhe ph-it (4-9.5). Ato zhvillohen si në mjedise bazike ashtu dhe në ato acide. Dëmtimi nga kërpudhat paraqitet në formë të njollave me ngjyrë të zezë të mbyllur dhe ngjyrë të gjelbër të mbyllur.

3) Insektet janë organizma shumëqelizorë, të cilët jetojnë në vise të nxehta e me lagështi. Ato e dëmtojnë letrën në shumë pjesë si në sipërfaqe, në kopertinë apo në gjithë materialin. Për ta mbrojtur materialin nga insektet, duhet të njihen ato si për nga ndërtimi trupor, zhvillimi, mënyra e jetesës dhe ushqyerja. Temperatura optimale për zhvillimin e tyre është 25-30 gradë C. Insektet ushqehen me material organike, si celulozë, amido, albumina, sheqerna. Mund të numërojmë mbi 70 lloje insektesh.

Vazhdonte renditja me llojet e insekteve që mund të dëmtojnë librin, si edhe shpjegimet përkatëse, të cilat po ia kursejmë lexuesit: Troctes divinatoria mull, F. Psocidae (morri i librave); Lipisma saccharina (tenja e argjendtë); Lasioderma serricorne (krimbi i librave);  Blatta germanica; Blatta orientalis; Periplaneta Americana; Termitet; Dermester lardarius.

4) Brejtësit ushqehen jo vetëm me ushqimet që përdorin njerëzit por edhe me letër, lëkurë, dru etj. Shumohen shpejt. Ato i dëmtojnë materialet, duke i brejtur qoftë për ushqim apo për të përgatitur çerdhet.

5) Në prani të ndotësve atmosferikë, drita bën dobësimin e celulozës, të ngjitësve dhe materialeve prej lëkure. Drita shkatërron lidhjen e librit, ngjyrën, dobëson fijet e celulozës si dhe oksidimin e letrës. Në biblioteka ndriçimi është i pashmangshëm, ndaj duhet të përdoret ai ndriçim që është më pak i dëmshëm. Rekomandohet që në biblioteka të përdoret jo drita natyrale, por ajo artificiale. Hapësira ideale për ruajtjen e librave është ajo pa dritare ku ndriçimi është artificial. Në rastin kur hapësirat kanë shumë dritë, bëhet eliminimi i saj nëpërmjet: vendosjes së xhamave që i absorbojnë rrezet UV; ngjyrosjes së dritareve me ngjyra që janë absorbuese të rrezeve UV; vendosjes së roletave. Ekzistojnë disa lloje të ndriçimit artificial: llambat inkandeshente (lirojnë shumë më pak rrezatim UV, sesa ndriçimi floureshent, por prodhojnë më shumë nxehtësi përmes rrezeve infra të kuqe); llambat fluoreshente (prodhojnë rrezatim UV, por përdoren se lirojnë më pak nxehtësi dhe janë më ekonomike); llambat tungsten-halogjen.

6) Temperaturat e larta e bëjnë letrën të fortë dhe e vjetrojnë atë, prandaj temperatura optimale për ruajtjen më të mirë të materialeve bibliotekare është 14-20 gradë C. Matja bëhet me termometër.

7) Meqë lagështia nxit agjentët biologjikë, luhatjet e mëdha të saj sjellin deformime të letrës. Lagështia relative duhet të jetë 50-60%. Në rastet kur rritet lagështia e ajrit, ajrosja duhet të bëhet me ajër të thatë, ndërsa kur është i thatë, duhet të lahen dyshemetë. Lagështia mund të matet me higrometër ose me termohigrograf.

Lagështia dhe temperatura mund të kontrollohen me…

Edhe kur zëri i tij u ndërpre nga sirena e alarmit, që dera pak e hapur e sillte në mënyrë irrituese (kaq e fortë qe), nëndrejtori e mbylli derën dhe u kthye të vazhdonte leximin.

Por ishte e kotë tashmë: kishte rënë zjarr në fond dhe duhej t’ua lironim vendin zjarrfikësve. Në fakt, kishte kohë që tubat e ngrohjes e kishin sjellë erën e rëndë deri në zyrën e drejtorisë.

 

 

***

Djegia kishte ardhur nga kabllot elektrikë: kishin pasur kohë të përzhiteshin, derisa sensorët e alarmit kapën tymin, kështu që për shumë kohë qemë pre e medieve, të cilat donin të na kryqëzonin, megjithëse u përpoqëm ta bindnim se biblioteka është aq e madhe sa çdo gjymtim me origjinë njerëzore nuk mund të jetë veçse i papërfillshëm.

Po gjithë kjo e keqe për mua pati një të mirë: tashti, nëndrejtori nuk po më bënte zë edhe kur kërkoja Librin e Librave në raftet më të parëndësishme. Edhe kur më ndiqte nga pas, nuk e hapte gojën. Fati i tij, apo fati im, qe se nuk më kishte lexuar ndonjëherë.

Siç kisha thënë më parë: po të kishte një udhëtar të përjetshëm që do ta përshkonte shekujt në një drejtim të çfarëdoshëm, më në fund, do t’i mësonin se të njëjtat vëllime përsëriten gjithmonë në të njëjtin çrregullim që, i përsëritur, do të bëhej një rregull: Rregulli. Mbase atje duhet filluar kërkimi i vërtetë. Vetmia ime ngushëllohej me këtë shpresë të hijshme.

Më duket se nëndrejtorit i ngjava me një njeri të përshpirtshëm, kur tha:

Ndal! I rashë në të, se kush je. Ti je ai punonjësi të cilit i thashë që të mos më kthehej më në bibliotekë pa verifikuar se gjendet në Buenos Ajres personi i enciklopedisë që kishte emrin, po edhe vitin e lindjes, të J.L.Borges-it që punonte me ne.

Kaq u desh që ky tregim të kthehej në apokrif.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *