6 arabeska

 

Erwin Einzinger

 

6 ARABESKA

(shkëputur nga libri “Derri i egër”)

 

 

Hajnrih von Klajsti me pantallona lëkure dhe mu pranë tij një pianiste disi më pak e njohur me emrin Mariana Tromlic, mamaja e ardhshme e Klara Vikut shumë të talentuar, e cila më në fund do të martohej me Robert Shumanin: dy figura të çuditshme në një pikturë fantastike, e cila merr formë në përgjumje pak pas mesditës.

A do të kishte vend edhe për disa kanibale të reja nga pyjet e dendura malore në Guinenë e Re?

 

Jashtë, në fundin e kopshtit, rritet kolumbina ngjyrë vjollcë në mes të një tufe lulekëmborash të egra; Stanislausi e vendos këmbalecin e tij aty pranë dhe e pikturon atë, aq mirë sa ç’ecën, krenar si një prerës i vogël keku. Hildegarda, tezja e palodhshme, e cila dikur në ditën më të dashur dhe natën do të kishte dëshiruar vetëm të kërcente, tani qëndron aty dhe duartroket.

 

 

 

 

Kur drithërat janë shirë pastaj, fshatarët i hedhin lart në ajër për të ndarë bykun nga farat. Në fund ato në kosha zhyten në përrua, për të larë grimcat e dheut e parazitët dhe për të nxjerrë mbeturinat e fundit të kashtës.

Një nga fëmijët shurron herë pas here në një shtambë dhe pastaj e trazon me lugë.

Ndërkaq dalëngadalë bëhet më ftohtë në rajonin ku thuajse të gjitha gratë njëkohësisht janë edhe rrobaqepëse dhe gjatë punës këndojnë me qejf një këngëz. Drita e hënës bie mbi një liqen të vogël artificial, pranë të cilit Janisi para pak kohësh ka treguar për atë bar çudibërës i cili i përzier me pastën e nxjerrë nga kthetrat e grira të dhisë dhe vaji i trashur tashmë ka ndihmuar këtu shumë njerëz.

 

Njëri vjen, tjetra ikën, megjithatë e rëndësishme është që gjithçka vazhdon si gjithmonë. Flokët e kokosit bien mbi dyshekun me qime kali, i hapur në anën e poshtme, të cilin e ka shfrytëzuar si strehë një përgëzues hipokrit që donte të bënte muzikë në kasollen e kopshtit dhe pastaj të kalonte natën.

Një ditë më pas ai erdhi një orë më vonë me temjanin që po shushurinte ende dhe u pengua atje mbi fizarmonikën e bijës së një komshiu. Në muzg kjo dukej vërtetë e dyshimtë. Pëlhurat e merimangës zbukuronin të dyja xhepat anësorë të çantës së tij të shpinës, të cilën ai donte ta tërhiqte zvarrë deri te delta e Vollgës, ku çdo ditë shpëlahen apo shtyhen sasi të mëdha balte dhe gurësh në detin gjithsesi shumë të cekët.

 

 

 

 

Dy herë në javë trageti sjell postën dhe ushqimet nga kontinenti.

 

Gjethe të thara duhani shkërmoqen dhe bëhen pluhur: një punë paksa delikate për forcat e pakualifikuara. Përveç kësaj gumëzhijnë melodi të njohura në një lloj lokali për shitje, i cili është njëkohësisht punishte. Pastaj sërish heshtin. Pastrimi i zërit përpara fjalisë tjetër shndërrohet në pauzë dhe shpeshherë njofton komente të shkurtra, të cilat nënvizohen me shprehje pa kuptim të vërtetuara.

 

Në dremitje nuk mund të zgjidhësh asnjë enigmë të jetës. Një gjysmë eksperte për çështje të ndryshme parimore një herë lidhur me këtë është pozicionuar në mënyrë jashtëzakonisht të guximshme, ndërkohë që ata të gjithë i rikthehen të njëjtës situatë pikënisjeje. “Maskaradë”, mendoi ajo pastaj vetë dhe buzëqeshi e kënaqur.

 

Këngë djepi. Vaje për të vdekur. Në fakt shpesh janë të ashtuquajturat melodi të fillimit, të cilat fshehurazi lënë të kuptohet fundin.

Zogjtë hidhen përpjetë nga shkurrnajat dhe i tërheqin, duke u çjerrë. Ishulli i pëllumbave nuk është larg. Edhe atje mund të mbledhësh të paktën mana pylli dhe krimba, vezë shkurtash, fruta pylli dhe rrënjë. Ato japin lëndë ushqyese dhe përgatiten në mënyrë krejt të ndryshme.

Gjatë ekskursioneve për qëllim mbledhjeje apo gjahu deri para pak kohësh shpeshherë ende bëhej fjalë për kërcimin ritual të krillave.

 

 

 

 

Idilet shpesh përfundojnë në mënyrë të papritur. Këtë e kishte përjetuar në këtë mënyrë edhe piktori Mecislas Rakovski dhe njëqind vjet më vonë një studente kokëfortë nga Jyveskyle, e cila donte të shkruante një punim mbi pikturat e tij. Ajo me kalimin e kohës e pa veten në një hapësirë virtuale prej ngjyrash transparente duke bredhur tutje-tëhu si fantazmë dhe mbante shënime për paraqitje të shkurtra të temës, për të parat e të cilave ajo krekosej paksa dhe menjëherë pas kësaj mund ta dërgonte si ese në një revistë.

 

Disa vite më vonë ajo ishte munduar fort bashkë me burrin e saj të qetë që të adoptonte një fëmijë të këndshëm jetim, çka në fund nuk pati sukses. Në një dhomë gjysmë të errët të mbushur plot me sende të ekspozuara ajo vendosi për një hap të cilin zor se mund ta kuptonte dikush. Ajo donte të dramatizonte ekzistencën e saj dhe mund të jetë kujtuar se si në vitet e para të studimeve të saj disa pasdite shkonte rregullisht shtëpi më shtëpi dhe trokiste në qindra dyer, për të gjetur abonentë për një revistë për miqtë e artit.

Një herë ajo u bë dëshmitare e një mbledhjeje të çuditshme, në të cilën njerëz të frymëzuar shpirtërisht raportonin duke u ndaluar frymëmarrja përjetime, të cilat ndoshta nuk do të priteshin në jetën e përditshme të një nëpunësi. Shkurt e mirë: Pas gjithë këtyre viteve ajo menjëherë u bë anëtare e një sekti të dyshimtë, braktisi bashkëshortin dhe pas kësaj kishte humbur për një kohë shumë të gjatë. E si i ka vajtur filli asaj?

 

Të kthehemi te piktura: Është e njohur se struktura më të holla shumë shpesh mbulohen nga shtresa të trasha ngjyrash dhe mbishtresohen. Kjo vlen krejt njësoj edhe për muzikën, prandaj në kuartetin e harqeve ndonjë magji tregon vetëm një përmbajtje më e fortë.

Katër zonja nga Veriu i Lartë e dinë këtë gjë prej kohësh: Tila Kangas, solo-violë në orkestrën e dashur simfonike Lahti, Silva Koskela, e cila prej vitesh jep mësime violine në Tamper, Laura Vikman nga orkestra simfonike e radios së Helsinkit dhe Ula Lampela, e cila gjithashtu në Helsinki jep me sukses mësime violonçeli për nxënëse, këtë e kanë vërtetuar prej kohësh në mënyrë mahnitëse në shembullin e kuartetit të Sibeliusit.

 

 

 

 

Betina dhe Beate të dyja e dinë se jeta përgjithësisht është shumë banale dhe vetëm rrallëherë kaq spektakolare, siç e sugjerojnë tregimet dhe filmat. Çka nuk do të thotë aspak se djalloset apo duhet të veprojë më kot.

 

“Oho”, mendoi sekretarja e bëshme, kur ditën e martë pa në sheshin e parkimit se si pranë saj një njeri që nxitonte shkeli mutin e qenit. Një ditë më parë në kuadrin e një dreke pune kishte treguar shkurtimisht për një mikeshë shkolle, e cila mundohej të çante si femër kabareje dhe artiste estrade solo, dhe po, ajo madje rezervoi për festat e firmës. “Absolutisht e këshillueshme”. I biri është ndërkaq mbikëqyrës në një klub pushimesh për të pasurit, edhe këtë punë në fund duhet ta bëjë dikush…

 

Kush ka pak kohë të realizojë ëndrra artistike, ndoshta gëzohet për lulet e fundit të kopshtit apo ia del që thjesht të bindë veten: “Më gëzon që unë nuk jam kokëfortë, megjithëse dikur e kam refuzuar provimin e pranimit në shkollën e artistëve në Sharlotenburg.” Dashnorët e natyrës herë pas here e lyejnë veten me lëngje, të cilat prodhohen prej gjetheve të agave, dhe pas kësaj e ndjejnë veten të përtërirë.

Në përgjithësi krahinat shpirtërore mund të ndahen në rajone me diell dhe më shumë të vrenjtura. Shpesh në pika të errëta të ndihmon një fjalë e ëmbël dhe në disa raste të shërben jo më pak për të kapërcyer refuzime. Dhe nëse në dimër bie dëborë për ditë të tëra në katërkëndëshin e kopshtit, lind një vorbull e butë në drejtim të pyllit të magjepsur.

Në një histori të vërtetë, në mes të verës, natyrisht, dikur thuhej: Alma dhe Tereza u lutën për një kohë aq të gjatë derisa edukatorja në fund ua plotësoi dëshirën. Kur ato u kthyen në shtëpi të qullura dhe me fustane të laturisura, lëndinat ishin zbardhur nga kokrrat e rrebeshit.

Kështu ndonjë dëgjues radioje ndoshta e di: Në Zen – Budizëm ekziston një lloj iluminizmi shpirtëror, shoqëruesi i të cilit është buzëqeshja delikate, e cila kujdeset për çlodhje, sepse njëkohësisht është në gjendje të hapë rrugën drejt njeriut. Dhe nëse një i ftuar në debat, duke shpërthyer me gjallëri, flet troç: “Moxarti më pëlqen thjesht kështu, sepse ai ishte një djalosh i pacipë…”, ai ua rrëmben zemrat të gjithëve.

 

 

 

 

Edhe zoti fon Doderer, një specialist i vërtetë i romaneve të përpikërisë të lëmuara nga pikëpamja gjuhësore, dikur në tokën e një korite mbante shënim se ia kish dalë mbanë të rikujtonte edhe një herë në përqendrimin më të lartë ngjarje të zbehura të një vere tashmë të largët.

 

Pothuajse në të njëjtën kohë në Gabun një sëmundje e keqe sysh tanimë prej muajsh po rrezikonte rëndë nipin më të vogël të kryetarit të fshatit Ecuele Manga. Më kot daulltarët e shpirtrave dhe mjeku i moshuar i fisit i veshur me mantel me pulla e lara të kafshës grabitqare duhet ta kenë kuruar me paluzen e kërmillit dhe me lëngje barërash, të gjitha këto nuk hynë në punë për asgjë: Netumbo dalëngadalë u verbua.

 

Por çfarë ka ndodhur me Paulushin, me mbretin e vogël nga Gashtajni? Ndonjë ditë, kur të jetë i rritur, a do të endë ai figurat madhështore, siç mund t’i hasim ndryshe vetëm në ëndrrat e guximshme? A duhet të shpërthejë zelli i tij i vërtetë në artin e skermës, në rast se një trajnere me shumë mirëkuptim për gjërat e çuditshme, të cilat ndoshta edhe ai do që t’i zhvillojë, di ta trajtojë atë siç duhet? – Por çfarë, nëse ne atë duhet ta shohim të pengohet fort dhe ai ndjek verbtazi ca maskarenj, përpara se ai pas një tutje-tëhuje të gjatë t’i besojë mbikëqyrjes së këshilltarëve të kontrollit?

 

Më tej ne shohim një shok shumë inteligjent nga Dyrnshtajni buzë Danubit, i cili bën ushtrime stërvitjeje në livadhin e pjerrët prapa tabelës ku shënohet emri i vendit, i shoqëruar nga muzika që del prej kufjeve të tij. Patricia, një pastruese entuziaste nga Favoriteni, e ka parkuar slitën e saj amerikane në rrugën e hyrjes, ku majtas dhe djathtas rriten hardhi rrushi dhe si kudo i drejtohen diellit.

Patricia i njeh gabimet e mënyrës së të vepruarit po aq sa jastëkët e flakur me stampa apo etiketa, shkrimi veçanërisht i vrullshëm i të cilave të bën të mendosh për shpatat e jeniçerëve. Por edhe ajo e di se shpeshherë mjafton që të shtiret një interes i vagëlluar dhe sa për të tjerat të rrijë kot dhe të presë se si zhvillohen gjërat.

 

Përktheu nga gjermanishtja: Elda Gjana-Boriçi

 

 

 

 

 

Erwin Einzingeri lindi në 13 maj 1953 në Kirhdorf të Austrisë, është shkrimtar dhe përkthyes austriak. Pas frekuentimit të shkollës në Linc të Austrisë së Sipërme, ai studioi anglicistikë dhe gjermanistikë dhe jeton si shkrimtar e përkthyes në Miheldorf.

Në vitin 1977 botoi përmbledhjen me poezi të titulluar „Lammzungen in Cellophan verpackt“ dhe më 1983 vëllimin me ese „Das Erschrecken über die Stille in der die Wirklichkeit weitermachte“. Pas këtyre vijuan botime me poezi, romane si dhe përkthime të autorëve amerikanë, ku përmendim John AshberyWilliam CarpenterRobert Creeley dhe James Schuyler. Është nderuar me shumë çmime.

“….Tema e punimeve të Einzinger-it është inventarizimi i një bote që është shkëputur nga konteksti dhe karakterizohet më shumë si një çrregullim. Vetëm se askush nuk është i sigurt se çfarë ka rënë në të vërtetë në pështjellim: Është vetë bota, apo koka që duhet ta perceptojë atë, për të cilët përsiat… Einzinger-i i bashkohet asaj tradite të cilën e përfaqësojnë emrat si William S. Burroughs dhe Rolf- Diter Brinkman. Ai e drejton atë nga bota e tij dhe horizonti i përvojave të tij. Forma e tij është një formë e copëzave, fragmentit. Si pjesë shumë e vogël, shumë elementare, ato pastaj japin një poezi, një tekst të shkurtër proze, një ese apo roman.

(Shkëputur nga një monografi e shkurtër e Tomas Einzigner-it).


RELATED POST

Your email address will not be published.