3 poezi – Mentor Haliti

Mentor Haliti

 

(Nga koleksioni “Mërgim”, 2016)

 

NGA ÇFARË LËNDE PËRBËHEN ËNDRRAT

 

Bari, i cili dikur, ka qenë një trung halor e shtatlartë,

guraleci, i cili dikur, ka qenë një shkëmb bjeshke,

pikë bryme, e cila dikur, ka qenë valë e fisshme deti,

reflektimi i mugët, i cili dikur, ka qenë një diell i zjarrtë.

 

Pëlhurë e pluhurosur fluture është, çka mbetet nga krahët viganë të një dragoi…

Atë që dikur e quanim amshim, e tani e quajmë shpresë,

ai, i cili dikur, ishte një mendim i kristaltë, e tani është një dëshirë,

aty, ku gjithkund, s’je më, aty je një ëndërr.

 

 

HEGJEMONI

 

Ta ndalësh kohën të kalojë

T’u vësh akrepave një pykë

T’i vjelësh yjet me kanistër

Ta vësh diellin mbi një liqen

Një pasdite të freskët pranvere

T’u vësh pemëve petale

Flokëve të saj kurorë dafine

T’i shohësh flirtet e peshqve

Gjuhët e delfinëve dhe drerëve

Ta shkallmosh ariun në shtatore

Dhe kujtimet në një hi ere

Një çast nga shumë jetë përjetësish

Një afsh rinor që përtërihet pafund

 

 

TOTEM

 

Shembi kumbimet,

që i takojnë kalendarit,

thelloi rrënjët e peshimit,

ngrije një besim tëndin,

nëse s’është dashuri.

 

Vizatoje,

latoje,

skulpturoje,

daltoje,

gdhende,

vijëzoje,

rikrijoje,

që ta lidhësh hijen

për totemi.

 

 

 

 

 

 

Mentor Haliti u lind më 15 maj 1975, në Tërnoc të Bujanocit. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, përkatësisht në Bujanoc.  Pas vitit 1999, në Prishtinë, ndoqi studimet e dramaturgjisë, në Fakultetin e Artit Dramatik. Nga viti 1999, punoi si gazetar në të përditshmet ”Zëri” dhe “Lajm”. Mes viteve 2001 dhe 2006 si redaktor i kulturës në “Koha ditore” dhe “Express”. Krijimtaria:  “Të thella janë rrënjët”, (poezi, 1996), “Uluni, ju lutem”, (komedi, 2001), “Një udhëtim në Unmikistan” (bashkautor, 2002), “Caffe” (komedi, 2008), “Fabrika e kukullave” (komedi, 2009). Tani merret me teatër.

 

 

 


Your email address will not be published. Required fields are marked *