Shtatë poezi – Antonia Pozzi

 

Antonia Pozzi

MJEGULL

 

Në u takofshim sonte në mbrëmje

në rrugën përmbytur me mjegull

do të thaheshin gjithë pellgjet

qark nesh do qe nxehur dheu:

dhe faqja ime mbi teshat e tua

shpëtim për jetën do të qe.

Por balli i vajzave, i lëmuar

vitet e mia më kujton: një pemë

vetëm kam si mik në këtë rrebesh në terr

dhe dritat e venitura të karrocave më bëjnë të dridhem,

të fërgëlloj e vdekjen të thërras.

 

BESIM

 

Kam besim në ty, shumë. Dhe them

se do të dija të pres zërin tënd

në heshtje, ndër shekuj të gjatë

terri.

Gjithë të fshehtat ti i di, ashtu si dielli:

mund të bësh të lulëzojnë

barbarozat dhe lulet e portokallit të egër

edhe thellë, në fund të shpellave

të gurta, të burgjeve

të lashta.

Kam besim në ty, shumë. E qetë jam

si arabi i mbështjellë me turbanin e bardhë,

që Zotin mban vesh ndërsa i pjek

elbin përqark shtëpisë

 

NË BREG TË JETËS

 

Nga udha e zakonshme kthehem,

në të njëjtën orë,

nën një qiell dimri pa dallëndyshe,

nën një qiell të praruar ende pa yje.

Mbi qepallat rëndon hija

si dorë e gjatë e tejdukshme

dhe hapat e shkujdesur vonohen,

e njohin mirë jetën

të shkretë

të heshtur.

 

Lëshohen dy kalamaj

nga një rrugicë e errët duke tundur krahët:

hija kërcen e coptuar nga fluturimi fërgëllues

yjesh të qartë që shfaqen një pas një.

Klithin këmbanat,

të gjitha klithin

zgjohen papritur,

për një mrekulli të mistershme klithin,

si të japin një kumt hyjnor:

shpirti hapet i gjithi

në një kërcim të gjallë.

Ndalojnë kalamajtë

me duart bashkuar

ndaloj dhe unë të mos shkel

yjet e zbehtë që janë rreshtuar

e në mes të rrugës braktisur.

 

Ndalen fëmijët e këndojnë

me të brishtët zëra

këngën e lartë të këmbanave: ndaloj dhe unë

mendueshëm sonte

si një tufë xunkthash

që dridhen

buzë ujit që rrjedh.

 

BORË

 

Shtëllunga bore

era prej çative shkëput

dhe një tjetër borë

bie më qetësisht

që një tjetër dorë

e mistershme

prej qiellit e rrëmben.

 

Shakullimë bore e ftohtë në shpirt

dhe ti nuk do të kuptosh,

ti të ëndërrosh do

shpirt i trishtë

i shkreti shpirt

sërish

deri sa një dorë

e mistershme

ëndrrën tënde ta rrëmbejë

si qiell i bardhë dimri

dhe me ca pak flokë bore

me erën

ta shpërndajë.

 

LAURESHA

 

Pas puthjes, nga hija e blirëve

në rrugë dolëm

për t’u kthyer dhe një herë:

i buzëqeshnim së nesërmes

si fëmijë të qetë.

Duart tona

të bashkuara

përbënin një guackë

të fortë

që mbante dhe mbronte

paqen.

Dhe unë isha si fushë e sheshtë

ti pothuajse një shenjt

që furtunën bën të heshtë

dhe ecën mbi liqen.

Unë isha qiell i verës

pa cak e paanë

që shndrin në agim

mbi të pafundmen grunajë.

Dhe zemër e shkretë

si zëdredhur laureshë

maste

kthjelltësinë.

FLUTURIME

 

Shi rrebesh zogjsh

mbi pemën e zhveshur:

që lehtaz fërgëllon

me gjethe të gjalla

veshur.

 

Beftas me një fëshfërimë

ikin trumbë,

shkurti i kaltër

me mbrëmjen

qëndron

mbi degët.

 

I brishtë trupi im,

zhveshur nga hijet

që prej tij

fluturojnë.

 

 

JETË E ËNDËRRUAR

 

Kush flet me mua nuk e di

që dhe një tjetër jetë kam jetuar,

si ajo që rrëfejnë

në një përrallë

a në ndonjë parabolë të Biblës.

Sepse ishe ti

dlirësia ime,

ti, mbi një dallgë të bardhë

trishtimi mbi fytyrë më vije

nëse buzë të ndyra më flisnin,

ti, me lotë të ëmbël

në thellësi të syve rridhje,

kur ata vështronin lart

e kështu më e bukur dukej jeta.

 

O vello,

ti, e rinisë sime,

veshja ime e kthjellët,

e vërtetë e mjegulluar,

o nyje

e ndritshme – e gjithë një jete

që ëndërr qe – ndoshta –

oh, që të kam ëndërruar,

e dashura jeta ime,

ditët që mbeten bekoj,

degën e tharë të ditëve që mbeten,

që më duhen

të qaj për ty.

 

Përktheu: Maks Rakipaj

 

  • Antonia Pozzi u lind më 13 shkurt 1912. Qe bijë e një avokati të njohur milanez. Kur ishte në liceun klasik Manzoni, u dashurua pas profesorit të saj Antonio Maria Cervi, dashuri që u ndërpre më 1933 pas ndërhyrjes së prindërve të saj. Mbaroi studimet për filologji në Universitetin Shtetëror të Milanos dhe u laurua me një tezë mbi shkrimtarin frëng Gustave Flaubert. Kishte interesa të gjera intelektuale, jo vetëm në letërsi, por edhe në histori, gjeografi, çiklizëm, alpinizëm… Kreu vetëvrasje në moshën 26 vjeçare.

RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *