READING

Ikja nga funksionalja

Ikja nga funksionalja

Gazmend KRASNIQI

Në mendimin zyrtar të viteve ’60-të, kohë kur u shfaq së pari poeti Rreshpja, suksesi shihej te tematika, diçka që ilustrohet me emrat e Llazar Siliqit e Dritëro Agollit, apo Ismail Kadaresë e Fatos Arapit; të dytët edhe me prirje të reja formale. Si poet i ri që kërkon suksesin, Rreshpja bëhet pjesë e këtij modeli, duke ia arritur qëllimit, sepse një nga poema e tij, me tematikë të angazhuar, por me formë të re për kohën, hyn në antologjinë më të rëndësishme zyrtare të kohës, pa botuar më parë ndonjë përmbledhje poezish më vete.

Në përmbledhjen e parë (1968), këtë “haraç” tematik do ta gjejmë te poezitë e poemat për partizanin, heronjtë e punës socialiste, aksionistët, lapidarët, ushtarët e revolucionit, ndërsa në përmbledhjen e dytë (1973) do ta gjejmë te poezitë e poemat për komisarin, hidrocentralet, 8 Nëntorin, 1 Majin etj., gjithmonë duke pasur parasysh se, me anën e realizmit socialist, poezia shqipe po njihte ndikimet futuriste dhe postfuturiste, sidomos nga ndikimi majakovskian.

Vetëm kur shmangim shtresat soc-realiste të këtyre dy vëllimeve të para poetike, ndodhemi përpara zbulimit të Rreshpjes si poet që u qëndron kohëve. Shohim se në disa fragmente poemash e poezish, ku u ikën temave të imponuara, duke ndërtuar zërin unik të poetit, pamjet e thjeshta të sendeve të ngrihen deri në simbole, prej nga bëjnë të dukshme e të prekshme forma të tjera më të fshehura e më të përkryera: një ndjesi që do të bëhet mbizotëruese në periudhën e dytë të krijimtarisë, ku do të duhet të flasim me një gjuhë tjetër, sepse tashmë jemi çliruar nga kompleksi tematik.

Në një shkrim redaksional të revistës “Nëntori”, të vitit 1973, me titull “Probleme të poezisë sonë” dhe nëntitull “Kundër ndikimeve të huaja në poezi”, ku flitet për një diskutim krijues të marsit të atij viti në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, gjejmë edhe këto rreshta: Rendja pas figurave e ka çuar ndonjë poet gjer atje sa të spostojë mendimin dhe të nxjerrë figurën në plan të parë. Kjo e bën poezinë të tingëllojë krejt formaliste. Ja një shembull i tillë:

Mane, të varrosën në muzg

Kali yt që u bë vjeshtë

Hëngri gjelbërimin e pyllit

Dhe befas u bë dimër.

Poezia në fjalë mbyll periudhën e parë të kësaj krijimtarie dhe shërben si hallkë lidhëse për atë që do të ringjallet pas 17 vjetësh, në epokën e lirë të demokracisë, sepse poetit i qe privuar liria dhe e drejta e botimit nga regjimi totalitar i kohës. Paradoksalisht, kjo pikë e zgjedhur na shërben për të parë se këto dy periudha krijimtarie do të kenë si dallime, ashtu edhe të përbashkëta, por vetëm vitet ‘90-të dhanë atë liri që i shërbeu gjetjes së zërit të mirëfilltë të poetit, krijimtarisë që ngjizet në bazë të ligjësive të brendshme, pa ndikim nga jashtë.

Tashti, ndryshe nga krijuesit e tjerë të brezit të vet, për hir të një vepre serioze dhe të mundit e të djersës që kërkon ajo, Frederik Rreshpjen e karakterizon pakënaqësia nga efektet e lehta e zgjidhjet gjysmake. Mbetet mbase i vetmi poet i brezit që nuk ka tentuar asnjëherë për të ribotuar në vitet ‘90-të pjesën e parë të krijimtarisë së tij, megjithëse nga krahasimi i teknikave të realizimit të vargut shihet se ajo periudhë e krijimtarisë i ka shërbyer si “fletore ushtrimesh”, duke çuar përpara cilësitë e veta më të mira në këtë drejtim. Ai të kujton Kavafin, si poet që në një moment pjekurie kap thelbin e asaj që duhet të jetë krijimtaria e tij e ardhme, apo Malarmenë, si poet që nuk i lejon vetes asgjë të rastësishme, sado e bukur qoftë ajo, sepse çdo gjë duhet të mbizotërohet deri në fund.

Ndryshe nga ç’kishte qenë kryesisht moda e shekullit XX, ai i përket klasës së poetëve që kërkojnë ta mbyllin jetën e vet në një libër. (Gjatë këtyre viteve i botohen mbi dy – tre vëllime, por ato mund të shihen si variante të të njëjtit libër, të cilat mbartin dhe transmetojnë zejen gjithnjë e më fine të një poeti të karakterizuar nga pakënaqësia e përjetshme për punën e vet.). Megjithëse tingëllon cinike, nga periudha e parë e krijimtarisë ai mbart vetëm strofën e lartpërmendur, ku u cilësua “formalist”, e cila nuk qe përfshirë nga dy librat e parë, por qe e botuar në një revistë kulturore të kohës,  shmangie që do ta ndjekë edhe pas, sepse ngaqë ishte në kërkim të vazhdueshëm, herë pas here botonte në organe të dorës së dytë apo të tretë. Këto vargje, që përcaktojnë gjithë kuturisjen e ardhshme poetike, na ndihmojnë të kuptojmë se bërthama e tematikës dhe e teknikës së ardhme i ka rrënjët te periudha e parë, që u ndërpre në mënyrë të dhunshme.

Vargjet e mësipërme na kujtojnë se sa e rëndësishme qe për këtë poet krijimtaria popullore. Ato japin disa prej veçorive që ka përdorur ky poet në raport me krijimtarinë e popullit, të tilla si:

– Apostrofimet e shpeshta:

Mane të varrosën në muzg/ Kali yt që u bë vjeshtë;

– Rimat s’kanë rëndësi (ato mund të jenë të rastit):

në rastin konkret, duke pasur parasysh një strofë klasike katërshe, nuk rimojnë as muzg me pyllit, as vjeshtë me dimër, megjithatë ne as që ndiejmë ndonjë mungesë;

– Metrika s’ka shtrëngesë:

vargu i parë ka 9 rrokje, vargu i dytë ka 8 rrokje, vargu i tretë ka 9 rrokje, ndërsa vargu i katërt ka 7 rrokje;

– Nënlloji i baladës:

poezia ka tipologjinë e këtij nënlloji poetik;

– Karakteri i gjamës:

poezia përcjell jehonat e largëta, por të përpunuara të kësaj pjese të krijimtarisë popullore, një shembull të së cilës po e citojmë: I mjeri u, mik e ma i miri mik, i mjeri!/ Kur t’nisesh me dalë prej ksaj shpi,/ Lamtumirë thuej, mal e vrri,/ Lamtumirë, shokë e miqsi;

– Mbështetja në krijimtarinë popullore dhe përpunimi mjeshtëror:

poezia na kujton një krijim popullor, por që tejkalohet në sajë të mjeshtërisë së një poeti modern, i cili e ka vetëm si bazë motivin e caktuar popullor;

– Shfrytëzimi i elementeve piktorike përpara atyre tingëllore: duke përdorur gjuhën kritike të Kutelit, do të thoshim se poezia e Rreshpjes është më tepër një poezi e syrit sesa e veshit, një premisë më tepër për të përforcuar idenë e raporteve të saj me folklorin shqiptar.

Mirëpo, nga ana tjetër, poezia e Rreshpjes dominohet nga metafora, e cila, siç thotë Pipa, kur flet për Migjenin, nuk është karakteristikë e poezisë shqipe, sepse në poezinë shqipe zakonisht është shpjeguese dhe ilustrative, e afërt me krahasimin. Shqiptarët që priren të jenë realistë dhe praktikë, anojnë kah një stil diskursiv, pa kalime te dhunshme apo kontraste të thella…

Por ndryshe nga Migjeni, Rreshpja pëlqen metaforën paralogjike. Shikon tek ajo fuqinë e njeriut, duke na kujtuar fjalët e Ortega Y Gasset se ajo afrohet me magjinë dhe, si instrument i krijimit, është harruar prej Zotit në brendësinë e krijesave të veta…

Pas metaforave që përdor Rreshpja kemi humbjen e botës objektive, por bota e “krijuar” prej tyre tregon fuqinë e fituar, duke marrë kujtimin e një pasqyre vërtet të veçantë të saj, dhe na vjen ndërmend koncepti bodlerian se e çrregullta, domethënë e papritura, e befta, habia, përbën një element thelbësor të së bukurës,  cilësi këto në fakt të barokut. Por, duke shkuar përtej poetëve barokë, ku bashkohen më anë të arsyes dy elemente të pavarura, shumë shpesh ai u heq pavarësinë edhe elementeve që bashkon, duke krijuar një element të tretë, diçka që është vetë simulakra bodrilariane. Me anë të një procesi të thjeshtë gjuhësor, metafora ngrihet në nivelin më të lartë të ndërlikueshmërisë poetike, duke na u shfaqur:

  1. a) Brenda një shoqërimi fjalësh njëra humbet kuptimin e zakonshëm dhe përdorimi i ri fiton një informacion më të madh kulturor, si në format –

folklori i zogjve;

itakat e legjendave;

shtëpia e gjetheve

  1. b) Animizim i natyrës (metaforë folje), si në format –

fshihet era në legjendë;

hëna vizaton;

shqetësohet zogu i pritjes;

flenë stinët;

vallëzon mermeri i legjendave

  1. c) Krahasim që bëhet në mendjen tonë, përtej krahasimit të zakonshëm, si në format –

reja gri si mall i harruar;

dëbora si një perëndi ilire

ç) Metaforë epitet (epitet metaforik), si në format –

druri i trishtuar;

dëbora e thinjur;

hëna e pikëlluar

  1. d) Nga kuptimi i ngjashmërisë, si në format –

unë kam qenë trishtimi i botës;

një mjegull quhet: akuarel i lëvizshëm

Kemi edhe disa cilësi të tjera të poetikës manieriste dhe baroke te ky poet, ku rreshtojmë:

  1. a) Katakrezë –

mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes;

kënga e artë e lamtumirës

Epitetet i thyer, e artë rigjallërojnë disa forma që po shkojnë drejt gjuhës së folur. b) Oksimoron –

o e verbra madhështore;

o fat budalla;

një kalë i vdekur vrapon nëpër shpat;

rri sonte te unë

sa të bëhen trëndafilat e drurëve të vdekur;

Është e qartë për të gjithë se bashkimi i veçantë i fjalëve ka shmangur kuptimin e njohur të dy elementeve që përplasen, pasi logjika nuk e pranon të vrapojë një kalë i vdekur.

  1. c) Sinestezia –

Megjithatë e di: erdhi një trëndafil me shall

Dhe ishte një vajzë që çeli gjethe tek porta…

Shohim të priten dy rrafshe ndjesore, të cilat e nxjerrin lexuesin nga një ndjeshmëri e zakonshme. Ngatërrimi i sferave të ndijimit bëhet qëllim estetik i poezisë.

Duhet të theksojmë se, edhe pse të kujton poetikat manieriste e baroke, kjo poezi ruan vlerën e modernitetit që në letërsinë perëndimore ka filluar me pohimin e fuqisë interpretuese të gjuhës në poezi (Poe, Hopkins, Mallarmé), kur ajo fiton domethënie e përmasa të reja në shtratin e poezisë bashkëkohore.

Nga letërsia botërore, modelin e Rreshpjes mund ta gjejmë te poeti nobelist W.B.Yeats (1865-1939). Edhe për të thuhet se, po ta kishte mbyllur krijimtarinë në vitin 1900, sot do të quhej një poet minor, megjithëse ndonjë nga poezitë e asaj periudhe është nga më antologjiket, si për shembull poezia “Ujdhesa e liqenit” Inesfree. Mirëpo pas kësaj periudhe, nën ndikimin e poezisë moderniste (Pound-i bëhet sekretari tij personal), ai bëhet njëri nga poetët më të mëdhenj të gjuhës angleze në përgjithësi, si autori i disa poezive emblematike, ku renditen “Mjellmat e egra në Coole”, “Leda dhe mjellma”, “Drejt Bizantit”, “Bizant” dhe “Vizita në shkollë”. Madje, një pjesë të shkruara pas çmimit Nobel.

Shembujt e përmendur na ndihmojnë të arrijmë në përfundimin se zhvendosja e perspektivave letrare nxit një (ri)lexim jashtë konvencioneve dhe postulateve, që mund të kenë kushtëzuar më parë studimin e një letërsie.


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *