READING

Lundrimi im në letërsinë hispanike

Lundrimi im në letërsinë hispanike

Ne foto: Bajram Karabolli

INTERVISTA – Flet Bajram Karabolli për fëmijërinë e tij dhe raportet me letërsinë, leximet dhe fillesat e para me përkthimin; kontaktet e para me autorë të letërsisë hispanike, realizmin magjik dhe sjelljen në shqip ta autorëve të mëdhenj si Sabato, Llosa, Fuentes, Roberto Bolaño, etj

Pyetje: Cilat janë marrëdhëniet tuaja të para me letërsinë?

Përgjigje: Qysh kur mësova të shkruaj e të lexoj, pra, në shkollën fillore. Im atë kishte disa libra, kryesisht me poezi, botime të viteve ’30 e ’40 të shekullit XX, si «Bagëti e Bujqësia», «Histori e Skënderbeut», «Qerbelaja», të Naim Frashërit; «Baba Tomori» i Çajupit; «Hanko Halla» dhe poezi të tjera të Ali Asllanit etj. Natyrisht, atëherë, si fëmijë që isha, hyrja në pallatin e letërsisë qe e beftë dhe, i mahnitur nga madhështia e tij, ecja në të si i çmeritur, dhe i ndrojtur, në ato korridoret e para të tij.

Por marrëdhëniet e vërteta dhe të fuqishme me letërsinë i pata gjatë viteve të gjimnazit. Atëherë, pallati i letërsisë u bë vërtet imi. Hyra thellë në të dhe m’u bë banesa ime më e shtrenjtë. Dhe nuk do të dilja dot më andej.

Konvikti ku jetoja kishte një bibliotekë të pasur, ku kam lexuar shumë libra dhe autorë që u bënë pjesë e jetës sime.

Pyetje: Si e keni perceptuar letërsinë, librin, në raport me jetën?

Përgjigje: Gjithmonë kam dashur të më bëjnë një pyetjeje të tillë. Diktatura e egër komuniste e kishte nën kontroll absolut gjithë qenien time, tërë jetën time. Ajo m’i gjakosi e m’i gjymtoi: rininë, energjinë, talentin… Ajo m’i burgosi mendimet, ndjenjat dhe shpirtin. Dhe ishte letërsia ajo që shpëtoi ç’më kishte mbetur nga këto. Për t’i ikur atij realiteti asfiksues dhe vrastar, u zhyta në botën e librave. Gjeta strehë dhe shpëtim tek realiteti plot ajër dhe dritë i Homerit, Servantesit, Shekspirit, Balzakut, Tolstoit, Pushkinit, Çehovit, Eseninit, Migjenit, Kadaresë, Jakov Xoxes, Hygoit, Mopasanit, Stendalit, Londonit, Gollsuorthit etj.

Pyetje: Cilat janë kontaktet e tua të para me letërsinë hispanike?

Përgjigje: Siç thashë edhe më lart, rinia ime i përket asaj kohe të mbrapshtë, kur, si plot gjëra të bukura, edhe letërsia bashkëkohore perëndimore konsiderohej e rrezikshme dhe qe rreptësisht e ndaluar. Kësisoj, atëherë njohja ime e letërsisë hispanike ishte: «Don Kishoti», disa poezi nga Pablo Neruda, nga Garsia Lorka, nga Nikolas Gilen, një roman i Migel Asturias, një i Markesit, një apo dy të Isabela Alendes dhe ndonjë gjë tjetër e vogël.

Autorë madhështorë si Borhes, Kortasar, Rulfo, Arlt, Fuentes, Gabriela Mistral, Ruben Dario, Antonio Maçado, Oktavio Pas, Haime Sabines, Nikanor Parra, Alejandra Pisarnik, Mario Benedeti, Alfonsina Storni, Roberto Huarros, Kiroga, Rosi, Galeano e sa e sa të tjerë, i njoha dhe i lexova për herë të parë, kur shkova në Amerikën Latine. Të them të drejtën, më vinte turp nga vetja që nuk ua kisha dëgjuar as emrin këtyre gjigantëve të letërsisë botërore. Pra, në këtë moshë madhore u njoha me letërsinë hispanike. Atëherë mora vesh se letërsia hispanike qenkësh një oqean i tërë, ku u futa dhe lundroja nëpër të, i çmeritur e i lumturuar.

Pyetje: Si dhe kur iu futët rrugës së përkthimit?

Përgjigje: Për fat të mirë, në gjimnazin “Ali Demi”, në Vlorë, atëherë, veç rusishtes, jepej edhe frëngjisht. Përkthimi i parë, një shtysë dhe sprovë rinore, ka qenë në vitin e tretë të shkollës së mesme. Në një revistë letrare sovjetike, të asaj kohe, lexova një tregim të shkurtër të një autori sovjetik nga vendet e Kaukazit. M’u mbush mendja ta përktheja atë tregimi dhe e përktheva. Mësuesit të rusishtes dhe atij të letërsisë u pëlqeu dhe e vendosën te këndi “Letrari i Ri”.

Më vonë, në një revistë të viteve ’30 lexova një tregim të një autoreje franceze. E përktheva dhe ia nisa një organi letrar të kohës. Natyrisht nuk u botua, pasi duhet të jetë konsideruar i dëmshëm për edukimin revolucionar të kohës. Dhe nuk mora më guximin të përktheja gjë.

Pyetje: Dhe kur iu rikthyet përkthimit?

Përgjigje: Shumë më vonë, kur jetoja në Amerikën Latine. Aty nga viti 2000, rastësisht, në një revistë letrare në Buenos Aires, lexova tregimin «Thuaju të mos më vrasin», të shkrimtarit meksikan Huan Rulfo. U mahnita me artin magjik të tij dhe, njëherazi, më erdhi turp për mjerimin tim: pse nuk njihja një shkrimtar të tillë. Menjëherë, gjeta dhe lexova gjithë veprën e tij. Ishte një zbulim i madh për mua. Një shkrimtar vetëm me dy vepra letrare: «Rrafshina në flakë» (Vëllim me tregime, 1954) dhe «Pedro Paramo» apo «Murmurimat» (Roman, 1956), veç ishte më përfaqësuesi i Realizmit Magjik dhe i Boom-it në oqeanin e letërsisë latinoamerikane, pothuaj i panjohur në Shqipëri. Thashë me vete: Nuk do të vdes pa e përkthyer në shqip këtë autor të magjishëm. Vite më pas, iu futa veprës letrare të Rulfos. Po kështu më ndodhi edhe me shkrimtarin tjetër latinoamerikan, nobelistin e mëvonshëm, Mario Vargas Josa. Kur lexova romanin e tij «Festa e cjapit», m’u duk se e kishte shkruar enkas për ne shqiptarët dhe vendosa t’ia jap lexuesit shqiptar këtë kryevepër. Kësisoj, iu futa sërish përkthimit. E nisa me disa tregime nga Josa dhe pastaj iu futa romanit madhor «Festa e cjapit»

Pyetje: Pse e nisët me Josën dhe jo me Rulfon?

Përgjigje: Sepse Rulfo m’u duk më i vështirë për t’u përkthyer. Më duhej të krijoja një përvojë, duke e nisur me autorë që më dukeshin më të lehtë.

Pyetje: Pra doni të thoni se ka autorë të vështirë dhe autorë të lehtë në përkthim? Cilët kanë qenë të vështirë e cilët të lehtë për ju?

Përgjigje: Po, është e vërtetë. Kjo varet nga stili, nga sintaksa dhe nga leksiku i autorit. Autorët më të lehtë për mua kanë qenë peruani Josa dhe kiliani Bolanjo. Kanë një gjuhë të rrjedhshme, një stil të qartë dhe fjali të ndërtuara thjesht. Rulfo ka një teknikë rrëfimi të veçantë, por të këndshme, edhe pse pati kritikë që e konsideruan si “kompozim të çrregullt”. Edhe fjalitë e Rulfos nuk janë të komplikuara. Vështirësia për përkthimin e Rulfos qëndron te fjalori i tij, i cili mbështetet te gjuha popullore, më saktë, tek e folmja e fshatarëve të Haliskos, një nga shtetet më rurale të Meksikës, e folme që, sipas studiuesve të veprës së Rulfos, është shumë e kursyer dhe tejet e përpiktë, me fraza të shkurtra dhe plot epitete. Në veprën e Rulfos ka me qindra fjalë që nuk gjenden as në Fjalorin e Akademisë Mbretërore të Spanjës. E kërkova dhe e gjeta fjalorin e veçantë të gjuhës së Haliskos, kësaj të folmeje sa rurale aq edhe universale. Një autor tjetër i vështirë është edhe Sabato. Them se, nëse nuk ke jetuar në Buenos Aires, mos iu fut përkthimit të Sabatos. Personazhet e tij flasin gjuhën portenjo, që është e folmja e Gran Buenos Airesit, një spanjishte e trazuar me italishten, pasi ka disa miliona pasardhës italianësh që jetojnë aty. Veç kësaj, e folmja e rrugës aty, edhe pse me rënie tingujsh, është tejet e pasur, plot zhargone, eufemizma, dhe ngjyrime të përflakta. Nëse përkthimi im i romanit «Mbi heronjtë dhe varret» qe i një cilësie të mirë, meritë ka edhe redaktori, im bir, Erioni, i cili njeh mirë të folmen portenjo, pasi e kaloi adoleshencën në Buenos Aires.

Pyetje: Erioni është një përkthyes i talentuar i spanjishtes. Besoj se, duke qenë bashkë si atë e bir, është një favor i madh në punën tuaj si përkthyes.

Përgjigje: Sigurisht. Ne pothuaj jemi një familje përkthyesish. Një botues më kërkoi t’i përktheja librin e ish ambasadorit të Spanjës në Tiranë «Si të dalësh nga rrugica e maces». Duke parë se ishte një ese, një studim dhe jo një fiksion, e mora përsipër, pa kurrfarë hezitimi. Por ai libër më hapi punë. Autori kishte një stil të çuditshëm. Fjalitë e tij, me shumë fjali ndërmjetëse brenda, mund të zinin një faqe të tërë. Dhe i thashë tim biri, Altamirit, ta përkthenim bashkë. E dija që im bir e njihte spanjishten më mirë se unë, por gjatë punës, mora vesh se ai e njihte edhe shqipen shumë mirë.: «Miri, pse nuk i futesh përkthimit?». «Unë mund t’i njoh të dy gjuhët mirë, por nuk kam talentin e krijuesit, gjë që është kusht i domosdoshëm për të përkthyer letërsi”. Dhe më bindi. Ndërsa me Erionin bashkëpunojmë shumë: diskutojmë për përkthimin e fjalive apo fjalëve të vështira, për sinonimin më të mirë në shqip, etj. Redaktojmë përkthimet e njëri-tjetrit. Edhe Luiza, ime shoqe, na ndihmon. Konsultohemi me të për leksikun në fushën e bimësisë, sidomos të luleve, dhe në atë fushës kulinare, leksik të cilin ajo e njeh mirë në të dy gjuhët, shqip edhe spanjisht.

Pyetje: Çfarë nuk duhet të bëjë një përkthyes?

Përgjigje: Thënia e famshme “Traduttore, traditore” gjithmonë qëndron. Sepse përkthyesi, pavarësisht kujdesit, dikë do ta tradhtojë: ose autorin, ose lexuesin. Unë jam i prirur të anoj nga lexuesi. Gjithsesi, mendoj se nuk duhet kapërcyer kufijtë. Mbi të gjitha, duhet ruajtur stili, ndërtimi i fjalisë dhe leksiku karakteristik i autorit.

Ne foto: Vepra e Juan Rulfos, sjellë në shqip nga Bajram Karabolli

Ja ç’më tregonte një miku im përkthyes: rastësisht takohet me autorin e librit që kishte përkthyer dhe duke biseduar i thotë se ato fjalitë e gjata ia kishte ndarë në dy apo tri fjali, natyrisht duke i qëndruar besnik asaj që donte të thoshte autori. Dhe ja ç’i thotë autori, disi qortueshëm: Unë nuk e di ç’sintaksë ka gjuha jote, por gjuha ime ka fjali të gjata, ka edhe fjali të shkurtra. Unë i kam ndërtuar qëllimisht ashtu fjalitë, të gjata, për ta mbërthyer aty lexuesin e vërtetë. Pra, duke ndërhyrë në stilin tim, ti si përkthyes ke gabuar. 

Pyetje: Ju e njihni mirë Realizmin Magjik. Mund të na thoni se cilat janë karakteristikat themelore të tij?

Përgjigje: Ndërsa dikur nuk dija asgjë për Realizmin Magjik, tani jam bërë rob i tij. Realizmi Magjik është një rrymë artistike që paraqet elemente magjike apo situata alogjike, krahasuar me vepra të tjera letrare të konsideruara më realiste apo më normale. Është një strategji letrare, ku shqetësimi dhe interesi stilistik është që, të zakonshmen dhe të përditshmen, t’i paraqitë si diçka areale dhe të habitshme. Është një lloj fiksioni i kultivuar kryesisht nga shkrimtarët latinoamerikanë. Pra, është një rrymë arti që u zhvillua në gjysmën e dytë të shek. XX në Amerikën Latine dhe u shpreh kryesisht përmes letërsisë, por, herë-herë, edhe përmes pikturës apo kinematografisë. Për sa i përket karakteristikave të Realizmit Magjik, studiues të ndryshëm i kanë përcaktuar ato në numër dhe forma të ndryshme. Gjithsesi, përmbajtjet e këtyre karakteristikave, të ndryshme në formë apo në numër, përkojnë, duke vënë në dukje të njëjtat gjëra. Disa tekste të historisë së letërsisë apo disa lektorë universitetesh, ngaqë kanë të bëjnë me një masë të madhe lexuesish, i kanë formuluar ato më saktë dhe më qartë. Sipas tyre karakteristikat kryesore të Realizmit Magjik janë këto:

  1. Shkrirja e reales me fantastiken: Mund të jetë një kontekst fantazie me personazhe reale, ose një kontekst real me personazhe fantastike.
  2. Ëndërrimi: Protagonistët e intrigës zakonisht shpesh shtjellohen dhe veprojnë në terren ëndërrimi. Rrëfimet shumë herë nisin në ëndrra që shohin personazhet apo edhe vetë historitë zhvillohen në terrenin e ëndrrave, si skenar që tregimi të bëhet më tërheqës.
  3. Realizmi: Karakteristikë e Realizmit Magjik është edhe marrja nga realizmi e një shprehje transparente dhe konkrete të gjuhës, me qëllim që të bëjë përshkrime të holla ku, midis të tjerash, ka elemente të zakonshme dhe të njohura, ndjenja familjare apo të dhëna historike.
  4. Fantazia e vlerësuar si diçka reale: Elementet magjike në një vepër të Realizmit Magjik vlerësohen si normale prej personazheve. Personazhet për një çast e pranojnë fantastiken si reale.
  5. Përdorimi i të tri vetave: Në tregimet e Realizmit Magjik mund të rrëfehet njëkohësisht në vetën e parë, në të dytën dhe në të tretën.
  6. Prania e rrëfimtarëve të shumtë: Ndodh që kjo gjë alternohet gjatë rrëfimit.
  7. Zakonisht skenarët janë latinoamerikanë: Kjo ndodh sepse autorët e Realizmit Magjik frymëzohen nga ky realitet.
  8. Mitologjia dhe faktori i çuditshëm: Rrëfimet përdorin shpesh mitet, të cilët ushqejnë këtë gjini me një ngjyresë ekzotike.
  9. Ambiente varfërie dhe mjerimi të skajshëm: Ngjarjet në veprat e Realizmit Magjik zakonisht zhvillohen në ambiente tejet të varfra ku personazhet vuajnë nga një mjerim i skajshëm. Kjo është mënyra për të njohur realitete të ndryshme, gati të panjohura për disa, dhe qëndrimi i autorit për to.
  10. Perceptim shqisor i realitetit: Autorët e Realizmit Magjik zakonisht i japin shumë rëndësi anës shqisore gjatë njohjes së realitetit.
  11. Koha e rrëfimit: Koha është e ngatërruar dhe ngjarjet zakonisht nuk ndodhin në mënyrë të vijueshme. Ndoshta kjo është karakteristika më dalluese e Realizmit Magjik, gjë që e bën rrëfimin më tërheqës për lexuesin.

Shkrimtarë të mëdhenj si: Luis Borhes (Luis Jorge Borges – Argjentinë), Aleho Karpentier (Alejo Carpentier – Kubë), Migel Anhel Asturias (Miguel Ángel Asturias – Guatemalë), Huan Rulfo (Juan Rulfo – Meksikë), Karlos Fuentes (Carlos Fuentes – Meksikë), Hulio Kortasar (Julio Cortázar – Argjentinë), Gabriel Garsia Márkes (Gabriel García Márquez – Kolumbi), Mario Vargas Josa (Mario Vargas Llosa – Peru), Hose Donoso (José Donoso – Kili), Álvaro Mutis (Kolumbi) etj., krijuan atë rrymë letrare të pashoqe, e cila bëri epokë dhe hyri në historinë e letërsisë botërore me emrin “Realizmi Magjik”. Janë pikërisht këta shkrimtarë latinoamerikanë, magjikorealistë, të cilët shpërthyen – mendoj se në këtë rast shërben kjo fjalë – atë që quhet “boom” i atyre viteve.

Pyetje: Në përvojën tuaj si përkthyes ç’mund të thoni për gjuhën shqipe krahasuar me spanjishten, a është më e varfër?

Përgjigje: Mendoj se nuk ka gjuhë të varfër dhe të pasur dhe se çdo gjuhë ka pasuritë dhe mangësitë e veta. Shqipja, krahasuar me spanjishten dhe gjithë gjuhët moderne, ka një pasuri të madhe që atyre u mungon. Ka mënyrën dëshirore dhe habitore që ato nuk e kanë. Nuk më vjen mirë, kur shikoj që një folje e përkthejnë në mënyrën lidhore, siç është në origjinal, dhe jo në mënyrën dëshirore, siç duhet në shqip. Në shqip thuhet “rrofsh” dhe jo “të rrosh”.  Një shqiptar, në saje të mënyrës dëshirore, mund të mallkojë dhe të urojë pafundësisht dhe me lehtësinë më të madhe, mundësi që nuk e kanë gjuhët që përmendëm. Kur Petro Nin Luarasi u nis për në Amerikë, prifti grekoman i thotë: Vafsh e mos ardhsh! Dhe Petroja ia kthen: Ardhsha e mos të gjeça! Shiko pra ç’forcë u jep mënyra dëshirore foljeve. Në këtë rast ato ngjajnë si të shtëna. Mënyra dëshirore dhe habitore në gjuhën tonë u japin foljeve ngarkesa emocionale, gjë që mungon te gjuhët moderne.

Sigurisht, edhe shqipja ka mangësitë e veta. Fjala vjen: fjalët “mbesë” dhe “nip” në shqip emërojnë fëmijët e vëllait e të motrës, por edhe ata të djalit dhe vajzës. kurse spanjishtja ka emërtime të veçanta për secilën kategori.

Pyetje: Ç’ndjesi të jep puna e përkthimit, të lodh, të kënaq apo…?

Përgjigje: Kur dola në pension, dikush më pyeti: a mërzitesh tani, si e kalon kohën? Iu përgjigja: tani po punoj dhjetë-dymbëdhjetë orë në ditë dhe nuk ndiej lodhje, ndiej vetëm kënaqësi. Është një punë e dashur, është terapi për mua. Ndodh që e vret mendjen edhe dy orë e nuk e gjen dot epitetin e duhur. Shtrihesh të flesh e gjumi nuk të zë, sepse mendon për fjalën. Dikur të ndizet llambushka e kujtesës dhe ndriçon fjalën aq të kërkuar në shqip. Ngrihesh me rrëmbim dhe e shënon fjalën. Dhe ndodh që, për meritë të shqipes, ky epitet është edhe më i bukur se ajo e gjuhës së autorit. Atëherë lumturohesh dhe fle si qengj.

Pyetje: Keni ndonjë mënyrë të tuaj të veçantë në punën e përkthimit?

Përgjigje: Unë, thjesht për kursim kohe, nuk e lexoj më përpara romanin që do të përkthej. Natyrisht njihem me përmbajtjen, rëndësinë etj. Lexoj aty-këtu ndonjë faqe për t’u njohur me stilin, me sintaksën apo me leksikun e autorit dhe nis për ta përkthyer. Mendoja se kjo ishte një praktikë e veçantë imja. Por, pasi kisha përkthyer disa libra, rastësisht lexoj intervistën e një përkthyeseje latinoamerikane dhe u habita kur ajo vepronte njësoj si unë. Gjithsesi, mendoj se kjo praktikë pune në përkthim është diçka e rrallë.

Pyetje: Cilët janë përkthimet tuaja deri tani?

Përgjigje: Ja lista:

  1. «Festa e cjapit»,roman nga novelisti Mario Vargas Llosa (Shtëpia Botuese SKANDERBEG BOOKS, 2010).
  2. «Vajza e prapë»,roman nga novelisti Mario Vargas Llosa (Shtëpia Botuese SKANDERBEG BOOKS, 2010).
  3. «Si të dalësh nga rrugica e maces», Mantel Montobbio, ish-ambasadori i Spanjës në Shqipëri, ese mbi globalizmin nga (Shtëpia Botuese AIIS, 2011).
  4. «Përralla për fëmijë»,  nga shkrimtari argjentinas Rodrigo Ures (Shtëpia Botuese ILAR, 2011).
  5. «Tregime latinoamerikane», vëllim me tregime nga autorë të mëdhenj latinoamerikanë (Shtëpia Botuese ILAR, 2012)
  6. «Muaji më mizor», vëllim me tregime nga shkrimtarja spanjolle Pilar Adon (Shtëpia Botuese TOENA, 2012).
  7. «Sfida e krijimit», vëllim me ese, studime e biografi nga nobelistë dhe autorë të shquar hispanikë (Shtëpia Botuese ILAR, 2013).
  8. «Dashuria e Terezës», vëllim me tregime nga shkrimtari domenikan José Acosta (Shtëpia Botuese ILAR, 2013).
  9. Juan Rulfo, vepra e plotë: «Pedro Paramo» (roman) dhe «Rrafshina në flakë» (vëllim me tregime) (Shtëpia Botuese PIKA PA SIPËRFAQE, 2015).
  10. «Tregime të zgjedhura hispanoamerikane» (Antologji. Përkthyer së bashku me Erion Karabollin) (Shtëpia Botuese ILAR, 2015).
  11. «Lëvdatë për njerkën», roman nga novelisti peruan Mario Vargas Llosa (Shtëpia Botuese SKANDERBEG BOOKS, 2015.
  12. «Teori e shkurtër për udhëtimin dhe për shkretëtirën», vëllim me tregime nga shkrimtari spanjoll Cristian Crusat (Shtëpia Botuese ALBAS, 2016).
  13. «Poetë të shquar hispanikë» (Antologji poetike. Përkthyer së bashku me Erion Karabollin) (Shtëpia Botuese ILAR, 2016).
  14. «Mbi heronjtë dhe varret», roman nga shkrimtari argjentinas Ernesto Sabato (Shtëpia Botuese PIKA PA SIPËRFAQE, 2016)
  15. «Detektivët e egër»,roman nga shkrimtari kilian Roberto Bolaño (Shtëpia Botuese TOENA, 2017).
  16. «Tregime të natyrshme dhe të mbinatyrshme», vëllim me tregime nga shkrimtari meksikan Carlos Fuentes (Shtëpia Botuese PIKA PA SIPËRFAQE, 2017)
  17. «Të qetë në kohë lufte», vëllim me tregime i autorit spanjoll Cristian Crusat, përkthyer së bashku me Erion Karabollin (Shtëpia Botuese ALBAS, 2017)

Gjithashtu, përkthime apo krijime të mia janë botuar në shtypin letrar periodik të sotëm: Mehr Licht, Milosao, Ilyria (SHBA), Jeta e Re (Prishtinë), Symbol (Prishtinë, Shkup, Tiranë), Palimpsest (online) etj. Kam pak vite që jam në redaksinë e revistës Jeta e Re (Prishtinë), ku në çdo numër të saj botohen përkthime dhe krijime të mia.

Pyetje: A keni përkthime të pabotuara?

Përgjigje: Po, janë tre libra të mbaruar së përkthyeri. Para gjashtë muajsh i kam dorëzuar ONUFRIT përkthimin e romanit «Misteri i kriptit të magjepsur» të Eduardo Mendosës, shkrimtari i njohur spanjoll i ditëve tona. Këto ditë i kam dorëzuar botuesit PIKA PA SIPËRFAQE romanin «Zhdukja misterioze e markezes de Loria» të shkrimtarit kilian Hose Donoso, një përfaqësues i Realizmit Magjik i përmasave të Markesit dhe të Fuentesit. Librin e tretë, një vëllim me 101 rrëfenja popullore, zgjedhur nga të gjitha kontinentet, ia kam dorëzuar EUGEN-it. Dalja e tyre në dritë varet nga botuesit.

Pyetje: A keni në dorë ndonjë përkthim?

Përgjigje: Po. Kam romanin «Vdekja e Artemio Krusit», që konsiderohet si kryevepra e shkrimtarit meksikan Karlos Fuentes.


RELATED POST

Your email address will not be published.