Lavdia – Manuel Vicent

 

MANUEL VICENT

LAVDIA

Nëse ke mbiemrin thjesht Garsia, ke pasaportë kolumbiane, udhëton në klasën e parë me tetë valixhe, pa shtuar më mustaqet e tua, dhe zbret në Los Anxheles, je i dënuar të kalosh në një kthinë të aeroportit, ku një polic të shtrin barkas, dhe, kur askush nuk e di se ti ke shkruar “Njëqind vjet vetmi”, do të ngelesh i kënaqur, nëse nuk të kontrollojnë zorrën e trashë deri në imtësi. Nuk do të ishte kjo e vetmja fyerje që do të pësonte atë ditë Gabriel Garsia Markes. Me t’u kthyernga Los Anxhelesi, ku kishte shkuar për të mjekuar kancerin dhe ku e kishin marrë për narkotrafikant, pikërisht atë natë, gjatë darkimit në lokalin e Huan Mari Arzakut në lagjen Polanko, në qytetin e Meksikos, kuzhinieri dhe shkrimtari qenë ulur në një tavolinë dashamire me disa miq. Garsia Markesit sikur nuk i erdhi mirë kur pa se askush nuk e begenisi e nuk e përshëndeti fare, përkundrazi, të gjitha nderimet dhe përqafimet ishin për kuzhinierin, kur mu përpara hundës së këtij klientët braktisnin restorantin. «Rrofsh, Huan Mari, na ke kënaqur me këta koçanë të sheqerosur», i tha një nga shokët e tavolinës. «Faleminderit për këtë tavën me barbunjë, kaq të shijshme. Të puthim duart, mjeshtër Arzak», gati klithi një çift rrondokopësh, plot përulësi. Kohë të lumtura ato kur një shkrimtar publikonte një roman me të cilin korrte sukses të madh dhe mund të jetonte i qetë, sepse askush nuk ia njihte fytyrën. Sot figura publike e shkrimtarit është një mjet i domosdoshëm në promovimin e punës së tij; në fakt, është kthyer në një produkt më shumë i zinxhirit botues. Fytyra e tij e lidhur me famën ka hyrë në botën e cirkut deri në atë pikë sa disa autorë të famshëm, kudo qofshin, urdhërojnë paraprakisht një majmun që të t’i bjerë tamburit. Gjithë ceremonitë janë të përmortshme, thotë Gomes de la Serna. Të gjithë udhëtojmë drejt anonimatit, vetëm se mediokrit arrijnë pak më shpejt, afirmon Borhes. Në të ardhmen, gjithë qytetarët e botës do të jenë të famshëm brenda një çerek ore, ka thënë Warhol ose ndryshe, brenda një çerek ore i tërë njerëzimi do të arrijë lavdinë, them unë, veçse në betejën krijuese midis stomakut dhe trillimit të fabulave, një kuzhinier gjithnjë do të dalë fitues ndaj një shkrimtari. Dhe ja, unë pashë me sy se si “Njëqind vjet vetmi” u mund fare lehtë nga një tavë me peshk.

Në shqip: Bajram Karabolli


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *