READING

Kiçi, arti vulgar dhe harrimi i qenies

Kiçi, arti vulgar dhe harrimi i qenies

Roghayeh Haghighatkah

 

KIÇI, ARTI VULGAR DHE HARRIMI I QENIES

(Kthim tek “Lehtësia e padurueshme e qenies” i Kunderës)

 

Qysh në zanafillën e kohërave, letërsia dhe arti kanë pasur një lidhje të ngushtë. Qysh në krijimin e tij, njeriu është ndihmuar nga arti, kur ka qenë i paaftë për të pohuar idetë e tij të brendshme falë fjalëve. Por letërsia dhe arti kanë përballur probleme përgjatë shekujve, prej ku edhe fenomenin antiart dhe antiletrar të kiçit. Kiçi shfaqet përballë fenomenit të avant-gardës dhe u përshtatet shumë fenomeneve të tilla si makinizmit, jetës sociale dhe shoqërisë së konsumit. Ai është i pranishëm gjithkund dhe njeriu modern është plotësisht i tejshkuar nga kiçi, pa e ditur.

Në pjesën më të madhe të shtëpive, zyrave e madje universiteteve, vërehen për shembull lule të çuditshme zbukuruese që, jo vetëm nuk janë të bukura, por një syri të kujdesshëm i duken vërtet të shëmtuara. Atëherë duhet një luftë kundër kiçit. Prandaj, synimi ynë është të tregojmë format e ndryshme të kësaj teme në fushat letrare e artistike si dhe në jetën e njeriut. Paraqesim së pari, etimologjinë, historikun dhe fushat ku kiçi është i kudopranishëm. Do të vërejmë se si njeriu i sotëm, i futur në kurthin e kiçit, nuk arrin ta dallojë perden mashtruese dhe të zbukuruar që mbulon realitetin, duke e ngatërruar me vetë realitetin. Do të tregojmë gjithashtu si Milan Kundera, autori çek, tregon fundin e kiçit te harrimi i qenies në romanet e tij, përfshirë dhe “Lehtësia e padurueshme e qenies”.

 

 

Origjina e kiçit

 

Pavarësisht përdorimit të shpeshtë të kësaj fjale, ajo mbetet ende e panjohur për njeriun modern. Kundera i kushton një pjesë të romanit të tij “Lehtësia e padurueshme e qenies” shpjegimit filozofik të termit të kiçit. Por në “Arti i romanit” ai flet për shqetësimin e tij sa i përket zgjedhjes së kiçit si njëra nga fjalët çelës të romanit të tij.

Duke folur etimologjikisht, origjina e këtij termi duket e paqartë. Ky term është sinonim i fjalës franceze camelote, asaj spanjolle cursi, ruse pochlust, e portugeze  piries. Origjina e tij u ngjitet nganjëherë foljeve gjermane: verkitchen që shenjëzon “brader” – “heq qafe”,  “e shes me çmim shumë të ulët”,  “shes diçka në vend të asaj që më është kërkuar në të vërtetë”, “të bësh Pazar të mirë në dialektin e Mecklembourg” dhe “të jetosh nën çmim”; dhe “kitschen” që shenjëzon “të mbledhësh mbeturinat në rrugë”, “të mbledhësh plehrat në rrugë”, dhe në fund “të bësh mobilie të reja me të vjetrat”.

I shfaqur në kuptimin modern në Mynich, në Baviere, nën manierizmin e Luigjit II, ky term mbin vetëm në shekullin XIX, konkretisht në vitin 1870. Louis II Wittelbach i Baviere kërkon të ndërtohet një objekt duke kopjuar Versajën. Mes 1820 dhe 1850, zejtarët e Faubourg Saint-Antoine futen në garë dhe ndërtojnë një tjetër, duke shtuar në të perdet. Zgjedhin për këtë objekt, emrin e Biedermaier Stil, që rrjedh nga emrat e dy personazheve fiktive filistine Biedermann e Bummelmaier. Ky objekt gëzon të drejta dhe për t`u kopjuar.

Ndërkohë, kiçi mbin në kuptimin modern të fjalës nën ndikimin e këtij objekti. Mobiliebërësit e Gemütlichkeit fillojnë të prodhojnë qelqurina për t`i soditur e jo për t`u përdorur. Këto objekte arrijnë dalëngadalë, të pushtojnë mbarë planetin. Konstatohen pak e nga pak ngado objekte të tilla si pirunë me hala peshku, abazhurë shandanë të mëdhenj që i interesonin jetës borgjeze, objekte bukuria artificiale e të cilave zinte vendin e parë.

Duke folur leksikologjikisht, fjala kiç e ka origjinën e saj nga shqiptimi i fjalës angleze sketch që mund ta përkthejmë në frëngjisht “ébaucher” (skicoj). Nga pikëvështrimi i Jean Louis Robert gjithashtu, kiçi është onomatope e teshtimës dhe synimi i tij s`është tjetër veç dëbimit të gjithçkaje që për të është e papranueshme.

Çfarë shenjëzon kiçi në filozofi dhe cila është origjina e tij? Dihet që qenia njerëzore është përpjekur gjithmonë të paraqesë një dukje të bukur të sajën, mbase diametralisht të kundërt me atë që ka. Këtë që Kundera e quan kiç në kuptimin filozofik. Meqenëse kemi provuar gjithmonë interesin kureshtar për të imituar të tjerët, kemi bërë spontanisht atë që kanë bërë tashmë prindërit tanë dhe atë që duan të ngjashmit tanë. Duke e vënë në dukje këtë nevojë të çdo qenieje njerëzore, Kundera pohon tek “Lehtësia e padurueshme e qenies”: “Burimi i kiçit, është përshtatja kategorike me qenien”. Për të gjetur origjinën e tij, duket atëherë që duhet të kthehemi te fillimi i Gjenezës.

 

 

Përkufizime të kiçit

 

Cilado qoftë origjina e tij, paraqiten përkufizime të ndryshme të fjalës kiç. Mjaftohemi duke dhënë disa prej tyre.

Si fillim, marrim Le Petit Robert. Përkufizimi përcaktuar fjalës kiç është vazhduesi: “Thuhet për një stil dhe qëndrim estetik të karakterizuar nga përdorimi heteroklit i elementeve të dala mode (…) ose popullore, të konsideruara si shije e keqe nga kultura në fuqi dhe mallrat e ekonomisë industriale”. “Kiçi ka mundur të konsiderohet si zvetënim duke kërcënuar çdo formë të artit (…) ose nga ana tjetër, si një formë e re e artit të lumturisë”. “2… Shije e keqe baroke provokuese”.

Përkufizimi që mund të gjejmë për këtë term tek Le Grand dictionnaire Encyclopédique Larousse, do të jetë ky këtu: “Thuhet për objektet e papërpunuara, qoftë vepra (piktura, skulptura, arkitektura, mobilie, krijime letrare apo muzikore) shija e keqe e të cilave mund të mos pëlqejë, por gjithashtu dhe të ngashnjejë me anën e saj humoristike apo të çuditshme”.

Në fjalorin Le dictionnaire de L”Académie, kjo fjalë shenjëzon: “Koncept çelës i modernitetit. Përdorimi i zakonshëm: Kiçi mbron veprat dhe artistët e pavlerë të qesharakes që i dalin përpara (…) Përdorimi specifik: Kiçi mbron artin që hiqet si i Vërtetë, qëndrim i vjetruar dhe stalinian i shtypjes së individëve nën zgjedhën totalitare të arsyes”.

Te “Romain Gary et la modernité” të Dominique Rosse, kiçi do të thotë: “modë e lidhjes estetike me botën, në realitet, qe ajo natyra, objektet pra të fabrikuara, prodhimet kulturore apo lidhjet mes qenieve njerëzore.”

Tek “Kundera ou la mémoire du désir” të Eva Le Grand gjithashtu, ai shenjëzohet: “si shprehje e kësaj mundësie robëruese të pashkulshme për të zëvendësuar ëndrrat e një bote (parajsë e humbur si e ardhme e shkëlqyeshme) në realitetin tonë, shkurt për të shtrembëruar realen në një vizion idilik e mahnitës të botës për të cilën sakrifikojmë pa skrupuj çdo ndërgjegje etike e kritike”.

Milan Kundera përkufizon kiçin tek “Les Testaments trahis” si vijon: “interpretimi kiçifizues (…) është një magjepsje e pavetëdijes kolektive; një urdhër i vuajtjes metafizike; një kërkesë sociale e përhershme; një forcë”.

Në fund, në romanin e Kunderës “Lehtësia e padurueshme e qenies”, ky term shënjon një ideal estetik që “përjashton nga fusha e vizionit të tij gjithçka që ekzistenca njerëzore ka thelbësisht të papranueshme.”

Ajo çka tërheq vëmendjen tonë në të gjitha këto përkufizime, është se fjala kiç kërkon të fshehë një farë të vërtete nën pretekstin për të shmangur çfarëdolloj provokimi tek njerëzit. Gjithçka që trondit njeriun, është e përjashtuar prej tij. Ky është një pretekst i mirë që ai të mund të shfaqet në çdo fushë e çdo vend. Simbas kësaj që Kundera pohon tek “Lehtësia e padurueshme e qenies”: “Vëllazëria e të gjithë njerëzve nuk do mundë të krijohet përveçse mbi kiçin”.

 

 

Karakteristikat anti-artistike të kiçit

 

Progresi i teknikës, industrisë, urbanizimit dhe tregtisë ka vepruar si katalizator për ndërtimin e objekteve kiç. Lidhjet e këqija të vëna këto kohë mes objektit dhe konsumuesit, të kundërta me funksionalizmin në pikturë, dhe në skulpturë merren gjithashtu  si kiç. Përveç kësaj, përdorimi profan i besimit është gjithashtu një formë tjetër e kiçit. Realizimi i lodrave, të frymëzuara nga kryqi i pasionit apo simbolet fetare janë një shembull që meriton vëmendje. Objektet të tilla si televizorët me ngjyra, shandanët e mëdhenj, abazhurët, piruni prej peshku, magnetoskopët, makinat që bien në sy, si fryte të modernizmit futen tek objektet kiç.

Tek “Psychologie du kitsch; l”art du bonheur”, Abraham Moles karakterizon 5 parime për fenomenin kiç:

  1. Parimi i të paduhurës: sipas të cilit mund të justifikojmë zëvendësimin e të pastrës nga e papastra, të autentikes nga joautentikja e të dobishmes nga e padobishmja, tek objektet kiç. Në universin e kiçit, përpiqemi të ndryshojmë normat dhe bindjet e paravendosura. Gjërat e bronzuara shndërrohen në zink ose gjërat e praruara shfaqen prej bronzi. Objekti kiç ka kështu, karakterin ireal. Lulja artificiale dhe e ngjyrosur ose kulla Eifel në bronz na furnizojnë me shembuj.
  2. Parimi i akumulimit: domethënë zëvendësimi i boshit me mbushjen me plaçka, brufullimi e ngjeshja. Nga pikëpamja e ngjyrës, objektet kiç vuajnë pjesën më të madhe të kohës nga kontrasti i ngjyrave të pastra e plotësonjëse, nga ndërthurja dhe përzierja e ngjyrave të gjalla. Ajo çka ka rëndësi për një objekt kiç, është sasia dhe jo cilësia. Duam të zotërojmë në të “gjithmonë më shumë” nga ajo që kemi.
  3. Parimi i mediokritetit: sipas të cilit mund të justifikojmë shmangien funksionale të objekteve kiç. Romantizmi, rokokoja dhe fantastikja i kundërvihen kiçit në funksionalizëm. Në universin e kiçit konsumimi dhe dëfrimi shkojnë çift dhe ajo që ka rëndësi, është puna e bukur e çdo instrumenti dhe jo puna e mirë. Masa ushtron mbi të ndikimin e saj shkatërrues, prandaj gjithçka te ajo të shpie tek e gabuara.
  4. Parimi i rehatisë: nga dhe për të cilin objektet kiç janë ndërtuar.
  5. Parimi i sinestezisë: simbas të cilit krijuesi i një vepre kërkon të magjepsë spektatorin me çdo çmim. Ndihmohet nga 5 shqisat e madje ndonjëherë nga ndërthurja e tyre; si pullat postale që janë të parfumuara apo librat me muzikë.

Nga ana tjetër parimet e përmendura nga A. Moles, mund të lajmërojnë parimin e gjashtë gjithashtu, që është në shqisën tonë, më e rëndësishme se pararendëset.

  1. Principi i zbukurimit: ose baza më e rëndësishme e ndërtimit të objekteve kiç. Për këtë parim që sipërfaqja e objekteve kiç paraqet në pjesën më të madhe të kohës simbole, pamje dhe figura mitike. Vërejmë gjithandej peizazhe ku gjenden pemë e lule plastike. Këto peizazhe nuk janë as të bukura as të shëmtuara por njëngjyrëshe që shërbejnë vetëm për zbukurim. Objektet që nuk kanë modele në natyrë dhe që janë të paracaktuara për të prodhuar vetëm një kënaqësi të shpejtë. Le të marrim objekte të tilla si kutia e muzikës, çakmaku që shërbejnë si zbukurime në mbarë botën. Janë marrë për kiç ndërsa janë ndërtuar në të vërtetë për të ecur por kur kanë humbur mekanizmin e tyre, i përdorim për një kohë të gjatë, për zbukurim.

Këtej rrjedh që ky term i kundërvihet zbukurimit në funksion dhe ky i fundit nuk është tjetër veç një preteksti. Ajo çka ka rëndësi atëherë, është ana zbukuruese e çdo gjëje. E quajmë nganjëherë “art të së resë”, ku imitimi dhe zbukurimi janë elementët më të rëndësishëm. Mund ta quajmë “diçka të re”, një “të vjetër të re”, të ndërtuar kësaj radhe me lëndë dhe mënyra të reja. Në universin e objekteve kiç, një qelqurinë për shembull nuk bëhet për të mbajtur diçka por për t`u soditur. Nuk mundim mbase as ta lajmë. Sot, ndeshim vazhdimisht lule artificiale dhe u adhurojmë krijuesit: ajo çka është goditëse, është se nganjëherë, duke këqyrur një lule, shqiptojmë pavetëdijshëm: “sa e bukur, sikur të jetë artificiale”. Kjo nënvizon që kufiri mes natyrales dhe artificiales fshihet pak e nga pak.

Pranojmë se kiçi na prodhon kështu një pamje të rremë të së vërtetës, mediat e pasqyrojnë në mbarë botën dhe njerëzit e marrin në mënyrë të pavetëdijshme pa menduar më për forcën e pamëshirshme të kiçit.

Në çdo rast, mund ta përmbledhim të gjithë këtë në disa rreshta. Duke bërë të renë me të vjetrën, kiçi prodhon gjëra ngashnjyese. Për të arritur këtë synim, ai përdor madje dhe mënyrat anormale, ironike e qesharake. Kiçi i prezantuar kështu, përafrohet me grackat, gjërat të ditura tashmë, dhe siç e ka përcaktuar Kundera, ky përbindësh arrin të trandë njerëzit me anën e bukurisë, por një bukuri faktike dhe mashtruese, “bukuria e asaj që është thënë tashmë njëmijë herë.”

 

 

Fushat anti-letrare të kiçit

 

Siç kemi treguar tashmë, kiçi mund të shfaqet gjithkund. Hasim objektin kiç, letërsinë kiç, stilin kiç, muzikën kiç qëndrimin kiç etj. Ai mbin njëlloj në fusha të ndryshme të artit: kinema, arkitekturë, muzikë, pikturë. Megjithatë ka shumë ndër to ku kiçi ka triumfin më të madh të dukjes.

Sentimentalizmi romantik: Tek “Lehtësia e padurueshme e qenies”, Milan Kundera pohon që “në mbretërinë e kiçit ushtrohet diktatura e zemrës”. Pra romantizmi është streha e përkëdhelur e kiçit, ku zemra zë vendin parësor. Për prezantimin e këtyre ideve që Kundera mbahet si romancier anti-lirik. Në sytë e këtij të fundit, që është kundër zotërimit të zemrës, lirizmi nuk është asgjë tjetër veç një preteksti për njeriun për të justifikuar krimet dhe aktet më të këqija përmjet arsyeve që janë pa pikë dyshimi lirike por jo logjike.

Në një pjesë nga “Lehtësia e padurueshme e qenies”, një senator amerikan takon katër camërdhokë duke luajtur në lëndinë dhe i paraqet si simbole të lumturisë te Sabina. Ky që duhet të merret natyrshëm me gjërat serioze, lë arsyen dhe anohet kah ndjeshmëria. Kundera e merr këtë akt për kiç dhe shkruan: “Kiçi bën të lindin njëri pas tjetrit dy lot emocioni. I pari thotë: sa bukur, do camërdhokë duke rendur lëndinës! Loti i dytë thotë: sa bukur është, të jesh i ngashnjyer me të gjithë qenien nga pamja e camërdhokëve duke rendur lëndinës. Vetëm ky loti i dytë bën që kiçi të jetë kiç”.  Autori austriak Herman Broch gjithashtu është i një mendimi me Kunderën mbi këtë çështje. Ka bindjen se burimi i kiçit ngjitet tek romantizmi, që ky i fundit e ka shtrirë gjithkund. Në Quelques remarques à propos du kitsch, ai thotë: “Mund të pretendojmë legjitimisht që arti akademik (dhe romantizmi), pa u dashur për këtë të jetë nevojshmërisht kiç, është babai i tij dhe ka çaste ku babai i ngjan fëmijës kaq shumë sa mund t`i marrësh për njëri-tjetrin”.

Rewriting: Milan Kundera lajmëron disa herë që ka zotërim te kiçit gjithkund ku ka “Intervista, biseda, përmbledhje, përshtatje, transkriptime kinematografike, televizive”, me një fjalë ku ka rewriting.

L”art du roman, ai parashikon kështu fitoren e botës moderne me anën e kiçit: “Një ditë e gjithë kultura e shkuar do të rishkruhet plotësisht dhe harruar plotësisht mbas rewriting të saj”. Çka është tronditëse në rastin e rewriting, është se kiçi ka mundur kështu të mbushë në fushën e letërsisë. Për shembullin e parë, marrim rastin e përmbledhjeve të veprave dhe romaneve. Duke pasur lehtë përafrimin tek përmbledhja e librave, nuk marrim mundimin më për t`i lexuar. Kjo që mund të pengojë pa dyshim lexuesin të rrokë qëllimet e autorit.

Marrim një librari deng me libra si shembull të dytë. Pavarësisht mundësisë së zgjedhjes mes kaq shumë librash, nuk mund të vendosim mbi çfarë duhet bërë ngaqë pjesa më e madhe e tyre janë kopje të asaj që tashmë e kemi lexuar. Duke shfletuar pjesën më të madhe të tyre kemi, “ndjesinë e tashmë të lexuarës”. Rreth vitit 1930, Broch paralajmëron që thelbësorja e letërsisë dhe kryesisht romanit është para së gjithash të luftojë kundër kiçit. Megjithatë sot, pjesa më e madhe e romaneve janë në shërbim të modernitetit. Ky i fundit shfaqet nën petkun e kiçit, në atë pikë sa rrezikojmë për t`i ngatërruar. Pjesa më e madhe e romaneve ndërtohen me tema e intriga stereotipe. Pjesa më e madhe e romancierëve shkruajnë romane, duke pasur të gjithë, të njëjtat forma, të njëjtat masa, duke respektuar të gjithë, të njëjtat rregulla. Ligji i tregut gjendet pra, në librari gjithashtu. Ajo çka ka rëndësi, është për të prodhuar më të shumtën e mundshme. Libraritë janë bërë si manifaktura për të prodhuar romane kësaj radhe.

Për të shpëtuar nga ky lloj kiçi, Kundera vendos më në fund të mos i përshtatet asnjë bisede me gazetarët, qysh nga 1985. Për këtë që mungesa e materialeve biografike të sakta mbi Kunderën na privojnë informacione mbi jetën e tij private. Nuk flet kurrë për jetën e tij private dhe nuk i pëlqen që t`i shqyrtojmë veprat e tij nisur nga biografia. Prandaj ai shpall: “Romanin si zbulim të ekzistencës njerëzore. Kjo do të thotë, që nuk e kam konsideruar kurrë si një formë rrëfimi. Kërshëria më neverit, në jetë si në letërsi. Jeta ime është e fshehta ime dhe nuk i përket askujt.”

Pikërisht mu për këtë arsye në çastin që i kërkuan për të dhënë një biografi të shkurtër, ai e përmblodhi me një rresht të vetëm “Milan Kundera ka lindur në Çekosllovaki. Në vitin 1975, ngulet në Francë”. Shkon kështu kundër Dekartit e Saint-Beuve për të cilët personaliteti i autorit shfaq misterin e veprës letrare. Megjithatë sipas shembullit të shkrimtarëve dhe filozofëve të tillë si Nietzche, Heidegger, Foucault e Derrida, Kundera lajmëron vdekjen e njeriut me anën e modernitetit. Përveçse nuk flet për jetën e tij private, Kundera nuk jep asnjë shpjegim të tepërt mbi romanet e tij. Për lexuesin le t`i lexojë me kujdes për t`i ngërthyer mirë qëllimet e autorit. Si narrator që i di të gjitha, Kundera paralajmëron lexuesin e tij tek “Lehtësia e padurueshme e qenies” si vijon: “Nëse lexuesi kërcen një rresht të vetëm të romanit tim, ai nuk do ta kuptojë”. Nga pikëpamja e Kunderës, njëra prej karakteristikave më të rëndësishme të romanit modern, është se nuk mund ta tregojë veprimin. Ai deklaron: “Kushdo që është mjaft i çmendur për të shkruar romane ende sot duhet, po qe se dëshiron të sigurojë mbrojtjen e tyre, t`i shkruajë në mënyrë të tillë që të mos mundin t`i përshtatin, e thënë ndryshe të mos mundin t`i tregojnë”. Në një shënim për L’Immortalité, ai përpilon kështu: “Ia ndaloj parimisht vetes për të shpjeguar romanet e mia, për t`i dhënë përgjigje pyetjes për të ditur se çka dashur të thotë autori, e ka thënë në romanin e tij. Dhe nëse nuk ka thënë asgjë, është pikërisht pse nuk donte ta thoshte. Nga ana tjetër, e lëshoj veten gjithmonë me gjithë zemër të stërvitem për të folur për poetikën time. Është pa dyshim një trashëgimi e së shkuarës sime lidhur me muzikën”. Përvoja bazë e një muzikanti i mëson atij se një kompozim dëgjohet me më shumë lehtësi e kënaqësi se struktura formale dhe familjare te auditori.

Si mjeshtri i tij Broch, Kundera mban qëndrim të kundërt për përshtatjen e romaneve dhe veprave letrare për teatrin apo kinemanë dhe kjo tregon më së miri neverinë e tij për kiçin. Realizuesi amerikan Philip Kaufman ka përshtatur romanin e tij “Lehtësia e padurueshme e qenies” në kinema, në 1988. Kundera që është kundër realizimit në imazhe të veprave letrare, nuk e ka pranuar aspak këtë përshtatje. Ky film provon mirë që nuk mund ta tregojmë kurrë stilin narrativ të Kunderës me anën e kinemasë. Kaufman ka zhdukur aty reflektimet meditative mbi të cilat është bazuar romani dhe e ka prishur krejt polifoninë kunderiane. Skenari është thjeshtuar kështu në disa skena erotike dhe nuk ka asgjë më për të dhënë. Mund të citojmë për shembull Eva Le Grand tek Kundera ou la mémoire du désir: “Përshtatja kinematografike e “Lehtësia e padurueshme e qenies” që thjeshton (kiç!) këtë roman në një histori drejtvizore, pa asnjë perspektivë filozofike apo polifokalizimi (pa folur për zëvendësimin e pjesës meditative të romanit me përdorim të tepruar fjalësh bombastike zbukuruar me erotizim hollivudian…), ka pasur sigurisht impakt të drejtpërdrejtë, siç sugjeron dhe përkthyesja e tij në gjermanisht, Susanna Roth mbi shkrimin e L”Immortalité me vendosmëri e eksperimentalisht të papërshtatshëm.»

Megjithatë pavarësisht të gjitha përpjekjeve, veprat e tij kanë rënë ndonjëherë në kurthin e kiçit, siç ishte sidomos rasti i përkthimeve të romaneve të tij. Ai shpjegon befasinë e tij kur e ka verifikuar për herë të parë përkthimin e veprave të tij, dhe pikërisht atë të “La Plaisanterie”. Stili i tij narrativ ishte shkatërruar plotësisht në përkthimin francez dhe meditimet e tij intelektuale në të ishin zhdukur, sikur nuk ekzistonin fare. Ajo çka ishte ende më keq, ishte që rregulli i pjesëve në përkthimin francez ishte ndryshuar plotësisht. Secili prej përkthimeve kishte shkatërruar, në radhën e vet, romanin në një formë dhe La Plaisanterie është rishkruar kështu disa herë prej përkthyesve. Kundera i kushton më në fund më shumë kohë e energji, rishikimit të  përkthimeve të romaneve të tij, që me shkrimin e tyre i futet punës më në fund të shkruajë një fjalor personal për romanet e tij tek L”art du roman ku përshkruan çfarë shenjon secila prej fjalëve të tij, fjalët çelës përfshi në to lehtësia, harrimi dhe kiçi.

Publiciteti: Publiciteti konsiderohet si njëra nga format më moderne të kiçit. Ai zotëron ngado në botën moderne dhe ka mbërritur pikën kulmore të tij në art e kulturë. Nën ndikimin e tij që vëzhgojmë pamjen e veprave të artit, foton e autorëve apo aktorëve të njohur mbi mallrat, bluzat etj.

La Société de Consommation, sociologu Jean Baudrillard tregon rolin e publicitetit që kërkon të na sugjerojë idenë që “nuk mund të jetojmë pa blerë.” Mund të shënojmë gjithashtu që ai shkakton “diktaturën e objekteve mbi njeriun”. Në botën e kiçit, arrijmë të prodhojmë objekte nga më të ndryshmet, por pjesa më e madhe e tyre janë produkte të njohura tashmë dhe nuk u ka ndërruar gjë veç ngjyrës dhe paketimit. Simbas Jean Baudrillard, “Gjithkund ku ai (kiçi) riprodhon objektet më të vogla apo më të mëdha se në natyrë, ai imiton lëndët (stuko, plastikë etj.), shenjon format ose i kombinon në formë të paharmonishme, përsërit modën pa e pas jetuar”.

Interneti: Njëra prej fushave të tjera ku kiçi shfaqet, është interneti. Njerëzit modernë interesohen shumë për të, meqë ky i fundit i bën të dhënat të arritshme në çdo vend dhe në çdo çast dhe për këtë arsye që mund ta marrim si njërin prej shkaqeve të uniformimit. Ai ka aftësinë të unifikojë të gjithë njerëzit dhe është i aftë të lidhë kulturat, njëra me tjetrën. Është në modë, e përdorim dhe nën ndikimin e tij jemi të gjithë, në një farë mënyre. Kur njerëzit janë para kompjuterit, nuk mendojnë më për kompleksin e botës dhe të njeriut. Është pikërisht kjo që u sugjeron kiçi. Nga ana tjetër, njerëzit prodhojnë një pamje virtuale të gjithçkaje nën ndikimin e rrjeteve.

Epoka jonë është ajo ku zotërojnë masa, shija e publikut, uniformalizmi, racionalizmi, rehatia e në fund mirëqenia. Këto elementë të modernitetit kanë ndikuar më tepër universin e kiçit. Ky i fundit mbulon në formën e një maske të sajuar me bukuri të rremë e mashtruese shoqërinë tonë moderne. Sa më shumë e mendojmë veten modernë aq më shumë jemi të përfshirë nga kiçi. Jemi sot dëshmitarë dhe viktima të një shekulli të kiçit.

Kundera përpiqet të tregojë në romanin e tij fitoren e murtajës kiçizuese mbi njeriun, të cilës askush nuk mund t`i shpëtojë. Ai është i pranishëm gjithkund dhe është bërë  emëruesi i përbashkët i epokës tonë. Nuk mund të gjejmë, nga pikëpamja e tij, një vend pa investimin e kiçit që ka mundur të mbijë sot në fustanin e modernitetit. Ai është gjithkund dhe mbin në çdo çast dhe kur nuk presin dhe gjënë më të vogël, dhe, kur ndihemi më të sigurt se kurrë, jemi më shumë të përfshirë prej tij.

 

 

Kiçi dhe arti

 

Autori austriak Herman Broch e përkthen kiçin si “art të mallit të lirë”. Me konstatimin e tij, kiçi tregon “të Keqen në sistemin e vlerave artistike”. Ai e konsideron si të keqe në sistem, meqë në shikimin e tij kiçi është shfaqur si art qysh në kohën e neoromantizmit, ndërkohë që ka jetuar si parazit mbi artin. Prandaj Kvetoslav Chvatik pohon mbi këtë pikë në Le Monde romanesque de Milan Kundera: “Është e keqja në art, që jo vetëm nuk i përkon asnjë qëndrimi estetik, por ndërlik një qëndrim të jetës mashtruese.”

Nga pikëpamja e Broch, ka një pikël kiç në të gjithë artin, ndërsa kiçi është sipas tij anti-art, meqë jemi të detyruar të respektojmë disa norma dhe disa bindje të caktuara për t’u pëlqyer të tjerëve.

Sot, shohim ngado lule artificiale, në parqe, rrugë, zyra mbledhjesh, restorante e madje dhe në zyrat e burrave të shtetit etj. Janë ekonomike dhe të lehta për t`i ruajtur pa pasur nevojën e një rritësi; çka lehtëson jetën sociale e industriale moderne. Është pikërisht rasti i pikturës, ashtu dhe i muzikës. Në pjesën më të madhe të tablove, synimi nuk është për të pikturuar pamjen më të bukur, por atë që ka më shumë spektatorë. Në fushën e muzikës, përmendim rastin e këngëtarëve që ngjiten në skenë, presim t`i shohim të këndojnë por ata vetëm sa lëvizin buzët; gjest që mund të ishte bërë nga çdokush. Megjithatë, Heidegger ka shumë të drejtë kur flet për vdekjen e artit, meqë për fat të keq, ajo çka është e rëndësishme në të gjithë artin, është materialiteti. Për një vepër arti, ajo çka ka rëndësi është konsumi, është që të pëlqehet. Sot, po marrim pjesë në perëndimin ose më tepër në varrimin e artit.

 

Kiçi dhe filozofia

 

Duke shkuar më larg se Herman Broch, Milan Kundera gjithashtu flet duke e rimarrë shumë herë kiçin filozofik. Në kapitullin e 6 të “Lehtësia e padurueshme e qenies” në titullin “Tregu i madh”, shohim se Kundera braktis krejt historinë e dashurisë së çifteve dhe flet për vdekjen e Iakovit, djalit të Stalinit në Gjermani, për atë të Francit në Bankok dhe jetën e Sabinës që është arratisur për t`ia mbathur nga bota e saj.

Ky kapitull çelës është veçse një ese mbi kiçin, “ese specifikisht romaneske” nga pikëvështrimi i Kunderës, meqë jashtë romanit, kjo ese nuk është më e mendueshme. Kjo pjesë është konsideruar si manifesti i Kunderës kundër termit të kiçit. E ka urryer gjithmonë dhe nuk ka reshtur së lajmëruari lexuesin shumë herë për të keqen që rishfaq ky term.

Ajo çka godet Kunderën, është se nën ndikimin e kiçit njeriu është dënuar të harrojë një pjesë të ekzistencës së tij. Kundera bën në këtë mënyrë, kiçin, njërën prej kategorive më thelbësore, metafizike, estetike e ekzistenciale. Ky term haset si lajtmotivi kryesor i romanit të tij. Siç kemi thënë, për të, ai nuk flet më vetëm për një gjë të shijes së keqe. Ai flet madje për sjelljen e njeriut kiç. Ai saktëson në “L”art du roman”: “Nevoja e kiçit të njeriut kiç (njerëzkiç): është nevoja për t`u shikuar në pasqyrën e zhgjëndrrës së bukur dhe për ta rinjohur veten me një ëndje ngashnjyese”.

Nën penën kunderiane, kiçi është një mur i tillë që shërben për të fshehur anën e zezë dhe tragjike të ekzistencës. Tek “Lehtësia e padurueshme e qenies”, ai kërkon të vërtetojë rreziqet e kiçit për njeriun. Ai e urren kiçin, i pranishëm në vepra, në emër të formës moderne. Ai ngjall tek “Arti i romanit”, shkrimtarë të tjerë armiq të kiçit pa e ditur as vetë ata: “Krupa që Nietzche ka provuar për “fjalët e bukura” dhe “palltot e paradës” të Viktor Hygoit, qe neveria për kiçin para letrës.”

 

 

Qëllimet e kiçit

 

Nën dritën e argumenteve të Milan Kunderës në “Lehtësia e padurueshme e qenies”, po përpiqemi t`i përgjigjemi kësaj pyetjeje: Çfarë qëllimi kërkon të arrijë, kiçi ?

 

 

Tradhti e gënjeshtër

 

Njëri prej qëllimeve të kiçit, është tradhtia. Tek “Lehtësia e padurueshme e qenies”, Tomas doktori gjen gruan e tij Tereza kundër kiçit. Ajo çka shqetëson Terezën, është t`i qëndrojë besnike gjithçkaje, vendit të saj, familjes e mbi të gjitha të shoqit. Besnikëria i duket asaj virtyti thelbësor. Është besnikëria që “jep njësinë e saj në jetën tonë që, pa atë, do të thërrmohej në njëmijë shprehje ikanake”.

Në këtë roman, një personazh tjetër, Franci, i flet gjithmonë Sabinës për të ëmën, si shembull besnikërie. Por tradhtia është termi i vetëm për të cilin interesohet Sabina. I ati nuk e ka lejuar të dalë vetëm, të bëjë çfarë dëshiron, të pikturojë atë që do dhe atë që i pëlqen saora, nuk është për të ndenjur në të njëjtin rresht dhe ajo përpiqet të dalë gjithmonë prej tij. Ajo tradhton gjithçka; familjen e saj, atdheun, komunizmin dhe madje Francin. Ajo është mishërimi madje i kiçit kunderian.

Në këtë roman, Kundera jep një shembull për ta kuptuar mirë kiçin. Tereza dikton një ditë, disa tablo në atelienë e Sabinës, një cikël tablosh, të quajtura dekore nga Sabina. Ajo shpjegon se ka rrjedhur një ditë, nga piktura e kuqe mbi njërën prej tablove, njolla e të cilës i ka pëlqyer. Që asokohe e në vazhdim ajo ka nisur t`i pikturojë kështu. Kundera analizon këtë skenë nga pikpamja filozofike dhe nënvizon më në fund: “Përpara ishte gjithmonë një botë përsosshmërisht realiste dhe prapa të vërtetës, në plan të dytë,… shikoje diçka tjetër, diçka të mistershme apo abstrakte… Përpara, ishte zhgjëndrra e kuptueshme lehtë dhe prapa e vërteta e pakuptueshme”.  Tomasi shfaqej për Sabinën, si shfaqja e tablove të saj. Ajo i thotë: “Kur të shoh, kam përshtypjen se je duke u ngatërruar me temën e përjetshme të pëlhurave të mia. Takimi i dy botëve. Shfaqje e dyfishtë. Prapa siluetës së Tomasit të shthurur tejduket fytyra e pabesueshme e dashnorit romantik. Ose është e kundërta: përmjet siluetës së Tristanit që mendon vetëm për Terezën e tij, shquhet universi i bukur i tradhtuar i të shthururit”. Tomasi, më shumë se një njeri të shthurur, shenjon kiçin tek personazhi dhe, sapo ndërfut disa vlera në jetën e tij bashkëshortore, ai largohet nga universi kiç.

Kiçi i paraqitur kështu është pra, një bukuri e bërë gabimisht, një bukuri e paqëllimshme. Duke pasur një karakteristikë negative, bukuria fsheh në të të vërtetën. Mund të nxjerrim si përfundim se ai që dëshiron të mbërrijë të vërtetën, ka dëshirë në një farë mënyre për t`iu larguar kiçit. Kundera ngjall tek “Lehtësia e padurueshme e qenies”, një formulë të Kafkës: “Çfarë është, të jetosh në realitet”? Për të jetuar në të, nuk duhet fshehur asgjë. Franci, në këtë roman, nuk arrin ta bëjë, qëkur e ka njohur Sabinën, dashnoren e tij. Pranë gruas së tij Mari-Klodës, ai ka gjithmonë diçka për të fshehur. Franci e ndan jetën në dy fusha, private dhe publike. Kjo ndarje është për të, burimi i zhgjëndrrës. Simbas tij, për të mos jetuar në zhgjëndërr, duhet përpjekur për të fshirë “barrierën mes privates dhe publikes” dhe Franci ngjall fjalinë e Andre Bretonit që uronte për të jetuar “në një shtëpi prej xhami” një shtëpi, me mundësinë për të qenë e hapur për publikun. Për t`iu afruar sa më shumë të jetë e mundur së vërtetës, Franci i pohon më në fund gruas së tij që ka një dashnore, ka 9 muaj. Në të vërtetë, ai dëshiron të shpëtojë nga përfshirja e kiçit.

Nga pikëshikimi i Kunderës, meqë çdo qenie është e dënuar të jetojë me të tjerët dhe që ai ndjen gjithmonë sytë që e vëzhgojnë me kujdes, ai është i detyruar t`i maskojë disa të vërteta për t`u shpëtuar më të mundshmen, shikimeve. Arsyeton kështu: “Të kesh një publik, të mendosh për një publik, është të jetosh në zhgjëndërr.”

Kështu, kiçi ka kërkuar gjithmonë të na largojë nga e vërteta me anën e dëfrimeve ku zotëron ndjenja, filmave dhe romaneve që nuk kanë asnjë mesazh për të dhënë, dhe së fundmi me anën e dekoreve e këngëve. Qëllimi i vetëm është për t`u zbavitur për të mos e lejuar njeriun të merret me të vërtetën. Maska kiçiane tret të vërtetën për të mos na lënë madje të futemi tek njohja. Kundera e konsideron kiçin si një forcë, e tatuar nga e jashtmja, roli kryesor i të cilës është të shpërkëndë njeriun. Në “Les Testaments trahis”, ai nënvizon kështu: “Kjo forcë nuk synon vetëm artin, ajo synon para së gjithash vetë realitetin. Bën të kundërtën e asaj që bënin Flaubert, Janacek, Joyce, Hemingway. Mbi çastin e tanishëm, ajo hedh mbulojën e vendeve të përbashkëta, me qëllim që të zhdukë fytyrën e reales. Që ti të mos e dish kurrë atë që ke jetuar.”

Në fund arrijmë në përfundimin që bota e kiçit është gjithmonë e rrethuar nga zhgjëndrra. Ndjejmë se një pyetje do të mjaftonte që e vërteta të shfaqet përballë nesh, meqë, falë pyetjes, njeriu përpiqet të kuptojë çfarë ka ndodhur prapa tij. Por njeriu që ka gjithmonë dëshirën për të pyetur, konsiderohet si armiku më i madh i kiçit. Nga pikëpamja e Kunderës, “Në çastin kur kiçi rinjihet si zhgjëndërr, vihet në kontekstin e jo-kiçit”. Për këtë arsye çdo pyetje nxirret nga kjo botë, botë ku një objekt material apo një element abstrakt i pakuptimtë merr kuptim të dukshëm.

 

 

Harrimi

 

Duke u ngritur përballë çdo qenie, fenomeni kiç kërkon t`i japë kuptim asaj që është plotësisht e parëndësishme dhe, siç ka nënvizuar Marie-Éve, kiçi në kuptimin kunderian “është mjet për të fshehur peshën me një lehtësi të dukshme.” Në universin shkatërrues të kiçit, gjithçka del në dritë me vdekje e harrim, harrim të natyrës, të historisë dhe vetvetes. Harrimi përbën njërën prej temave kryesore të universit të kiçit. Sapo treguam që gjithçka që nuk është e bukur zhduket nga ky univers meqë aty nuk është e pranueshme dhe, përveç kësaj, rrezikon të jetë shkaku i provokimit të goditjes tek njerëzit. Kiçi na bën të harrojmë të vërtetat më të mëdha të jetës dhe Kundera e konsideron si një perde të paracaktuar për të fshehur të vërtetën dhe kompleksitetin e botës, një perde prej të cilës askush nuk zihet në befasi.

Kiçi është bërë universal, i përhershëm dhe familjar në të gjitha vendet. Ky virus përndjek çdo qenie njerëzore dhe askush nuk mundtë shpëtojë prej tij absolutisht ngaqë është bërë pjesë e ekzistencës sonë dhe se ky kundërshtar është shumë më i fortë se ne.

Mund të mendojmë në njëfarë mënyre që secili përgjatë jetës, bën gjithë të mundshmen për ta harruar ankthin e jetës dhe vdekjes dhe për t`u thelluar më shumë në botën e kiçit por të mos harrojmë që “para se të jemi të harruar, do të jemi kthyer në kiç. Kiçi është stacioni i këmbimit mes qenies dhe harrimit.”

 

 

Përfundim

 

Në çdo rast, vëmë re që, për shkak të modernizmit, kiçi ka përfshirë botën moderne dhe qenia njerëzore është dënuar me harrim. Njeriu i civilizuar i sotëm ndjek idetë e të tjerëve, pa dashur ta bazojë jetën e tij tek idetë e tij të pastra. Meqë ndihet gjithmonë në raport me tjetrin, ai harron vetveten dhe drejtohet kah tjetri. Përpiqet që të pëlqehet me çdo kusht dhe kështu “uni” i tij individual humb pafajësisht në “ne” publike. Jeta e tij drejtohet pra, nga e jashtmja dhe nga të tjerët.

Së fundmi një pyetje mund të tejshkojë mendjen e çdo lexuesi: a ka më në fund një zgjidhje për të shpëtuar nga efektet e kiçit? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është dhënë te bota romaneske e Milan Kunderës: nuk jemi mbinjeriu i Nietzches dhe nuk mund të shkarkohemi plotësisht nga mashtrimi i kiçit. Edhe nëse e urrejmë gjallërisht, ai është bërë pjesë e jetës sonë moderne.

 

Përktheu nga frëngjishtja: Anila Xhekaliu

 

Roghayeh Haghighatkah ka lindur në mars të 1979 në Tabriz, Iran. Doktoruar për gjuhë e letërsi franceze, studiuese letrare, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë franceze në Universitetin e Azerbaijan, Universitetin e Urmia dhe Universitetin e Payamé .Autore e një sërë shkrimesh letrare.

 

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *