Poezi nga Dritan Osmani

Foto ilustruese

Nga fryn jeta, nga fryn vdekja

Nga fryn jeta?

tek endemi rrugës së gjetheve të verdha në Hamburg,

tek Elba me ndjek,

si perëndim sysh dhe vale.

Nga fryn jeta?

 

Nga fryn vdekja?

tek mbërriti nata mbi flokë

Dhe tingujt e kitarës

Zhytën në kohë si gishtërinjtë mes dheut të fëmijërisë

Ku ende kemi lënë ëndrrën dhe buzëqeshjen,

Dhe kemi ikur tutje më të varfër

Nga fryn vdekja?

 

Nga fryn jeta?

Ku është dega e ullirit

të lutemi për paqen dhe të flemë

të qetë si pas luftës së madhe.

Ku është dega e ullirit

Të na ndihmoje

të shohim pa frikë pafundësinë e qiellit dhe të botës

Dhe ti lëmë lulëkuqet të rritën mbi trup

U harruam si fije bari mes rrugës

Nga fryn jeta?

 

në valët e Elbës u mbyt nata.

Nga fryn jeta?

 

Nga fryn vdekja?

U harruam si kaktus mes rërës

Na ulen qerpikët për të puthur token dhe natën

Që na njeh nga tingulli i hapave

Nga fryn vdekja vallë?

 

Nga fryn jeta?

Ku shkrihet loti me jetën

Dhe mbytët buzëqeshja mes ranishtës së rërës

Si këngë dhe kitarë,

Si muzikë dhe frymëmarrje

Si kujtim dhe e ardhme

Nga fryn jeta vallë?

 

Nga fryn vdekja?

tek nata pushton rrugët dhe mushkëritë

Dhe këmbët njohin gurët, rrugën dhe kohën

tek pengohet e nesërmja nga hija e hënës dhe lulëkuqet

Nga fryn vdekja?

 

Nga fryn jeta?

Shkallet e universitetit në Tiranë

fytyra e vajzës,

konjaku i harruar

si semafor mes kohës.

Elba si pyll jetë të flet

here heshtur here zhurmshëm.

Krishtlindjet në Hamburg,

ku dimri përzihet me “gluhëein”

dhe duket si buke i ngrohtë dhe i dehur.

Nga fryn jeta?

Ardhja e gocës nga puna,

si dhimbje dhe rritje e dashurisë.

Landunsbruecken si port i botës,

Perëndimi i diellit në Charles river sikur

zhytet mes Bostonit

për të kërkuar fijen e barit, fijen e jetës.

Avenju në Manhatan si lume jetë mes gjithësisë,

si muzike dhe si lutje,

si gumëzhimë e mijëra fluturave të dashuruara.

Nga fryn jeta?

Sevillje Spanje 2012

 

Perëndimi i diellit në Malaga

Ky është momenti i mrekullisë,

Ku dielli rrezohet në këmbët e tua si një mjellmë gjigantë inkandeshentë,

Rrëzohet mbi kupën e kafes si ëndërr e së nesërmes.

në shkretëtirën e ditës sikur dita të përbehej vetëm nga perëndimet e diellit që po e gërvishte sheh mëngjesin dhe njerëzit me duar në xhepa

në mëngjesin e ftohtë,

tek kërkojnë perëndimin e diellit

si një cope buke të ngrohtë

të fshehur mes zhurmës së hapave të fëmijëve.

 

Ku vemi kështu mes luleve të mbira midis hapave dhe frymëmarrjes

si për të thënë që ka aq shumë hapësire jetë midis dy hapave dhe dy frymëmarrjesh.

 

Ku vemi kështu si kitara memece, pa mundur të themi çfarë ndodh.

Ku vemi kështu me zogj në flokë si pemë që ecim mes rrugëve që shkojnë deri në Elbë a Charles River, e kthehen pas për të imituar tingujt e muzikës, që mbajnë zemrën dhe fëmijërinë ashtu siç i takuam herën e parë.

 

Ku vemi kështu,

E humbëm vetën mes hapave a e fituam.

Ditët e gjimnazit bëjnë roje, si për të provuar që e kaluara është një hap larg

herë si një bore e njëzet viteve më parë

herë si një shëtitje mes vreshtave

ku mushti i rrushit

të shtyn të ndihesh i plotë si muzikë e Dire Straits.

Malaga, Spanjë, 15 Dhjetor, 2013

 

E përkunda jetën në sitën e bukës

E përkunda jetën në sitën e bukës,

dhe ngeli në fund buzëqeshja jote, nëna ime.

Ngelën në fund duart e tua,

prej fillimit të botës.

Duart e tua që kanë prekur

çdo cep të gjithësisë

duke rendur në kohë

si degë ulliri

dhe si bekim prej uji dhe jetë

si rrugë dhe shtëpi së bashku,

që ende kërkojnë buzëqeshjen time

buzëqeshjen e çdo fëmije,

për të qenë bota e plotë.

Duke përshkruar fijen e barit,

dhe rrugën e qumështit.

Sevillje, Spanjë, 28 qershor, 2012

 

Prej Elbës

U rrezuan qytetet, pyjet, dhe shkretëtirat e botës dhe u thyen copë-copë.

për ti bërë homazh naivitetit tim të bardhë që vinte nga rruga e qumështit.

 

të mbledhësh copat dhe ndërton kujtime që nuk janë vetëm kujtime

Copa të kujtimeve, copa jetë që të presin të cepi i shkalles presim vetën e tyre.

 

U mbyllen dyert dhe ngelem

Në mes të Elbës me orën

mes shkurreve si iriqë.

U mbyllen dyert u shua qiri i fundit

Dhe ngelem në mes të detit

 

Nata vjen vetëm për ty,

lulenatë e universit

nata jote dhe e askujt tjetër që vjen me gjithë

ditët e fëmijërisë,

që është ti vetë,

dhe me shume së ty.

 

në këmbët e ditës u rrezua  nata,

dhe unë shoh anijet që lënë portin

për të gjetur ditët a netët që u mungojnë.

 

Me është varur në qafe Elba si bekim i zotit.

Lamë vetën në anë të Elbës dhe aty e gjejmë sa here kthehemi.

Sevillje Spanjë Gusht 2014

 

Vetmi fjale që mban peshën e gjakut dhe lulediejt e gjithësisë

Vetmi fjalë që mban peshën e gjakut dhe lulediejt e gjithësisë.

 

Humbëm mes vetmisë

dhe u kthyem në vjeshtë gri, mes shiut që rrëshqiste mes shtëmave si lulëkuqe

i humbur mes tokës së askujt.

 

Dhe nuk kemi ta mbështesim kokën.

Dhe kuptojmë që jemi vetëm si ëndërr e marrë që kërkon të behet lutje.

 

Ku shkojmë me flokët që u ngjajnë rrugëve dhe kujtimeve ku mbahet jeta dhe vdekja dhe gjithësia që i ngjan pëllëmbës së dorës.

 

Ku ikëm kështu vetëm si mall i tretur, për ku na çon dallga që përshkon boren dhe gjithçka ka ndodhur me pare.

 

Për ku kështu me kaq ngut në dasmën që ngriu si njeri bore

mes Krishtlindjeve në Hamburg.

 

Për ku kështu kaq larg, kaq vetëm si yjet

që vetëm e shohim por së takojnë dot njeri-tjetrin.

Për ku jemi nisur kështu valle?

Hamburg 15 Janar 2014

 

Nuk jam i sigurt per patat në forme V-je që i ikin qiellit

Nuk jam i sigurt për patat në forme V-je që i ikin qiellit, tokës e botës.

Dhe njerëzit shesin misra me fytyra të lodhura si ditët e pamundura.

 

Nuk jam i sigurt për ditën që linda e për ditët që erdhën me pas.

Dhe buzëqeshjet lashë në ballkonet me lule e kinematë si flutura nate.

 

Nuk jam i sigurt për shiun që rrjedh papritur e gjithë kohës mbi dritat e neonit.

Dhe shiu rrjedh ende prej flokëve të mia mbi rrobat e varura të lagjes ku u rita.

 

I pasigurt për diellin hënën e natën që po vjen,

por bulkthat vazhdojnë të këndojnë dhe unë nuk jam i sigurt.

 

Nuk jam i sigurt së varka që ndërtova me fije kashtë e me zemrën e hurmave

më mban.

Dhe jetoj me duart zgjatur drejt rrugëve me drita të zbehta të qytetit që me perkisnin dhe u përkisja.

Tarragona, Spanjë 10 Shkurt 2017

 

I pashe nënat tek thërrisnin fëmijët nga ballkonet me lule

Kushtuar Aishe Hazizit dhe Altin Hazizit.

I pashe nënat tek thërrisnin fëmijët nga ballkonet me lule

dhe dielli lëbyrte me nje dritë here pranvere here vdekje rrugët.

 

Dhe i shmangeshin vjeshtës, peshës së saj të shenjtë

tek gjethet mbuluan të gjitha botët.

U lodhën pikat e lotit në filxhanin e kafes

dhe na u mbush trupi me tingullin dhe heshtjen e drurit.

 

I pashe nënat tek thërrisnin fëmijët nga ballkonet me lule

dhe dielli lëbyrte me një dritë here pranvere here vdekje rrugët.

 

Dhe humba në peshën e vdekjes

dhe humba në peshën e jetës.

Dhe rrugët futa në këmishën blu

dhe koha nëpërkëmbej si fëmije i ajrit.

 

Jeta mori malin e Dajtit

e ndoqa me sy e shpirt

dhe u ndjeva i lumtur.

Tarragona, Spanjë 15 Qershor 2017

 

Uji dhe bari janë koha

Uji dhe bari janë koha

ku humbi gjithçka që ishim.

 

Perëndimi u mpak,

Dhe gjithë jeta u shndërrua në një psherëtime liqenesh

 

Vjeshta pushtoi gjithë botën,

dhe unë jam i vetëm

përballe asaj që kam qenë,

dhe nuk e di si ta tregoj

historinë e botës,

botës që ra mbi perëndimet e diellit

dhe krijoi dashurinë.

 

Nuk humbëm,

nuk fituam,

u rritëm mes zhurmës së bulkthave,

dhe ngelem të lirë e të dashuruar pas botës.

……

E pëlqyem vetminë

që të bën të fortë

për tu përballur me vjeshtën dhe heshtjen e rrugëve

kur vdekja sa kish kaluar.

 

Prekëm dhimbjen dhe bukurinë e Elbës

dhe u kthyem në lumë,

që rrjedh brenda vetës,

rrjedh afër buzëqeshjes,

afër pritjes së nënave,

që mbajnë dhimbjen e gjithë botës,

që fëmijët të luajnë kuka-fshehti.

 

Nuk humbëm,

nuk fituam,

u rritëm mes zhurmës së bulkthave,

dhe ngelëm të lirë e të dashuruar pas botës.

Tiranë 21 Korrik 2017

 

Jeta është një halë pishë e Semanit

Jeta është një halë pishe e Semanit,

që kur të shpon gishtin,

gjaku rrjedh mbi Landungsbruken në Hamburg.

Jeta është një lulëkuqe,

petalet e kuqë të mbajnë të mos biesh në

natën e zeze që të pret dy hapa larg.

 

Jeta është shishja e konjakut

që e fillove në shkallet e universitetit

dhe nuk e mbarove kurrë dhe

ka shijen e vjeshtës

që bie brenda teje gjithkohshëm.

 

Jeta është pika e shiut mbi rrudhat e ballit të tim eti,

dhe duart e nënës mbi faqen time.

 

Jeta është bora,

që kërcet në këmbët e tua si gështenjë,

teksa mbytësh në një statuje,

dhe lind në një kitare.

 

Jeta është pellemba e dorës,

ku rri herbariumi i ditëve

që u realizuan ose jo.

Ku rri herbariumi i natës,

që pret me durim

lodhjen e xixëllonjave të Fierit,

që flenë ende mbi qerpikët e tu.

 

Jeta është perëndimi i diellit,

tek vizaton hijen tënde pa buje.

Ti i hutuar si akacie anës gjanices,

braktis hijen

dhe nisësh me varkat e tulipanëve.

 

Jeta është lindja e diellit

shtrirë në rrugën e gjimnazit,

tek në luajmë me topin prej letre futboll,

në një fushe që trokiti në portat e parajsës

vetëm një herë.

25 Mars 2018 Tiranë


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *