Emfazë – tregim nga Ervin Nezha

Emfazë

Ervin Nezha

 

Zilja e orës e zgjoi nga gjumi. Ai brofi nga shtrati sikur ta kishte pickuar një gjarpër. U rregullua si mundi, me ndjesinë shqetësuese se qe bërë vonë. Hapi portën dhe vuri re se jashtë po binte shi. Ishte një shi i imët. Kështu që u kthye sërish brenda, mori çadrën nga rafti dhe doli. Këmbët i hidhte me kujdes për t’u shmangur si të mundej nga pellgjet e ujit të krijuara në boshllëqet e pllakave te munguara të trotuarit. Era e fortë që frynte ia përplaste stërkalat në gjoks. Ai shtrëngoi më mirë çadrën dhe ndjeu një drithërimë të ftohti në trup. Me dorën e mëngjër nxori nga xhepi anësor i palltos paketën e cigareve, e afroi te goja, tërhoqi një cigare me buzë dhe deshi ta tymoste. I qe bërë ves ta pinte gjithmonë esëll një cigare në shtëpi e rrallëherë në udhë, kur i qëllonte të kishte ndonjë punë të ngutshme. Mirëpo era që frynte përballë ia shtypi telat e çadrës dhe ai e humbi ekuilibrin. Cilindri i cigares u njom nga piklat e ujit. Ai e kafshoi nga inati sfungjerin e filtrit dhe e pështyu cigaren në tokë tërë mllef. U kujtua se mund të qe bërë vonë dhe nxitoi hapin. Kur mbërriti te sheshi kryesor i qytetit, ngriti sytë nga sahati gjigant i kullës dhe mori frymë i lehtësuar. Kishte arritur pesë minuta më shpejt se orari i caktuar. Ajo nuk kishte ardhur akoma. U qetësua. Nuk i pëlqente asnjëherë që personi tjetër të vinte para tij në takim. Sidomos në ato raste, kur vendin dhe orarin e takimit qëllonte ta caktonte ai vetë. Sahati i vjetër lëshoi një tingull shurdhues të ngjashëm me një rënkim, dhe lajmëroi se ora shënonte 10-të fiks. Ajo akoma nuk kishte mbërritur. Situata e pritjes po e bënte nervoz. Nxori edhe një herë paketën nga xhepi dhe provoi sërish të ndizte një cigare. As këtë herë nuk ia doli dot, pasi duart i kishte të lagura. E pështyu sërish përtokë. duke sharë nëpër dhëmbë. Nën çadër shikonte me sytë e skuqur nga inati hapat e lehtë të udhëtarëve që vinin përballë. Ai u hapi udhën me ca lëvizje të ngathëta, pastaj e fiksoi trupin drejt. Ngriti përsëri sytë me nervozizëm nga kulla e sahatit. Kishte dhjetë minuta që qëndronte duke pritur aty dhe ajo ende nuk po dukej. Durimi i qe sosur. Duart i kishte të lagura, po ashtu edhe këmbët e ato i krijonin një gjendje të parehatshme. Mendoi njëherë se ndoshta ajo nuk e kishte marrë letrën që e ftonte në takim, por ky argument nuk e bindi pasi e dinte mirë sa korrekte ishte ndërmarrja postare në shpërndarjen e letrave. Mendoi se mund të ishte vonuar diku në ato situatat e paparashikuara që ndodhin shpesh, por as ky argument nuk e bindi, sepse e dinte sa e përpiktë ishte ajo me oraret. Mendonte… mendonte… mendonte nën çadër, deri kur së largu dalloi siluetën e një gruaje. Ajo, mbështjellë me një shall të kuq, qëndronte përtej rrugës, njëjtë si ai duke pritur. Nuk e shquante dot mirë, por në vetvete qe i bindur se ishte ajo. Piklat e shiut qenë rralluar dhe ai mendoi se më në fund, mund ta pinte një cigare para se t’i afrohej. Mori frymë thellë dhe u ndje i çliruar. Krodhi dorën në astarin e xhepit dhe bashkë me paketën e cigareve nxori që andej edhe një letër, të cilën për çudi, mendonte se e pati hedhur në kutinë e postës!


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *