Nimfat e Perëndimit

Foto ilustruese

Faruk MYRTAJ  

Gjithnjë e përfytyroja diku në anëdet tim kushëri, Shpëtim Borshin, me vështrim për andej ku thellësia bëhet blu aq e thellë e zëntë, e brendëshme, sa duket sikur të merr frymën. Mbase kjo, për shkak të një fotografie të hershme të tij me disa shokë, në Plazhin e Vjetër…

Natyrisht, më ndihmonin edhe mbresat e rrëfimet e të tjerëve për ta plotësuar këtë imazh për të, por të gjithë pohonin se Shpëtimi e linte çdo verë kryeqytetin dhe, për dy a tri javë, rrinte aty, te gjyshërit e mi. Në këtë fshat të bekuar, mbirë në një kodër të butë, anë rrugës nacionale përtej së cilës niste një fushë e pafund, a mbase kështu dukej teksa vështrimi i njerëzve shkonte e mbytej në det bashkë me horizontin.

Qasej çasti i perëndimit dhe im-gjysh e mbase tërë fshatarët aty uleshin, aty ku i zinte hera, si për të shlodhur sytë në atë mrekulli natyre sajuar veç për ta. Dielli, si e verdhë e vezës së zhveshur më ngè prej të ngrohtit në këto ditëtë gjata vere, sikur derdhej në pjatën e gjelbër të fushës duke u zhytur pak nga pak në të. Ajo masë  e zjarrtë që, po të përpiqeshe ta vështroje ngultaz, të bëhej si e formësuar prej rrathë të shumtë të brendashkruar që derdheshin prej njeri tjetrit. Rrathët e zjarrtë dilnin pa pra prej perimetrit të asaj sfere duke përshëkënditur flakërimë llave dhe, si të mos besoje se gjithë llojet e ngrohtësive vinin prej andej. Mjaft t’i shmangje sytë prej aty, t’i shlodhje paksa në të gjelbërtën e fushës,  dhe pamja niste e shembëllente me fytyrën e një fëmije që lëshohej pa e ndjerë në gjumë të thellë. Buzëqeshja e tij e ëmbël sikur shkonte e mpiksej në buzët e sytë e fshatarëve që përgjëroheshin për atë orë të dorëzimit absolut të tyre përballë natyrës.

Në kujtesë të brishtë fëmije, më bëhet sikuri isha gëzuar edhe unë atij perëndimi, mbetur në sytë e babait, teksa farfuritja e valëvaltë e detit jeshilohej prej të mbjellave të fushëtirës gjer te disku i zjarrtë zhytej e shuhej në ujë.

Kohë më pas, erdhi e u bë e qartë se kjo kënaqësi falas s’mund të vazhdonte pafundësisht më tej. Jeta e njeriut, si pjesë e natyrës, ndërpritet hera herës nga njësi dorë misterioze që kush e di pse, arrin të luaj me dorën e fatit në fushë të ëndrrës. Pra, edhe pse fshatarët e mi, privliegjuar nga natyra, vazhduan t’i kishin shtëpitë e pragjet e tyre lyer me gëlqere të bardhë në po atë kodër, bukuruar me ullinjë si çadra të gjelbra të hapura, mbi të cilat edhe dielli ishte po ai, kqyrja e tij në perëndim s’ishte më e mundur.

Një ditë të beftë, kjo pjesë anëdeti, tërë ajo zonë ku fusha shkonte e njomej në ujra, në atë thellë të kaltër, u shpallë zonë speciale. U ndalua për tu shkelur edhe prej fshatarëve aty, që kurrës’e kuptuan dot pse-në. Aq më shumë kur ajo fushëtirë nisi të ruhej edhe me ushtarë të armatosur. Kqyrja masive e  perëndimit u kthye jo vetëm në diçka të pakëshillueshme por, më rreptë akoma, në diçka që mund të sillte edhe pasoja.

Sot e kësaj dite, vite më pas nga kronika, njerëzit më tregonin se edhe pas kësaj, Shpëtimi vazhdoi të vinte prej kryeqytetit për ta vështruar perëndimin, njëlloj si mëparë. Në të vërtetë, edhe jo pak prej fshatarëve, s’mundën t’i iknin zakonit të hershëm: gjenin ndonjë skutë, sajonin ndonjë qoshkë të vetën, nën degët e ndonjë peme me shumë gjethe a ndonjë shkurre rrëpire, në ndonjë dritare a frëngji, në çati apo në muret perëndimorë të banesave, kudo ku të ishin sa më pak të vërejtshëm prej syrit të të tjerëve. Sa shkonte e më shumë duhej t’i druheshin madje edhe syrit të atyre që, pak më pas ose pak minuta më përpara, bënin të njëjtën gjë. Si të ngrirë prej asaj bukurie, mbyllnin sytë, paralajmëruar se prej kësaj kqyrjeje edhe mund të verboheshin, e megjithatë rrinin ashtu në provë se ende s’ishin vdekur, paçka se mund të mos mburreshin dot se ishin po aq të gjallë sa më parë. Thjesht, arrinin të mbeteshin nxënës të urtë të një orë bukurie që s’të linte të verboheshe pa e shijuar.

Vështrimi shkonte deri atje përtej, sa mundtte më larg, gjersa dielli humbiste i tëri në horizontin e ujit, fshatarët dilnin prej gëmushave, kanaleve, grunjrave, zbrisnin prej pemëve apo dritareve, si njerëz që i largoheshin vendit të krimit. Ndërsa dikur mezi e prisnin perëndimin, këmbenin gëzime, secili shtonte diçka prej kqyrjes së vetë, teksa flisnin për mënyrën si ikja apo zhtyja apo mbytja apo fshehja e diellit ndodhte, tani, edhe pse të njëjtën vetmi kishin, ia mbanin fshehurazi privonin njeri tjetrit kënaqësinë, çapiteshin më tej, kokë-ulur. Ajo farë përskuqje që u mbetej në mollzat e fytyrës prej kqyrjes së ngultë të diellit, i shfaqte edhe prej kur dilnin nga andej sinjerëz në faj. Përse vallë si të lodhur dhe të drobitur, pas kqyrjes vetmuar të perëndimeve. Të pafuqishëm, të pa energji, pa vullnetin minimal për t’ju larguar atij rituali të hershëm, gjykuar tashmë si mëkat por, më tej akoma, s’ndjeheshin dot as njerëz tëmirë, në mos të pasinqertë, sa s’guxonin ta vështronin në sy njeri-tjetrin, sikur ndonjë gjurmë, mbetur prej kqyrjes së diellit, do t’i tradhëtonte.

U ndjenë edhe më keq, të frikur në pafaj, o të frikësueshëm në pafajësi, fill pasi u përfolë se ndokush, jo një i vetëm, shkonte e raportonte te autoritetet e zonës sëvetmuar tashmë- mes detit, diellit e fshatit, se disa prej të atyshmëve vazhdonin t’i mbanin sytë nga perëndimi si më parë. Edhe nëse ata vetë i dorëzoheshin së njëjtës kënaqësie, që tashmë quhej “zakon i vjetër”ose “mbeturinë” e së shkuarës, edhe pse ata gjithashtu qenë lindur në po atë natyrë, prindët e gjyshat e tyre si tërë njerëzia anëdetit, kishin bërë tregëti me varka me brigjet matanë, sa do dikur. Në kujtimet e të gjithëve, deri vonë, deti përmendej intimisht, diçka e afërt, si fusha midis, siç dallgët shembëlleheshin me brigjet me ullinj. Tanimë, jo vetëm deti, edhe qielli mbi të, gjer edhe rripat e tokës që hynin e njomeshin në ujrat e kripura, qenë bërë gjithnjë e më të largëta, pothuaj të huaja. Si pjesë e brigjeve matanë. Njerëzit megjithatë kujtoheshin e zinin ndonjëherë n’goje ditët kur kishin marrëurdhërin të ofruar së pari si porosi, t’i nxirrnin nga deti barkat e vogla të peshkimit, rrjetat e kallamarët, t’i ngarkonin në qerret e avashta, dhe t’i sillnin në fshat. Disa prej tyre i shkatërruan, por pati edhe nga ata që i futën barkat e vogla në bincat e hauret e shtëpive, në shpresë se një ditë do lejoheshin sërish të dilnin në det…

Mbase jo aq dendur si dikur, por edhe së fundi, kur rreziku rritej sa më shumë paralajmërohej, kurpa e kuptuar nisën të flisnin me vete, pleqtë këmbëngulnin se mbrëmjeve të verës, sidomos pas shirave, prej kodrave të fshatit dukeshin drita aq vezulluese të brigjeve matanë. As shkohej ndërmend që ata, të moshuarit të mund të gënjenin, as që i zbukuronin rrëfimet, edhe pse ne, moshët e reja, s’arritëm ndonjëherë t’i shihnim këto drita, a çfarë ishin, e jo më vetëbrigjet andej. Edhe pse shirat vazhdonin si më parë, apo që dielli po andej perëndonte.

Numri i njerëzve që edhe më tej përgjonin perëndimin e diellit erdhi duke u zvogëluar. Gjer në atë masë sa po dukeshin të çuditshëm, zevzekë e vesveselinjë po quheshin, ata që edhe pse e dinin fare mirë se kjo ishte bërë diçka së paku e pakëshillueshme, në mos e rrezikshme…Po, po, e rrezikshme për jetën tënde, por edhe të të afërmëve të tu, atëherë si ka mundësi që të vazhdosh të shmangesh nga rruga e shumicës. Shefat e rinj të fshatit dhe uniformat e ruajtjes së zonës sëkësaj ane deti organizonin aktivitete të përbashkëta, pikërisht nëvaktin e rënies së muzgut, në orën e perëndimit të diellit, vetëm e vetëm që të verifikonin se kush vazhdonte t’u falej atyre orëve. Mungesa në këto grumbullime, dashur pa dashur i linte zbuluar ata që ngulnin këmbë se jo vetëm se asnjë të keqe s’kishte kqyrja e diellit teksa dorëzohej ujrave, përkundrazi…

Këtyre të fshatit, që aty ishin lindur, s’mund t’ua lidhje sytë që me pamjen nga deti dhe dielli që lindtte hapeshin, dhe në prani të tyre mbylleshin mbrëmjeve vonë; njeriu mezi heq dorë nga vesi, aq më pak s’ke si i kërkon të lindurve në këtë natyrë të dilnin prej saj. Por ai tjetri, ai birbua nga kryeqyteti që bënte sikur s’kishte as vesh as sy, që nuk merrte vesh se çfarë porositej, por vazhdonte të vinte pikërisht për këto perëndime…si t’u kujtonte vendasve se nuk kishin përse e humbnin këtë fat natyre.

“Shpëtimi vazhdoi t’I ikte kryeqytetit çdo verë dhe të vinte aty, edhe pasi fshati dukej se i qè nënshtruar rregullit të ri. Ulej e rrinte këtu, tek dy shegët, me sytë andej, gjersa perëndonte…Andej i kishte sytë…”, tregonte më vonë im atë. As ky, nuk thoshte dot asokohe ç’ishin ato drita të andejshme, në ç’rrezik mund të shndërroheshin po të arrije t’i kapje. Vetëm tanimë vjen e del në dritë mendimi se Shpëtimi vështronte edhe përtej perëndimit të diellit, pikërisht për të kapur imazhin e dritave matanë.

Unë prirem të besoj se Shpëtimi do ketë vazhduar t’i vështronte ato drita si gjithë fshatarët, dhe mbase ashtu do vazhdonte, s’di për sa kohë. Vetëm më pas, pasi ishte quajtur mëkat ligjor kjo kqyrje perëndimesh, vetëm pasi fshatarët, shumica e tyre t’i ishte nënshtruar porosisë në urdhërore dhe më tej akoma, vetëm pasi edhe prej fshatarëve të qenë rritur qortimet për këtë këmbëngulje tashmë të paralajmëruar si tërrezikshme, ai me djelmoshat e tjerë të asaj fotografie, vendosën të niseshin. Për andej.

Mbase imazhi i dritave matanë detit ishte thjesht fenomen i korenteve të ajrit të ngopur me lagështirë mbi hapësirën me fushë të gjelbër e det blu, mbase përtej atij imazhi nuk kishte asgjë të qartë, aq më pak të prekshme. Mbase nuk ia vlente fare të niseshe në rrugën që ata morën. Mbase vetëndalimi për t’i kqyrur edhe më tej ato perëndime e kishte joshur, e kishte shtyrë, e kishte mbushur e bërë të pa-rezistueshme dëshirën e tij dhe të djelmoshave të tjerë të asaj fotografie për tu nisur në atë drejtim.

Përfytyroja një mbrëmje të tillë, pas përgjimit të ndonjë perëndimi të vonë vere, pas ca rreshjeve që kanë larë pamjen deri përtej thellësive, Shpëtimi me të tjerët u nisën dhe, kur sapo hynë në ujrat e detit të përskuqur ende nga rrezet e diellit që sapo ishte zhytyr në to, u zbuluan nga rojat e detit…

Nuk doja, s’kisha dot aq fuqi të pranoja si të vërtetë se prej atyre që bënë ndalimin e Shpëtimit e të pamjes ëngjëllore të fotografisë së atyre që nuk nginjeshin dot duke soditur perëndimin, pati edhe nga ata qëdikur ishin gati ta humbisnin dritën e syve, veç tëgëzonin, dëshmonin e rrëfenin për ato orë perëndimi. Një Zot e di se si mund të shpjegohej që dikush prej këtyre tëqèkandisur e shtyrë tëdiltenë muzg e tëkontrollontepër njerëz që vështronin diellin tek zhytej në det. Për më tepër, më vonë u tha se dikush prej tyre kishte ngjallur e shprehur padurim, inat, deri edhe dëshirë për theqafje, pasi Shpëtimi dhe perëndimasit e tjerë, jo vetëm që s’kishin hequr dorë prej asaj soditje por, përkundrazi, ishin nisur për atje, si për të verifikuar ëndërritjen e tyre…

Në të vërtetë, edhe të tjerët në fshat, pasi u njoftua për ndalimin e Shpëtimit dhe të vetëve prej rojave midis detit e tokës ku shuhej dielli, thanë se në fund të fundit edhe ata duhet të bënin si gjithë të tjerët: njeriu nuk se do vdiste, nëse s’do vështronte ato perëndime…


Your email address will not be published.