Fundi i ëndrrave – Ben Elkadi

Ne foto: Klandestine (ilustrim)

Ben Elkadi

Yjet shndrisin në qiell dhe hëna del për të ndriçuar terrin e natës hijerëndë. Protagonisti i vetëm i kësaj heshtjeje është zhurma e motorit të motobarkës që formon rrudha të dukshme mbi sipërfaqen e detit.

Ismaili ndodhet midis tridhjetë e pesë shokëve të kombësive të ndryshme, shumica e të cilëve njiheshin me njëri-tjetrin, qysh më parë. I bashkon motobarka e caktuar për të përballuar peshën e nja dhjetë personave.

Ismaili, drejt arratisë, ëndërron për të ardhmen, dhe provon t’u shmanget emocioneve të çastit, duke u zhytur në disa kujtime, të cilët kurrë nuk i pati grishur më parë.

…Dita e parë e shkollës. Frika që ndjeu kur hyri në atë klasë… Nuk donte të ndahej nga motra e tij e madhe që e solli aty dhe që iku, duke e lënë vetëm me mësuesen. Miqësitë e mëvonshme me shokët e klasës…

Shikon detin, dëgjon motorin dhe me mendje shkon përsëri në vitet e shkuara, kur ishte në klasën e katërt:

…Ç’ditë e mallkuar! Profesori i kërkoi të recitonte një poezi. U ngrit i hutuar dhe filloi të belbëzojë, duke rrëmuar mendjen në kërkim të fjalëve, për të dalë nga ajo situatë. Por gjithçka ishte e kotë dhe zëri i profesorit qe i ashpër: Nuk ke mësuar?!

Ismaili u ul te vendi me fytyrë të zverdhur dhe shokët e çuan pranë profesorit, i cili, pasi nxori shufrën nga sirtari i tryezës, e goditi me të pa mëshirë… Trupi i tij i vogël u drodh, lotët i rrodhën çurg dhe bërtiti…

Kujtimi i asaj britme nga bota e tij e brendshme, befas u shoqërua nga një britmë tjetër reale e një njeriu të rritur, shok i tij në motobarkë:

– Shikoni peshkaqenin! Një peshkaqen i madh. Obobo, do të na hajë.

Britma të tjera po luteshin për shpëtim dhe shefi që drejtonte motobarkën, gjithë inat, u thotë që të heshtin.

Në motobarkë përsëri sundon heshtja. Kalojnë edhe katër orë dhe dritat nisin të shuhen. Det dhe qiell, qiell dhe det… Asgjë tjetër nuk duket. Nata është e frikshme. Heshtja që mbretëron e çon përsëri në një kohë tjetër, vendimtare për jetën e tij: kohë provimesh.

…E ëma e zgjoi dhe, pasi hëngri mëngjesin, shpejt e shpejt, i dha paret për autobus dhe i uroi fat për provimin.

U ul në vendin e fundit, pa i hequr fletët e provimit nga duart. Gjithë frikë, por, me lehtësi, i gjeti përgjigjet e pyetjeve. Përfundimisht, e mori maturën! Sa gëzim i madh! Gëzim që u kthye në trishtim, kur u nda nga familja dhe miqtë e tij, për të shkuar në qytetin e madh, ku do të realizonte ëndrrën e madhe, ëndërr e paarritshme për të rinjtë e fshatit të tij: Universiteti.

Katër vitet të vështira në një dhomë, së bashku edhe me tre shokë të tjerë. Studioi, gatoi, pastroi dhe plot punë të tjera për të përballuar shpenzimet e studimeve…

Një zë kërcënues ia ndërpret sërish kujtimet:

– Më jepni një cigare, ose e përmbysa këtë dreq motobarke!

Është njëri prej bashkudhëtarëve, i cili ka nxjerrë një thikë dhe bëhet gati të çajë fundin e motobarkës. Nis kaosi. Të gjithë bërtasin. Së fundi, kërcënuesi siguron disa paketa me cigare dhe jo një cigare të vetme.

Ismaili ndjen dëshirën të kthehet përsëri tek e kaluara:

…Viti i fundit i studimeve të tij. Emri i tij në listën e atyre që kanë kaluar. Ç’gëzim!

Në perëndim të diellit mbërriti në fshat. E priste një festë. Të gjithë fshatarët këndojnë dhe hedhin valle për të riun e parë që ka marrë titullin si universitar. Një natë që kurrë nuk do ta harrojë.

Kaluan ditë. Diplomën e ka varur në murin e dhomës së tij. Shkoi në ara të punojë bashkë me prindërit. Herë pas here shkonte në kryeqytet për t’u bashkuar me studentët të tjerë të diplomuar, në manifestimet për të kërkuar punë. Në dyzet vendet e hapura, siç thoshin, kishin shkuar bijtë e të pasurve dhe politikanëve. Përsëri protestë. Tani me parullën kryesore:

Jo! Dallimit social të varfër + të pasur  = student të diplomuar

Ishte një përplasje e madhe me forcat e rendit. Ende i ruan shenjat e djegura nga uji i nxehtë, me të cilin i shpërndanë…

Shikon krahun e vet… Zëri i një të riu që reciton kuranin e sjell përsëri në motobarkë. Të gjithë e dëgjojnë me solemnitet recituesin. Askush nuk mund ta prishë qetësinë. Secili e ka mendjen në tjetër vend, shumë larg prej aty.

Të ftohtit dhe lagështira i shton drithërimat e trupave të tyre që ngjajnë si fantazma. Sytë e tyre shndrisin si yjet në terrin e qiellit dhe të detit.

A është shndritje shprese apo frike prej së panjohurës?! Recituesi vazhdon me kuranin.

…Dhe Ismailit i kujtohet recitimi i kuranit në funeralin e të atit… Atë ditë të mallkuar ishte në plazh me shokët e tij, kur dikush i solli lajmin më fatzi të jetës së tij.

– Babai yt ka vdekur papritur, duke punuar në arë.

I ati… Po e ëma dhe njerëzit e tij, vallë ku gjenden tani?…

Recituesi hesht, papritur. Tufa peshqish vijnë vërdallë rreth e rreth motobarkës. Jo shumë larg duket dritat e një anijeje.

Heshtja e natës duket sikur s’ka të mbaruar, ndërkohë, dritat që i shqetësuan dhe i frikësuan davariten.

Deti tiran vazhdon i qetë, pa dashur të dijë aspak se ç’po ndodh. Kanë kaluar dymbëdhjetë orë. Shfaqen rrezet e para të mëngjesit dhe me to fillon një ditë e re, që askush nuk e di se ç’fund do të ketë. Veç detit dhe qiellit, asgjë tjetër. Nuk duket asnjë mal afër, as tokë. Frika shtohet edhe më.

Ismaili ndien nevojën të kthehet mendërisht te shtëpia e tij.

…Me duart që i dridheshin e mori valixhen me rroba dhe pak ushqime që i kishin përgatitur e ëma dhe e motra. Ato, nuk harruan t’i jepnin me vete edhe diplomën e Universitetit, të plastifikuar mirë e bukur, duke i uruar, me gjithë zemër, fat dhe lumturi.

– Ndoshta me këtë Diplomë do të gjesh ndonjë punë të mirë.

Ai e pa gjithë trishtim dhe e futi në xhepin e brendshëm të xhupit…

Ndërkohë një zë i tremb të gjithë… Kthehet përsëri aty ku ndodhet, në mes të detit. Për t’u siguruar se nuk ishte në ëndërr, e nxjerr nga xhepi Diplomën. Dhe zëri bërtet:

– Një helikopter! Hidhni mbulesën sipër!

Një mbulesë e madhe plastike e kaltër që do ta bënte motobarkën të ngjante me detin.

– Nuk mundemi ta nxjerrim dot, na shpëton nga duart! Guxim, edhe pak e do të mbërrijmë!

…Do të mbërrijmë… do të mbërrijmë! Ëndrrat e Ismailit fillojnë sërish dhe ai përfytyron veten duke jetuar në një banesë të bukur, duke ngarë një veturë të mirë, duke punuar në profesionin e diplomimit të tij… Ja, po kthehet në fshatin e tij, i ngarkuar me dhurata për të afërmit, i martuar me atë vajzën që e shikonte në një mënyrë të veçantë…

Një fund i lumtur i kësaj kronike…

Por shpesh, fundi nuk është ashtu siç do…

Papritur, gjithçka ndryshon, zhduket dielli, era fryn në një mënyrë të frikshme. Të gjithë janë të alarmuar. Motobarka vërtitet me forcë sa andej këtej, mbi dallgët e detit, ndërkohë që po mbushet me ujë. Fytyrat e ëndërrimtarëve shkëlqejnë…

Vdekja vërtitet gjithandej.

Britmat e tmerrit, vajtimet, pendimet, përzihen me shijen e kripës… me vdekjen.

Ëndrrat e trëndafilta kthehen në makthe. Drejtuesi i motobarkës është ngatërruar në vendimet e veta. Duke kërkuar të vetmen zgjidhje të mundshme, përfundon me thirrjen e trishtë:

– Po mbytemi! Ndihmë!

Një dallgë e fuqishme e përmbys motobarkën. Gjithçka përfundon në thellësi të detit. Trupat e njerëzve, ndoshta, nuk do të gjenden më kurrë.

Diploma e plastifikuar e Ismailit noton në sipërfaqe, duke refuzuar të mbytet, noton të mbetet si e vetmja dëshmi e kësaj tragjedie.

…Si do të ishte fundi i kësaj kronike në një botë pa kufij dhe as pabarazi?

Autori është nga Maroku. Përktheu në shqip: Bajram Karabolli


RELATED POST

Your email address will not be published.