Dy Aleksandrët

 

GAZMEND KRASNIQI

Adhuruesit e Aleksandrit të Madh mund të thonë (jo pa të drejtë) se ç’kërkon një Aleksandër tjetër përbri tij. Ky i dyti nuk është qiellor sa i pari, por, sidoqoftë, ka disa gjëra që i bashkojnë: i Madhi qe nipi i tjetrit (djali i motrës), progresioni ndryshon (ky ndryshim do të zgjasë gjithë jetën e tyre), por të dy u rritën në të njëjtët oborre mbretërorë (Aleksandri i maqedonëve shkoi sa e sa herë në Epir, te e ëma, kur iu rimartua i ati), të dy patën edukim grek, megjithëse të dy vinin nga fise jogreke. Njëkohësisht, për të dy u kujdes Filipi II, për njërin si djalë, për tjetrin si kunat, sepse njëri qe vëllai i epirotes Olimpia, gruas së Filipit, ndërsa tjetri i biri.

Sigurisht, letërsia është arti i ndryshimeve dhe midis të dyve ka mjaft ndryshime, kështu që bie frika e uniformitetit. Aleksandri i maqedonëve e di veten si pasardhës i Akilit (siç thuhet e mbante Iliadën nën jastëk), ndërsa Aleksandri i mollosëve si pasardhës i birit të Akilit, Neoptolemit; pra, i pari ka një paraardhës më fisnik, ndërsa i dyti një më të ashpër. Dihet se si iu zbut zemra Akilit përpara lotëve të Priamit plak, që po kërkonte kufomën e djalit të vrarë, dihet mizoria e Neoptolemit në Trojën e pushtuar: ai vrau Priamin, Astianaksin e shumë trojanë të tjerë, si dhe bëri skllave Andromakën. Sidoqoftë, kur ia deshi puna, as Aleksandri i Madh nuk qe i pamëshirshëm. Pas vdekjes së Filipit II, tebanët bënë një përpjekje të egër, të pasuksesshme, për të rifituar lirinë, por më 335 (p.e.s) qyteti u mor nga Aleksandri, i cili e rrafshoi përtokë, duke e shitur gjithë popullatën (8000 vetë) si skllave. Thuhet se, në këtë rast, Aleksandri ka kursyer vetëm tempujt dhe shtëpinë e poetit Pindar. Nuk qe më pak i mëshirshëm as kur ka vrarë në pije e sipër një nga shokët më të ngushtë, sepse pas një fitoreje të tij, ky (Kliti) filloi të lëvdonte Filipin. Kur u bë esëll, Aleksandri e kuptoi se kishte bërë një nga gabimet më të mëdha të jetës së tij. Fakti se disa nga oficerët ndërtuan dëshmi që Kliti qe tradhtar, mund ta ketë ndihmuar për të dalë nga kjo gjendje. Veçse, pas kësaj, askush nuk guxoi ta korrigjonte më.                   

Një e përbashkët tjetër e Aleksandrëve qe se të dy ishin pushtues: një e përbashkët që ka dallimet e veta, sepse njëri pushtoi nga lindja e tjetri nga perëndimi. Aleksandri i mollosëve mori një ftesë nga tarentinët në Itali, që kërcënoheshin nga federata e fiseve malore të quajtur samnitë, të cilët, sipas dëshmive të kohës, qenë luftëtarë të shkëlqyer.

E përbashkëta është se kjo ndodhi në vitin 334, i njëjti vit në të cilin Aleksandri i maqedonëve përshkoi Helespontin (Dardanelet e sotme) dhe nisi luftën kundër persëve, me një ushtri prej 35.000 maqedonësh e grekësh; oficerët kryesorë qenë të gjithë maqedonas. Pranë qytetit të lashtë të Trojës, ai sulmoi një ushtri prej 40.000 persësh dhe grekësh mercenarë. Pas kësaj beteje, iu nënshtruan të gjithë shtetet e Azisë së Vogël.

Ndoshta nuk ishte vetëm ftesa që e çoi në Itali Aleksandrin e mollosëve, pasi lufta kundër piratëve mund të ketë qenë një motiv shtesë. Burimi më i rëndësishëm historik për këtë fushatë është Tit Livi, që e përshkroi në librin e tetë te Historia e Romës që nga themeluesit e saj, kreu 24. Mirëpo, sipas këtij historiani, motivi më i rëndësishëm qe se orakulli i kishte thënë që do të vritej pranë Akeronit, lumit në perëndim të gadishullit. Kështu, siç është e kuptueshme, vendosi të ikte sa më larg të ishte e mundur prej fatit që e priste: pra, matanë detit.

Edhe ai doli fitimtar: i mundi luftëtarët e shkëlqyer samnitë dhe hyri në negociata me fuqinë udhëheqëse në Italinë Qendrore, Romën, e cila, gjithashtu, i frikësohej luftës me federatën samnite. Dihet mënyra e vdekjes së tij: u vra nga një aleat, ndërsa kapërcente një lumë së bashku me ushtrinë e vet. Data e saktë nuk dihet, ose ngatërrohet, ngaqë kishin mbërritur në Romë lajmet e vdekjes së Aleksandrit tjetër, pushtuesit të Persisë. Ai mbështeti ftuesit e vet, ndaj samnitëve, pa e llogaritur që kjo do t’u sillte ndeshjen e pashmangshme me romakët. As nipi i tij, Pirroja i famshëm, nuk do t’i ndihmonte dot, megjithëse do të korrte disa fitore mbi romakët: tarentinët do të përfundojnë në një marrëveshje paqeje me Romën. Bota mesdhetare qe gati për t’u bërë një, por në vitin 331 nuk ishte e qartë se do të bëhej Roma fuqia udhëheqëse.

Pikërisht në pranverën e atij viti Aleksandri i maqedonëve bëri një pelegrinazh te tempulli dhe orakulli i madh Amon-Ra, zoti egjiptian i diellit, të cilin grekët e identifikonin me Zeusin. Faraonët e hershëm egjyptianë besonin se qenë bij të Amon-Ra; edhe Aleksandri, sunduesi i ri i Egjyptit, donte që zoti ta njihte për birin e vet. Pelegrinazhi, me sa duket, ka qenë i suksesshëm, duket se e ka bindur Aleksandrin në natyrën hyjnore. Pas kësaj, ai kaloi lumenjtë Tiger e Eufrat dhe u ndesh përsëri me Darin (sipas llogarive, të pabesueshme sot, ky i fundit me një milion ushtarë), duke e mundur në betejën e Gaugamelas, më 1 tetor 331. Brenda një kohe të shkurtër Aleksandri realizoi shkatërrimin e perandorisë persiane dhe përfundoi në Indi, pikë që i rebeloi maqedonasit e tij, sepse nuk donin të shkonin më tej. U kthye në Babiloni në pranverë të vitit 323, ku në qershor e pushtuan ethet dhe vdiq. Ia la perandorinë “më të fortit”, testament ambicioz që rezultoi në një konflikt të tmerrshëm, i cili zgjati një gjysmë shekulli.

Ngaqë në kokën e Aleksandrit të maqedonëve kishte vend për të gjithë hapësirën e botës së atëhershme (sipas shënimeve të Borges-it te tregimi Aleph, në lindje ia vishnin Aleksandrit qenien e një pasqyre ku pasqyrohej gjithë universi), edhe orakullin e vet e gjeti tepër larg vendlindjes. Amon qe emri grek i një zoti orakull egjiptian, faltorja kryesore e të cilit ishte në oazin Siva në shkretëtirën e Libisë, 500 kilometër në perëndim të Memfisit, kryeqyteti i Egjyptit të lashtë. Siva qe vendi ku fiset e shkretëtirës libiane adhuronin një zot që kishte trajtën e një dashi. Nuk dihet që Aleksandri ta ketë adhuruar zotin-dash përpara se të vizitonte Sivan, megjithëse e ka parë trajtën e tij edhe më parë, të paktën në dy raste. Sidoqoftë, ai përshëndetej si djali i Amonit dhe filloi të besonte edhe vetë se qe gjysmëperëndi. Sipas një burimi armiqësor ndaj tij (Efipi i Olintit), Aleksandri i mbante brirët e babait të vet hyjnor në raste publike. Në fakt, menjëherë pas vdekjes, Aleksandri është paraqitur kështu nëpër vepra të ndryshme arti, të cilat njihen edhe sot, sepse i gjen në muze të ndryshme të botës.

Në dallim prej tij, ngjan krejt e besueshme që orakulli nga varej Aleksandri i mollosëve, të ketë qenë Dodona, aty në Epir. Si përgjigje nga Zeusi, priftërinjtë e tempullit interpretonin fëshfëritjen e gjetheve të një lisi të madh, veprimet e pëllumbave, tingëllimën e vazove të tunxhta, varur nëpër degë, si dhe murmurimën e një burimi. Edhe Homeri, edhe Hesiodi e përmendin Dodonën, pasi orakulli i Dodonës qe njeri prej më të respektuarve në kohët e lashta, të cilit i qenë kërkuar këshilla si nga banorët përreth, ashtu edhe nga të huaj të largët e të famshëm.

Mos vallë Aleksandri i Maqedonisë qe i mëshirshëm me shtëpinë e Pindarit në Tebë, vetëm e vetëm se kishte marrë mësime letërsie nga Aristoteli? Edhe mundet, kur ke një mësues të tillë, veçse nuk duhet harruar se, sipas fakteve, Pindari qe greku i parë që i kushtoi një ode Amonit, duke i ngritur një statujë të vërtetë këtij orakulli. Lidhja e Alesandrit me këtë orakull del edhe pas vdekjes, megjithëse, siç kuptohet, nuk është ai që vendos për këtë. Në këtë kohë Kleopatra, gruaja e Aleksandrit të mollosëve, njëkohësisht vajza e Filipit II dhe Olimpisë, qe kthyer në shtëpinë atërore dhe u martua me Perdikasin, regjentin e familjes, të cilit i qe dhënë unaza, kur qe thënë testamenti se “perandoria i mbetej më të fortit (kratistoi)”.

Kratistoi do të thotë edhe te Krateri, i cili ishte gjenerali më i rëndësishëm, sa qe gjallë Aleksandri. Krateri qe njëri nga gjeneralët që u revoltua ndaj Perdikas, mirëpo i pari veproi Ptolemeu, sunduesi i Egjyptit. Perdikasi kishte urdhëruar kthimin e eshtrave të Aleksandrit në atdhe, por kur dërgata me trupin mbërriti në Damask, Ptolemeu e bindi udhëheqësin e saj se Aleksandri kishte dashur të varrosej në tempullin e babait qiellor, Amonit, kështu që trupi u çua në Aleksandri. Secili nga Diadokët (pasuesit), me sa duket, kërkon të bindë të tjerët se është më i forti, pasi luftërat nuk reshtin në perandorinë e Aleksandrit të maqedonëve.

Ndërkohë, shumë shpejt, shfuqizohet dhe humbet vlerën urdhri që Aleksandri kishte dhënë përpara se të vdiste: qytetarët e tij ta adhuronin si zot. E pra, asgjë nuk arriti ta fshijë nga historia se qe i biri i Filipit II, mbretit të Maqedonisë. Siç qe Aleksandri tjetër i biri i Neoptolemit, mbretit të mollosëve, njërit prej fiseve më të mëdha të Epirit. Ky fis jetonte në rrethinat e Janinës së sotme. Gjatë mbretërimit të Neoptolemit kishin filluar urbanizimi dhe zyra të tjera administrative, duke i bërë mollosët pjesa më e rëndësishme e Epirit. Kur vdiq Neoptolemi, u bë mbret vëllai i tij Arybass, i cili i forcoi pozitat nga një marrëveshje me mbretin e ri të Maqedonisë, Filipin II. Aleanca u çimentua prej një martese diplomatike: Olimpia, vajza e Neoptolemit, u bë mbretëresha e Maqedonisë. Vëllai më i vogël i saj, Aleksandri, gjithashtu u dërgua në Maqedoni për të marrë një edukim grek. Më 350, Filipi i pushtoi mollosët dhe e shpalli Aleksandrin mbret, por nuk dihet ndonjë gjë e veçantë për të, gjatë këtyre viteve të mbretërimit, përveç që i nënshtroi fiset e tjera epirote dhe se i ofroi azil të motrës, Olimpias, kur ajo pat nevojë, pas një martese tjetër të Filipit II.

Sidoqoftë, (gjithmonë sipas historisë) edhe pse mbret, Aleksandri i mollosëve nuk qe aq i fortë përballë Filipit: u detyrua të martohej me vajzën e së motrës, çka e izoloi edhe më shumë këtë të fundit, deri në vdekjen e të shoqit. Rasti i martesave të Aleksandrit tjetër, është ndryshe: ai jo vetëm që i shtynte oficerët e vet të martoheshin me gra të huaja, por edhe e bëri vetë një gjë të tillë. Dy martesat e tij figurojnë me gra nga lindja; njëra është Roksana, bija e sundimtarit të Sogdisë, ndërsa tjetra është Barsine (ose Stateira), vajza e madhe e Darit. Kur Aleksandri vdiq, Roksana ishte shtatzënë. Për një vajzë të lindur në Sogdia, që kishte parë Indinë e që kishte jetuar në pallatet e Persisë e Babilonisë, duhet të ketë qenë e çuditshme jeta në një qytet privincial të quajtur Amfipolis në Evropën barbare, megjithatë ajo erdhi me djalin e vogël dhe u bë pjesë e lojës politike që zhvillohej këtu. Ka pasur mbështetjen e Kleopatrës, kunatës, ish-gruas së Aleksandrit tjetër, e cila po luante një rol të rëndësishëm në një botë ku intrigat e grave kishin peshë, por punët i bitisnin burrat, prandaj nuk e patën të gjatë: i vranë, si për të thënë se dy Aleksandrët (me gjithë progresionin e ndryshëm aritmetik të madhështisë së tyre) i ndiqte e përbashkëta edhe pas vdekjes.

Ndërkohë, aty afër po rritej Roma; Aleksandri i mollosëve ia kishte shtruar rrugën për t’u bërë fuqi udhëheqëse, ndërsa Aleksandri i maqedonëve për t’u bërë perandoria e botës. Perandoria e re i njihte orakujt, por nuk i bëri për vete. Ato po rrënoheshin, veçse jo nga kujtesa: ata që kanë dëgjuar për Aleksandrin e mollosëve, e dinë se lumi ku u vra, pa dalë mirë trupi i tij nga uji, u quajt Akeron.

 

qershor 2006


RELATED POST

Your email address will not be published.