READING

Fillesa e një romani – (Tregimi “Gjenerali i...

Fillesa e një romani – (Tregimi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – çështja e zhanrit)

Anxhela Lepuri & Antonio Çikollari

Fillesa e një romani

(Tregimi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” – çështja e zhanrit)

 

Do të humbnim shumë nëse do të vendosnim se historia e kulturës në tërësi është e parëndësishme, dhe se njerëzimi e ka kaluar kohën duke dëshmuar në lidhje me asgjë dhe për asgjë. Do të humbnim shumë nëse do ta hidhnim prapa shpinës dimensionin e së kaluarës, e aq më tepër, do të humbnim në themel, në atë që mund ta mësojmë për vetveten si qenie që mendojmë… Çdo debat është edhe i vjetër edhe i ri; edhe atëherë kur ne mendojmë se i përket kohës së shkuar, ai vazhdon të qarkullojë në ne.[1]

Judith Schlanger

 

Ka vepra ndaj të cilave nuk mund të rrimë indiferentë, nuk mund të heshtim për fillesën e tyre, por as për procesin nëpër të cilin ato kanë kaluar për të arritur gjendjen përfundimtare (nëse mund të ketë një gjendje të tillë – përderisa autori është ende gjallë dhe ka gjithë të drejtat për ta riparë e përpunuar tekstin e vet!). Këto vepra që me kalimin e viteve kanë pësuar ndryshime, duke kaluar nga njëri zhanër në tjetrin, mbajnë mbi vete gjurmën e kohës në të cilën janë shkruar, duke u bërë kështu një dëshmi e përbashkët kulturore. Ato janë dëshmia e parë, vegimi i parë i autorit, sythi prej të cilit do të burojë e gjithë ajo çka do të vijë më pas. Një ndër nga këto vepra është Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i konsideruar si një nga veprat më të mirat të shkrimtarit Ismail Kadare. Është i njohur fakti që Kadare për këtë vepër ka punuar në mënyrë të vazhdueshme, për të mos e konsideruar asnjëherë një proces të mbyllur, me arsyen se ky tekst nuk e kënaqte asnjëherë plotësisht. Ndoshta do t’ju duket e çuditshme, por kam përherë dëshirën t’i rikthehem romanit tim të parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ndonëse e kam ripunuar disa herë tashmë. Ndoshta nuk i kam shfrytëzuar ende të gjitha mundësitë.[2] Kadare do ta konsiderojë marrëdhënien me këtë libër si marrëdhënien e dy njerëzve që sa më shumë duhen, aq më fort e torturojnë njëri-tjetrin. Nga pozita e autorit, teksti mund të ligjërojë si i pambaruar, që ndodhet në gjendje dinamike, në atë kohë kur pikëshikimi i jashtëm (i lexuesit, i autorit, i redaktorit), do të gjakojë t’i mveshë tekstit përfundimin. Mbi bazën e kësaj lindin raste të shumta konfliktesh ndërmjet autorit dhe lexuesit. Lev Tolstoi refuzonte t’i shikonte fletët e korrektuara autoriale si tekste të përfunduara, duke parë në to veçse etapa të një procesi të pandërprerë.[3] Teoricienë të ndryshëm të romanit kanë pohuar se, romani është i vetmi lloj që nuk ka rregulla, dhe kjo shpjegohet me faktin se ai është në transformim të përhershëm dhe ende i papërfunduar. Kjo mungesë rregullash nuk shihet si një dobësi e teorive, por si një përbërës i romanit. Kështu që, kthimi i vazhdueshëm i Kadaresë ndaj këtij romani, me gjasë, do të justifikohet, nga vetë rregullat që e bëjnë të funksionojë një roman si i tillë. Sepse fundja romani nuk njeh as kufizime, as pengesa: ai është i hapur ndaj të gjitha mundësive, i pakufizuar dhe në zgjerim të vazhdueshëm; e nëse do të donim ta vazhdonim ironinë e të ndiqnim vijën logjike të Chartier-it do të pohonim se, romani me aftësinë e vet krijuese, humorin e shqetësuar dhe gjallërinë e tij, i ngjan vetë shoqërisë moderne, ku edhe mori zhvillimin vendimtar.[4] Eric Donald Hirsch, Jr.[5], në esenë e tij Në mbrojtje të autorit shënon se, çdokush që ka shkruar dhe shkruan e di se opinioni (reflektimi) i veprës së tij ndryshon dhe përgjigjja (në kuptimin e qasjes) ndaj tekstit ndryshon lexim pas leximi, pra pas çdo rileximi. Në mënyrë të vazhdueshme autorët nuk pajtohen me mendimet dhe reflektimet e tyre të mëparshme të shprehura në tekste, dhe ndaj zgjedhin t’i rishqyrtojnë e rishkruajnë tekstet. Pra, rishqyrtimi dhe rishkrimi i teksteve është një proces i cili lidhet me vetë aktin shkrimor, që në vetvete është i pacak. Ky lloj procesi që shënon një mosshkëputje të autorit prej veprës – përbën  për filologët, kritikët gjenetikë apo edhe gjuhëtarët, një pikë referimi për të njohur sadopak laboratorin krijues të autorit, arsyet që e kanë shtyrë atë të ndërmarrë rishqyrtime dhe rishkrime të tilla; njëkohësisht bëhet dëshmues i ndryshimit që mund tw ketë pësuar gjuha letrare (pas standardizimit) apo përzgjedhjes ligjërimore në kohë të ndryshme etj.

Përveçse romancier e poet, Ismail Kadare lëvroi me sukses edhe llojin e tregimit dhe novelës. I prirë spontanisht si një shkrimtar i ri për të shkruar ndryshe, që në vitet ‘60, thyerja që ai synon, bashkon ndjeshmërinë ndaj formave dhe tematikave potenciale, të pashfrytëzuara më parë. Për Kadarenë, tregimi është hapësira ku ngjizet kureshtja parësore e një shkrimtari. Brenda saj shestohen pikëpyetjet e shkrimit, vramendjet e kumtit, mohimet dhe pohimet e formës, matet dhimbshëm liria e artit dhe e shkrimtarit. Aty gjenden pikëprerjet e të gjitha historive, të një vendi, të një populli, të një letërsie, të një shkrimi. Aty është gjurma e procesit që modifikon pandërprerë leximin, botën, nën ritmin e një tregimi. Është gjurma e një procesi marramendës, ku çdo shkronje, çdo fjale, fjalie të thjeshtë e të ndërvarur, kumti emotiv a neutral, filozofik, metafizik apo thjeshtë të përditshëm, i duhet të gjejë vendin që i përket në tekstin letrar.[6] Siç edhe lartpërmendet, në këtë punim do t’i kushtojmë rëndësi tregimit Gjenerali i ushtrisë së vdekur – që shënon pikënisjen e veprës me të njëjtin titull. Për herë të parë Gjenerali i ushtrisë së vdekur botohet në revistën e përmuajshme letrare-artistike-shoqërore-politike, Nëndori (e cila pas standardizimit të gjuhës quhet Nëntori), që ishte Organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Tiranë, nr.5, maj 1962, bashkë me dy vizatime në brendi të cilat ilustrojnë tekstin. Një muaj më vonë botohet, më 30 qershor 1962, për t’u ribotuar më tutje (por pa historinë e shtëpisë publike) në revistën Zëri i Rinisë, ku përsëri shoqërohet me vizatime. Sipas studiuesit Ag Apolloni, tregimi i Kadaresë është ekzemplar i zhanrit, i cili në letërsinë shqipe kohën e artë e jetoi në vitet ’30 – ’40 të shekullit të njëzet, me tregimet sociale (Migjeni), politike (Konica), etnografike (Koliqi) dhe folklorike (Kuteli), të gjitha herë-herë të përshkuara nga një fill psikologjik. Gjenerali vjen si një sintezë e këtyre modeleve paraprake. Kadare  përfshin aktualitetin social e politik, si dhe realitetin etnografik e folklorik, duke e mbitheksuar komponentin psikologjik.[7] Tregimi dhe dy versionet e romanit botohen para standardizimit të gjuhës shqipe, prandaj te Gjenerali shihet jo vetëm konsolidimi gjuhësor e artistik i Kadaresë, por edhe evoluimi i gjuhës shqipe në përgjithësi.[8] Nëse kalimi nga njëri zhanër në tjetrin, nga njëri motërzim në tjetrin përbën një dëshmi letrare, atëherë kjo vepër në tërësinë e saj përbën një dëshmi kulturore sepse është dëshmuese edhe shkrimit shqip të asaj kohe. Si shembull sjellim fragmentin e mëposhtëm, i cili dëshmon për disa trajta të shqipes para standardizimit: Sonde ish e shtunë. Ai duhej të çlodhej, të dëfrente. Por ç’të bënte i vetëm me këtë prift të mvrojtur e të heshtur si një korb, përballë? Do t’i pëlqente përshëmbull sondedanconte por nuk mundte.[9]

Ky tregim me një bosht qendror ideor, një personazh kryesor dhe të tjerë dytësorë, me një kompozicion dramatik në fillim, mes dhe fund, dëshmon parimet bazë të këtij zhanri që janë: efekti, skicimi, selektimi dhe ekonomizimi. Tregimi efektin e arrin me temën e madhe, formën e vogël, kompozicionin e ngjeshur dhe me klimaksin dramatik. Gjithashtu, tregimi duhet të përfillë edhe këto parime: të krijojë  botën në miniaturë, të japë ndjenjën e tonalitetit, ta  lidhë ngjarjen fort me karakterin, të përqendrohet në një ose dy karaktere, të ketë një ide dominuese, ngjarjet të krijojnë emocione, duke shmangur digresionet dhe përsëritjet. Nëse si tharm i romanit  Gjenerali i ushtrisë së vdekur shërbeu tregimi në fjalë, lexuesi interesohet të dijë se cili ka qenë elementi fillestar që ka ngacmuar dhe tërhequr vëmendjen e autorit për shkrimin e vetë tregimit. Duke e njohur këtë dëshirë të hershme të lexuesit, Kadare ka folur përherë për fillesën e veprave të tij. Për veprën në fjalë ka thënë se: Gjenerali e ka pasur të ndërlikuar zanafillën e vet. Bërthama e parë e tij ishte tregimi për hapjen e shtëpisë publike të ushtarëve në Gjirokastër, një nga kujtimet më trazuese të fëminisë sime. Nuk e teproj aspak po të them se ajo e pasuroi në atë kohë fantazinë time më tepër, ndoshta, se biblioteka dhe kinemaja e qytetit. Madje, ende sot mendoj me njëfarë frike se pa të, ndoshta, edhe romani im i parë, ai që më solli aq fat, nuk do të lindte. (Petros Anteosi në Moskë i pat thënë: ti ke rënë në flori, nuk duhet ta harxhosh lehtë këtë gjë).…Episodi i shtëpisë publike u zhvendos disa herë sa nga njëri roman te tjetri dhe, meqenëse, me sa dukej, fuqia tërheqëse e të dyve ishte e barabartë, ai mbeti i askujt.[10] Por kjo histori nuk qe e vetmja: ju tregova për eshtrat e një prostitute, që përbënin tharmin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, por tani që po e rimendoj më duket se jam përafërsisht i saktë, por kurrsesi plotësisht. Eshtrat e një prostitute kanë qenë vërtet në themel të këtij libri, por ato s’ishin veçse një fazë e mëvonshme, një sendërtim i mëtejshëm i një turbullire të vjetër, kurse zanafilla e vërtetë duhet të ketë qenë më e thellë. Një rrasht kali, ndoshta një rrasht kurrizor kali i zbardhur, me një mbeturinë palce përbri djerrinës së fushës së aeroportit, që e kisha parë gjatë një pikniku në fëmini dhe që më mbeti në mendje për një kohë të gjatë.[11]

Vihet  re se romani i vitit 1963 dhe  motërzimet e tij të mëvonshme, ushqehen herëpashershëm nga tregimi, që përbën fillesën e veprës; ai ka të njëjtën teknikë përshkrimi e rrëfimi, monologët e përsiatjet ndjekin të njëjtën linjë etj. Peizazhi, gjendja shpirtërore e gjeneralit, mendimi që ky i fundit ka për tokën shqiptare dhe njerëzit e saj do të mbeten ato të tregimit. Nga tregimi në roman është ruajtur teknika e shkrirjes së zërit të rrëfimtarit me zërin e personazhit për të zbuluar gjendjen e rënduar që ai përjeton. Struktura dhe arkitektura e romanit kanë pranuar një larmi të pakufizuar elementesh strukturorë, këmbimin e lirë të planeve, kapërcimet dhe kalimet e vazhdueshme, pasurimin e teknikave rrëfimtare.[12] Todorov në esenë e tij Origjina e zhanreve[13] duke folur për zhanret e ndërmjetme dhe për ndryshimin që ka pësuar nocioni i zhanrit me kalimin e kohës, sqaron se, zhanri si i tillë nuk është zhdukur, thjesht zhanret e së kaluarës janë zëvendësuar nga të tjera. Duke dashur t’i japë përgjigje pyetjes Nga vijnë zhanret?, ai thotë se ato e kanë prejardhjen nga zhanret e tjera. Një zhanër i ri gjithmonë është një transformim i një zhanri të mëparshëm, ose edhe i disa zhanreve: me anë të inversionit, me anë të zhvendosjeve, me anë të kombinimeve.[14] Fakti se vepra e “tradhton” zhanrin e vet, nuk do të thotë se zhanri nuk ekziston. Në rastin e Gjenerali i ushtrisë së vdekur transformimi i tregimit në roman është realizuar duke përfshirë brenda tregimin, pa i shkaktuar shterpësi romanit. Sipas studiueses Isufaj[15], kalimi nga tregimi në roman ishte një domosdoshmëri artistike. Ndërrimi i zhanreve do të sillte një tekst të gjallë e të larmishëm.

 

Tregimi si zhanër letrar

 

Në shkencën e letërsisë ekzistojnë përkufizime të ndryshme të tregimit si zhanër letrar. Por pa marrë parasysh disa ndryshime, të gjithë teoricienët bashkohen në një pikë: tregimi është një prej formave të vogla të narracionit ose të letërsisë epike, në të cilën jepet përshkrimi i njëfarë ngjarjeje nga jeta e një heroi. Pra, deri në këtë pikë jemi plotësisht dakord me tregimin e Kadaresë, pasi është krijuar më së miri figura e gjeneralit, dhe gjithashtu përshkruhet një ngjarje prej jetës së tij – fragmenti i misionit të tij në mbledhjen e eshtrave të ushtrisë naziste. Por studiuesit amerikanë propozojnë një tjetër kriter klasifikimi – në bazë të karaktereve. Tregimi stepet në shumën e dyzetmijë karaktereve. Mbi këtë kufi, kalon në novelë apo në një zhanër të ndërmjetëm të cilin e quajnë noveletë.

 

Tregimi si ndërtim homogjenik

Sipas Xhek Londonit, “tregimi është uniteti i ndërtimit, situatës dhe veprimit.” Koha e shkurtër e ngjarjeve të paraqitura, sasia e pakët e personazheve veprues – janë specifikat e kësaj forme të vogël letrare. Ndërkohë Kadare e shkel hapur, duke ndërfutur një numër të konsiderueshëm personazhesh – më shumë se pesë të tillë (ndërkohë që tregimi mund të përballojë dy!). Gjithashtu, vërehet se në tregim kemi disa rrafshe rrëfimi njëherësh. Paralelisht me gjeneralin tonë shfaqet një tjetër gjeneral, hapen fusha veprimi në disnivel me linjën e krijuar prej fillimit – si rrëfime historish ku heroi kryesor nuk është prezent – por një i tretë i rrëfen duke e vendosur fatin e tregimit në fill dhe duke e hedhur atë drejt një tjetër zhanri, novelës. Për të pasur një tregim të mirëfilltë, duhen kopsitur të gjitha shtigjet, ndërkohë që Kadare dëshmon të ketë  “mangësi”  në këtë pikë, sepse mjaft skuta historish qëndrojnë të hapura.

Uniteti si komponent bazë

Uniteti i veprimit është i kushtëzuar me vëllimin e veprës. Si rregull, në tregim përshkruhet një ngjarje, e më të rrallë, dy deri në tre, të cilat bëhen kryesore: ato ngjizin syzhetin (subjektin). Por edhe në rastin kur në një tregim ngërthehet një periudhë relativisht e gjerë nga jeta e personazheve, ai gjithsesi i kushtohet shtjellimit të një veprimi dhe konfliktit. Dhe Gjenerali e shmang plotësisht pohimin e mësipërm. Linjat paralele nuk plotësojnë kriteret për të qenë diçka, më tepër se ngjarje kryesore. Zhvillohen në rrafshin dytësor si ngjarje pa interes parësor për shkak të mungesës së konfliktit. Të tilla janë historia e bordellos, rrëfimi i plakës Nicë, apo edhe epilogu prej narratorit tashmë homodiegjetik. Uniteti i veprimit është i lidhur drejtpërdrejt me situatën e përshkruar në tregim (ose në tërësinë e ngjarjeve). Në tregim shtjellohet rëndom një fill fabular, me një ndryshim/këmbim kryesor të situatës. Prandaj veprimi në tregim ndodh në një sasi të kufizuar vendesh, e më së shpeshti – vetëm në një vend.

 

Ndërtimi mbi bazën e një heroi

 

Në hapësirën e tregimit ekziston një hero kryesor, e shumta dy. Kjo nuk do të thotë që, personazhet dytësor të mos jenë më shumë. Por të gjithë ata kanë role funksionale – detyra e tyre është të krijojnë një sfond për një zbërthim sa më të qartë të karakterit të heroit kryesor. Shpesh ndeshen tregime, të shkruara në vetë të parë. Kjo të jep mundësinë jo vetëm të raportosh mbi ngjarjet që ndodhin, por edhe të shprehësh raportin e drejtpërdrejt të personazhit ndaj asaj që paraqitet. Ndërkohë që tek Gjenerali kemi një kryqëzim të vetave të rrëfimit. Nis me vetën e tretë, dhe hera-herës kalon në vetën e parë, ku gjenerali jep përshtypjet mbi situatat e krijuara në formën e monologut. Kjo ndodh për faktin se autori përpiqet të distancohet dhe të krijojë një situatë të fshehjes së faktit. Pra, duke i vënë fjalët në gojën e personazhit, ai tashmë nuk është më i gjithëdijshëm. E kështu nisin hapësirat ndërmjet rrëfimit dhe boshllëqet në linjat paralele dytësore, të cilat nuk arrijnë të gjejnë dot fundin.

 

Tregimi i tipit novelistik

 

Ky lloj zbërthen karakterin në ngjizje të heroit. Në bazën e rrëfimit kemi një ngjarje, që ka ndryshuar botëkuptimin e personazhit, ose disa rrethana nga jeta e heroit, që e kanë sjellë atë te ky ndryshim. Rrëfimi i tipit novelistik dallohet për nga mprehtësia e konfliktit dhe zgjidhjes së shpejtë të tij, madje, shpesh të papritur. Tregime tipike të këtij lloji mund të jenë Joniç i Çehov apo Bilblilat e Plepishtit të Koliqit. Gjenerali i Kadaresë e plotëson kryekëput këtë klasifikim. Heroit ngjarja në fjalë i ka ndryshuar botëkuptimin – mbledhja e eshtrave të ushtrisë fashiste. Fundi i papritur i Gjeneralit është takimi me plakën Nicë dhe hedhja përpara këmbëve e eshtrave të një oficeri të lartë. Pra, me këtë tejzgjatje, e ka klasifikuar krijimin në ujëra të ndërmjetme zhanrore.

 

Përse noveletë?

Tema

 

Ndonëse tregimi ka temën e luftës, ai është i mbushur me mjaft njësi të tjera tematike siç janë dhunimi, vrasja, grindja, dasma. Kjo bën të mundur zhdukjen e fjalëpakësisë dhe zgjerimit të përshkrimeve përtej kufijve të tregimit si zhanër. Dhe në mungesë të përshkrimeve apo shtjellimit të mëtejshëm të motivit, krijohen hendeqe të cilët e bëjnë të mangët si zhanër. Përzgjedhja e një tematike kaq të gjerë, me kaq motive të përfshira në të, e bën të pamundur përcjelljen e plotë të një imazhi. Vërtet Gjenerali bëri bujë si tregim, por kishte mangësi në linjat e rrëfimit. Duket sikur në një mënyrë a në një tjetër huazimi mitik është i pashmangshëm nga letërsia: Goliati dhe Davidi. Historia e një gjenerali të huaj që vjen në kërkim të ushtrisë së tij të vdekur, peripecitë e tij, kanë nevojë për shterim të hapësirave dhe të pyetjeve, kanë nevojë për ezaurim dhe për hermeticitet të ndikimit të shkrimit tek lexuesi.

 

Struktura

 

Krijimi i Kadaresë ndahet në nëntë kapituj, që për një tregim të mirëfilltë janë shumë. Njëzetegjashtë faqe tregim[16] dhe degëzimi i toposeve bën që strukturalisht të luhatet mes tregimit dhe novelës. Metaforikisht nëse do të paralelizohej me rrathët e Ferrit, do të përzihej prej rrethit të tregimit, pasi “mëkatet strukturore” nuk e klasifikojnë aspak në këtë segment.

 

Personazhet

 

Gjenerali nuk është i vetmi personazh i mirëkrijuar, por është i vetmi i cili pushton gjithë hapësirën e tregimit.[17] Me të qëndron edhe prifti. Siç e përmendëm edhe më sipër, tregimi mund të mbajë vetëm një personazh, me raste edhe dy. Ndërsa këtu do të gjejmë dhe plakën Nicë si arketip, një tjetër gjeneral që do të dëshmojë mangësitë apo tepritë e karakterit të gjeneralit parësor, një popull i cili nxjerr si përfaqësues individë të cilët flasin dhe rrëfejnë dhe i vijnë në ndihmë plotësimit të puzzle-it rrëfimor, duke krijuar kështu një tablo të plotë. Në një tregim mirëfilli, nëse këta personazhe dytësor do të zhdukeshin, tabloja ende do të kishte kuptim. Ndërsa tek Gjenerali luajnë një rol parësor në dytësinë e tyre duke e bërë të mangët jo vetëm si rrëfim, por edhe si tregim. Kështu, ata nuk do të mund të zëvendësoheshin me narrator apo me diç tjetër.

 

Zhanri

Konturet e zhanrit të tregimit i krijojnë: forma e shkurtër në prozë, një bosht ideor, një personazh qendror dhe një kompozicion dramatik me fillim, zhvillim dhe fund. Por Gjenerali duket sikur i ka të tria gjysmake, pasi nuk është aspak prozë e shkurtër (përmendëm përsëri ndarjen në nëntë kapituj, ose numrin e faqeve si argument formal – plotë 46 faqe), boshti ideor mund të analogjizohet mjaft mirë me një pemë – pema ka një trung, por gjithashtu ka edhe degë. Nëse degët nuk krasiten mjaftueshëm, atëherë rëndësia e tyre baraspeshohet me atë të trungut, duke marrë po të njëjtën rëndësi dhe sasi vëmendjeje, madje hera-herës duke zhvendosur dhe vëmendjen. Pra ndryshimi mes trungut fillestar dhe degëzimit shndërruar në trung është vetëm një: rrënjët – që ne tashmë i njohim si pikënisje. Tregimi pra, nuk njeh si të parë vetëm narratorin e gjithëdijshëm, i cili rrëfen gjatë gjithë kohës në vetën e tretë; por edhe një narrator të dytë heterodiegjetik, i cili e shfaq veten në epilog dhe që rrëfen në vetën e parë. Kjo metodë deri më tash është përdorur vetëm në romane e rrallëherë në novela. Tregimi efektin e arrin me temën e madhe, formën e vogël, kompozicionin e ngjeshur dhe me klimaksin dramatik. Gjithashtu ai krijon një botë imagjinare në miniaturë, jep ndjenjën e tonalitetit, përqendrohet në një ose dy karaktere, ka një ide dominuese, shmang digresionet, etj. Gjenerali siç e shohim çalon pak tek të gjitha. Tema është mjaft e madhe dhe e plotëson parësisht si kusht, por i humbet pikët në trajtesën e saj. Kompozicioni nuk është aspak i ngjeshur, disa herë harron të japë detajet duke kaluar nga një topos në tjetrin, nga një ngjarje në tjetrën. Dhe lexuesi nuk arrin ta shijojë si duhet imazhin e përftuar. Asociacionet janë të turbullta dhe aspak të plota, thuajse si nëpër mjegull. Në plan të parë shfaqet gjenerali dhe prifti dhe duket sikur do të udhëtojmë në të gjithë tregimin vetëm me këta të dy. Por rrugës shfaqen një sërë personazhesh të rinj, të cilët hera-herës tërheqin vëmendjen dhe vendosin në hije rëndësinë e tyre (të tillë janë prostituta, plaka Nicë, e deri edhe narratori në kapitullin e fundit i cili luan rolin e epilogut). Shpesh gjenerali udhëton në kohë, ka kthime pas, lufton me subkoshiencën dhe bën atë të cilën një tregim me kompozicion të ngjeshur nuk mundet ta mbajë mbi supe: përsëritjen dhe flashback-un.

 

 

Bibliografi

  • Apolloni, Ag. Gjeneza e “Gjeneralit”,Gjenerali i ushtrisë së vdekur, OM, Prishtinë, 2012.
  • Apolloni, Ag. Paradigma e Proteut, OM, Prishtinë, 2012
  • Asllani, Persida. Shehri, Dhurata, Hartimi i një antologjie të tregimit shqiptar në turqisht.
  • Chartier, Pierre. Hyrje në teoritë e mëdha të romanit, përktheu Gj. Kola, Onufri, Tiranë, 2015.
  • Diez R., Miguel, El cuento literario o la concentrada intesidad narrative, (http://ciudadseva.com/texto/el-cuento-literario-o-la-concentrada-intensidad-narrativa/)
  • Faye, Éric, Tri biseda me Kadarenë, Onufri, Tiranë, 2007.
  • Isufaj, Viola, Gjeneza dhe përkryerja e një vepre, Jeta e Re, nr.2, Prishtinë, 2011.
  • Jeta e Re, Nr.2, Prishtinë, 2011.
  • Kadare, Ismail, Dialog me Alain Bosquet, Onufri, Tiranë, 2002.
  • Kadare, Ismail, Vepra 18, Ftesë në studio, Onufri, Tiranë, 2009.
  • Llotman, Jurij, Kultura dhe bumi, përktheu A. Tufa, Pika pa sipërfaqe, Tiranë.
  • Todorov, Tzvetan, Origjina e zhanreve, në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008.

 

 

 

 

 

[1] Cituar sipas Gerard Genette në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 13.

[2] Faye, Éric, Tri biseda me Kadarenë, Onufri, Tiranë, 2007, f.45.

[3] Llotman, Jurij, Kultura dhe bumi, përktheu A. Tufa, Pika pa sipërfaqe, Tiranë, f. 161-162.

[4] Chartier, Pierre, Hyrje në teoritë e mëdha të romanit, përktheu Gj. Kola, Onufri, Tiranë, 2015, f.17.

[5] Hirsch, E. D. Jr, Në mbrojtje të autorit, në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 283.

[6] Asllani, Persida. Shehri, Dhurata, Hartimi i një antologjie të tregimit shqiptar në turqisht, f. 174-175.

[7] Apolloni, Ag, Gjeneza e “Gjeneralit”,Gjenerali i ushtrisë së vdekur, OM, Prishtinë, 2012, f.86-87.

[8] Apolloni, Ag, Gjeneza e “Gjeneralit”,Gjenerali i ushtrisë së vdekur, OM, Prishtinë, 2012, f.91.

[9] Kadare, Ismail, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Nëndori, 5 maj 1962.

[10] Kadare, Ismail, Vepra 18, Ftesë në studio, Onufri, Tiranë, 2009, f.66.

[11] Kadare, Ismail, Dialog me Alain Bosquet, Onufri, Tiranë, 2002, f.31.

[12] Isufaj, Viola,  Gjeneza dhe përkryerja e një vepre, Jeta e Re, nr.2, Prishtinë, 2011, f.453, 465.

[13] Todorov, Cvetan, Origjina e zhanreve, në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 316.

[14] Todorov, Cvetan, Origjina e zhanreve, në Teori dhe kritikë moderne, zgjedhur dhe përkthyer nga Nysret Krasniqi, Rozafa, Prishtinë, 2008, f. 318-319.

[15] Isufaj, Viola, Gjeneza dhe përkryerja e një vepre, Jeta e Re, nr.2, Prishtinë, 2011, f.464.

[16] Bazohemi në tregimin e botuar tek revista letrare Nëndori, 1962.

[17] Vazhdojmë ta quajmë tregim, për aq kohë sa ende klasifikohet si i tillë.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *