Martiri

Foto ilustruese

Cristina PERI ROSSI

Në mbledhjen e fundit të komitetit tonë, bërë në njëzet e dy të qershorit të kaluar, me praninë e të gjithë anëtarëve, me përjashtim të numrit njëqind e pesëdhjetë e tetë, i prekur nga një grip i fortë, dhe të numrit dyqind e tridhjetë e një që mungonte për shkak të një zie, analizuam me hollësi pikën e parë të rendit të ditës, që ishte: “Situata aktuale e lëvizjes sonë dhe raporti me armikun”. Trajtimi i një temë aq komplekse dhe me rëndësi aq të madhe kërkon tepër kujdes, prandaj vetëm kësaj pike ia kushtuam mbledhjen tonë.

Raporti i lexuar dhe i aprovuar në mënyrë anonime ishte vepër e njërit prej anëtarëve më të vjetër të këtij komiteti, njëherazi edhe një nga themeluesit më të nderuar të lëvizjes tonë. Në raportin e tij u theksua shkalla e lartë e besnikërisë e shokëve tanë, vetëmohimi i tyre në luftën ndaj armikut, shpirti i lartë i sakrificës që frymëzon veprimet e secilit, shpirtmadhësia e sjelljeve të tyre, vendosmëria në parimet tona dhe besimi në të ardhmen e në triumfin përfundimtar të kauzës tonë, për të cilën askush nuk dyshon. Megjithatë, raporti pohonte se nuk mjafton vetëm besimi për të arritur fitoren përfundimtare, sepse kjo do të arrihet vetëm në qoftë se do t’i shpalosim me forcë aftësitë dhe shpirtin e sakrificës të secilit prej militantëve tanë. Ky moment i fjalimit të tij u prit me entuziazëm të madh dhe u shpërblye me shumë ovacione. Raporti vazhdoi duke vënë në dukje se rruga jonë për të arritur qëllimin ishte e gjatë, ama, ja ku dukej drita që ndriçonte mbërritjen. Pastaj raporti u hodh për të analizuar situatën aktuale të lëvizjes sonë dhe marrëdhëniet e forcave tona me armikun.

Është e qartë që kohët e fundit kemi arritur suksese. Lëvizja jonë ka ecur përpara, ngadalë por me vendosmëri, derisa ia ka dalë të ndërtojë një forcë solide dhe me shumë prestigj. Mësymjet dhe zmbrapsjet në luftë duhen konsideruar si etapa të një procesi të gjatë të cilin e kemi filluar dhe kulmi i të cilit nuk është larg. Veç na duhet të derdhim ende energji të reja deri në suksesin final. Siç e dimë, armiqtë tanë janë të shumtë dhe të fuqishëm. Shpesh janë edhe të maskuar apo të fshehur hijeve. Por nuk do të heqim dorë derisa t’i shpartallojmë.

Edhe kjo pjesë e raportit u brohorit dhe u duartrokit me zjarr. Pastaj, raporti kaloi në analizën e kapacitetit ofensiv të armiqve tanë. Me gjithë sukseset e arritura kohët e fundit nga ana jonë, është e nevojshme të njohim se forcat tona krahas atyre armike ende nuk na favorizojnë. Duhet të luftojmë edhe më shumë dhe të grumbullojmë tërë forcat tona për të arritur një pozicion të favorshëm e superior, për ta përballuar armikun tonë. Për këtë, na duhet të bëjmë një hap mbrapa. Ky hap, i domosdoshëm për të ndryshuar situatën aktuale, do të na hapë portat e një etape të re, nga ku do të shohim qartë dritën e shkëlqyer të qëllimit tonë final. Pra, fjala është për të shpejtuar procesin që do të çojë në fitoren përfundimtare. Po, si do të jetë ky hop që do të na lejojë të kalojmë në etapën tjetër, duke shfrytëzuar gjithë përvojën tonë të grumbulluar nga sukseset e mëparshme?

Duhet thënë se kjo pyetje nuk pati ndonjë përgjigje të menjëhershme dhe të sigurt. Militantët tanë të dashur ia kushtuan tërë vëmendjen përcaktimit të një strategjie për këtë fazë lufte ndryshe nga e mëparshmja dhe që lypte përqendrim të të gjitha energjive.

Pas një analize të thellë dhe të lodhshme të situatës aktuale, të gjithë veprimtarisë tonë luftarake të kohëve të fundit, të kapacitetit reagues të armikut, të historisë së lavdishme të lëvizjes tonë dhe të parashikimit të ngjarjeve në të ardhmen, arritëm, në një mendje, në përfundimin se na duhej patjetër një martir. Kjo ide erdhi pak me vonesë, por u shfaq me tërë shkëlqimin e saj verbues. Pra, në këtë etapë të luftës sonë paskëshim nevojë të domosdoshme për një martir. Një martir do të kishte virtytin për të tronditur marrëdhëniet tona me armikun, do të shumëfishonte forcat tona, do të na grumbullonte energjitë e shpërndara dhe do të na bënte të vërsuleshim drejt objektivit tonë. Një martir do të jetë një simbol i ri për kauzën tonë dhe do ta çojë peshë shpirtin e më të rinjve, të cilët kanë nevojë për stimuj të fuqishëm. Një martir do ta ushqejë kauzën tonë me një forcë të rinovuar, do t’u japë zemër më të dobëtëve dhe do t’i mbushë me pasion ata që janë në pararojë.

Pas pak debateve, rreth mundësisë se si do të bëhej martiri, ç’karakteristika duhet të kishte dhe cili do të ishte momenti i përshtatshëm i përzgjedhjes së tij, projekti u miratua me unanimitet të plotë. Dhe menjëherë iu futëm punës së vështirë për të zgjedhur martirin. Së pari, menduam dhe përcaktuam karakteristikat që duhet të kishte martiri ynë, në mënyrë që vepra e tij të ishte sa më e vlefshme. Nga përvoja dimë se martirët e rastit bëjnë më pak efekt se ata të përzgjedhurit, sepse të parëve zakonisht u shkon dëm sakrifica e tyre. Ka martirë me një emër shqiptimi i të cilit është i pamundur për popullin e thjeshtë, dhe kjo bënë që shumë shpejt të harrohet. Pra, vendosëm që martiri ynë të kishte një emër pa diftongje të komplikuara, pa tinguj të shurdhët e as zanore të dyfishta. Për këtë gjë e studiuam me imtësi listën e njerëzve tanë dhe i shmangëm të gjithë ata që kishin emra sllavë, saksonë, etj. Nga eksperienca dimë se martirët nuk duhet të kenë çfarëdo moshe, por një moshë të përcaktuar, që vepra e tyre të jetë sa më pozitive. Fatkeqësisht, midis martirëve spontanë, shpesh herë kemi pasur burra të moshuar, gra plaka, madje deri edhe foshnja gjiri, sakrifica e të cilëve, duke qenë të tillë, ka pasur pak efekt për çështjen, sepse askujt nuk i dhimbset mosha e thyer, në atë etapë të paqartë të jetës, kur rinia u ka shkuar dhe që nuk kanë se ç’gëzojnë më e as presin ndonjë privilegj apo një pleqëri të mrekullueshme. Edhe foshnjat e gjirit, megjithëse janë shumë të përshtatshme për të nxitur keqardhje te kushdo, për mungesë idesh, shembulli i tyre do të jetë i paqartë për të hedhur dritë mbi qëllimin. Kështu që nuk i morëm fare në konsideratë burrat e thyer në moshë, gratë plaka dhe fëmijët e gjirit. Na u duk e arsyeshme që martiri ynë të kishte moshën midis njëzet e pesë dhe tridhjetë vjeç, moshë që e ka kapërcyer tashmë entuziazmin e rinisë së parë dhe është në prag të moshës së Krishtit. Pikërisht kjo moshë u konsiderua nga asambleja jonë si cilësia më e mirë e martirëve tanë. Një problem tjetër ishte edhe seksi që duhet të kishte martiri. Meqë politika është punë burrash, na u duk e përshtatshme t’u shmangeshim grave, që, edhe pse ndodhen në librin e shenjtorëve, nuk e kanë ndriçimin dhe madhështinë e martirëve, meqenëse vendosmëria e tyre politike zakonisht lë shumë për të dëshiruar. Për sa i përket profesionit, ishim në një mendje se nuk do të ishte i përshtatshëm një student, i paragjykuar zakonisht prej opinionit publik si i revoltuar, rebel dhe i rrëmbyer, por as një punëtor, i shtyrë nga grevistët: na duhej një nëpunës, me profesion të konsiderueshëm dhe pa kurrfarë angazhimi politik. Siç kuptohet, pas gjithë këtyre kushteve, lista e kandidatëve erdhi e u zvogëlua mjaft dhe ne ishim shumë të kënaqur. Në fund, analizuam çështjen më të vështirë, domethënë sakrifikimin. Menduam se më e mira do të ishte që martiri ynë të vritej nga policia gjatë një manifestimi me karakter paqësor të zhvilluar në praninë e gjithë militantëve tanë. Kjo do të bënte të mundur që spektakli të filmohej nga kamerat e televizionit dhe pastaj do të shpërndahej me bujë nga shtypi dhe radioja. Plumbi, i një kalibri të madh dhe i drejtuar me precizon nga policia, duhet t’i futej në kokë dhe të mos kishte vrimë daljeje.

Propozimi u miratua me unanimitet, ashtu si dhe vendimi përfundimtar, dhe u shoqërua me duartrokitje të nxehta nga të pranishmit.

Kjo letër ka për qëllim t’ju informojë se ju jeni martiri i zgjedhur dhe se presim dashurinë tuaj ndaj kauzës, gatishmërinë tuaj për t’u sakrifikuar dhe shpirtin luftarak në plotësimin me besnikëri të rezolutës së komitetit tonë të nderuar.

Përktheu nga spanjishtja Bajram Karabolli

Kristina Peri Rosi: Poete, prozatore, përkthyese dhe eseiste uruguaiane (Cristina Peri Rossi 1941). Bijë emigrantësh italianë, ka studiuar për literaturë të krahasuar. Qysh nga viti 1972 për motive politike emigroi në Spanjë, prej nga më 1974 iu desh të emigronte në Francë, po për motive politike. Aktualisht jeton në Spanjë si shtetase spanjolle. Është një luftëtare e guximshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, prandaj është përndjekur nga diktaturat si në atdheun e saj, Uruguai, ashtu edhe në Spanjë në kohën e Frankos. Ka botuar gjashtë romane, pesëmbëdhjetë vëllime me poezi, dymbëdhjetë vëllime me tregime dhe katër libra me ese. Një nga veprat e saj më të shquara është “Anija e të marrëve” (1984) ku kombinon një teknikë surrealiste me referenca të diktaturave ushtarake të viteve ’70. Vepra e saj letrare është nderuar me gjashtë çmime të ndryshme, midis tyre Çmimi Ndërkombëtar i Poezisë “Ciudad de Torrevieja”.


RELATED POST

Your email address will not be published.