Artur Baku – Cikël poetik

 

KËND INFORMATIV

Çfarë do më shkruash sonte
me shkronjat apokrife të heshtjes?
Prapë poezi?!
Po unë kam kohë që nuk lexoj poezi,
lexoj vetëm gazeta, shoh vetëm lajme.
E di: jam pak demode

në një vend ku të gjithë lexojnë poezi
dhe askush nuk lexon lajme.
Dje askush nuk e lexoi kryelajmin e ditës:
“Aluvionet e syve të tu kanë përmbysur periferinë e qytetit N.”
Si nuk ka një reporter për këto kronika?
Të gjithë shkruajnë poezi, akush nuk lexon lajme.
Edhe sot askush nuk e lexoi kryelajmin e ditës:
“INUK prish ndërtimet pa leje

që rrethonin kopshtet e syve të tu.”
Prapë poezi?! Për yje, hënë, ndarje, bashkime..
Më fal, nuk kam kohë, është e martë sot,
dita e informacionit politik.
Kryelajmi i ditës:
“Reforma në drejtësi nuk kalon pa konsensusin e syve të tu.”

 

GALERIA E HIJEVE

Mes teje dhe natës
derdhet silueta e hijes sime,
që kurrë nuk mbërriti tek ti.

Mes meje dhe natës
derdhet dallga e hijes sate
që kurrë nuk mbërriti tek unë.

Mes botës dhe natës
kapërthehen hijet tona,
që kurrë s’i mblodhëm të plota.

 

PATINAZH

Ato kundronin
patinazhin e yjeve
mbi sy të akullt.

 

AROMË BLIRËSH

Në këtë qytet
dimrat vijnë rrallë,
si grup muzikor rroku
në një provincë,
që njerëzia e pret
me një gotë verë
të ngrohtë në shesh.
Ndryshe janë kthimet tuaja,
ashtu pa bujë
ti tretesh në ajër
mes aromave të blirëve,
shndërrohesh në shpirt prej uji,
futesh në poret e qytetit,

harrohesh.

 

BARDHËSI

Mbase do të kryqëzohemi diku
në terminale aeroportesh
me pasaporta të bardha në duar,
ku shkruhet: “Republika e Harresës”.

 

RRËZIME YJORE

U këput një yll
dhe u shua në gjithësi.
Ka pesë miliardë vjet
që yjet bien mbi botë
po njësoj, me të njëjtën magji,
që nga epoka e akullnajave
dhe sot në epokën e përflakur
të syve të tu.

 


RELATED POST

Your email address will not be published.