READING

Zef Skiro di MAXHO – NJË KARVELE PËR GARIBAL...

Zef Skiro di MAXHO – NJË KARVELE PËR GARIBALDIN

Rrëfime në prozë

 

Kur Garibaldi me sulm djaloshi arruri ndanëz Palermës, më parë se të vej e pushtoj kryeqytetin e ishullit, qëndroi në mes të Arbëreshëvet të Horës, çë ahierna thërritej “Piana dei Greci”.

Garibaldi u hip nga Murtilat e u zdrip te Hora nga ajo hjimë çë pran mori emrin “Discesa dei Mille”. Arbëreshët e pritën si “lirues”, pas mësimevet të Pjetrit Pjediskalci e të shokëvet patriotë.

Gratë e patriotëvet, natën më parë se të vijën garibaldinët, kishën gatitur bukën arbëreshe të rrumbullakët si dielli, tuke i dhënë furrnarevet punë çë nga orët e sprasme të natës, kur i duhej qëro të gdhihej.

Si garibaldinët hyrën te Hora e morën vend të prëheshin aty ku sot ndodhet “Piazza Nino Bixio”, zonjat, zonjushet e gratë e thjeshta të popullit dollën jashtë e i dhuruan “ai Mille” karvelet dy kilesh për nga dy e karvilotet njëi kili për nga një, me gëzim të math të këmishëvet të kuqe, çë bashkë me erën e t’ ëmbël të menatës, thithjën merën e bukës sapo dalë nga furri.

Si kle e si ngë kle, Garibaldi, çë më parë deshi sa buka t’i dhurohej djemvet me këmishën e kuqe, qëndroi pa karvele.

Kle tek ai mument çë nje burrë uluriti: “Një karvele pë’ Garibaldin!” e një grua e popullit, ngase trëmbej t’ i qasej Heroit, dërgoi tek Ai të birin me një diell te duart plot me erë të pjekuri.

Garibaldi dukej se ngë kish mbëhì të mirrëj të ngrënë, edhe përçë disa njerëz të mëdhenj ushqimin e tyre e marrjën nga tjera shërbise çë ngë i glasjën shërbiseve të të krështerëvet të përditshëm.

 

Djali i asaj gruaje rrodhi drejt Heroit e me gjallëri  fëmiji i dha bukën. Heroi mori bukën, i qeshi djalit, e përkëdheli, i dha një cimb të përzëmërt te faqja e u pruar te mendimet e tij. Por, ndërsa ish ashtu në mendime, Heroi nxori nga gajofa një thikë e pjerrë si drapër i vogël,  preu një theliqe të avullshme aqë ish valë e valë, i thithi merën e zuri fill të haj dal’e dalë, tuke tundur kryet sikurse thoshëj “ëh, kjo ëj se ë bukë ë vërtet”!

Djali u pruar tek e jema, çë i qeshi së llargu, e pra rrodhi i gëzuar tek ajo se kish bërë mirë urdhuratën. E jëma, si ai arruri ndanëz, i mori shpatullat e ja shkundi me gjithë fuqinë gruaje çë kish. Djali u trëmb, se ngë dij çë bëri të gabuar, por ajo i tha me ëmbëlsi se të shkundurit ish sa ai të  kujtonej për sa rroj për atë mument kur i dha bukën Garibaldit. Djali lidhi përgjithmonë dridhmat e kurmit t’ tij me dhuratën e bukës Heroit.

 

Ish shumë i vogël djali të vishëj pethkat e garibaldinit, këmishën e kuqe, e të nisej sa të bashkoj “l’Italia”. Por, tuke shkuar qëroi e tuke u rritur, i mori pjesë.

Stisi një histori garibaldine për vetë, ashtù se në e gjegjeshe, jo vetëm se i dha të ngrënit Garibaldit i uritur te Hora e Arbëreshëvet, por edhe shkoi me atë Palermë, Milaco, te Aspromonti, te Volturni, Teano.

E rrëfyej se në ngë kish klënë për atë, Garibaldi ngë kish pasur fuqinë te kurmi t’i bëj ballë armiqvet në Palermë; përçë buka jonë ë një bukë e rrallë, ushqim të shëndoshtë, çë të mban me fuqi gjithë ditën, mënd t’e ngrësh te trasta e mënd t’e hash të nesërmen, kundërmuese edhe më shumë; pas dy ditësh ë edhe më e t’ ëmbel, përçë bën sikurse thahet, e pas tri ditësh ë si viskot. Ti mënd të kishe idetë të qarta pa ngrënë atë bukë, si i pati Garibaldi kur ndanëz Gibilrosës i tha Nino Biksiot: ”Ni’, nestër Palermë!”?

 

Tuke shkuar muajt e vitet, rrëfimi i bukës të dhënë Garibaldit u qos me tjera hollësira, çë më parë djalit i kishën jikur. Për shembull se, për shkak të të ndurisurit e të dhëndësisë të asaj bukje, njohur te gjithë rrethi i provinçës së Palermës e me atej, mend t’jetë se ndo thele, prerë me atë thikë të pjerrë si drapër i vogël, Garibaldi t’e ketë ngrënë edhe në Milaxo; thomse e hëngri edhe te Aspromonti, o edhe pak më parë se të i jipëj “l’Italia” Vitoriot Emanuele II “a Teano”.

Te Hora, djali, nanì kopil, ish shumë i njohur. Në përgjithësi, gjesti i tij ish mbajtur si shëmbëlltyrë e kontributit dhënë nga arbëreshët idevet garibaldine, çë ë sikurse thua kontributin “all’unità d’Italia”. Kle kontributi gjaku i Pjetrit Pjediskalcit, te mali Lenciti; kle kontributi veprash të aqë shumë patriotëve te shkëlqyer, ndër të çilët Beniçi, Kalivà, Suli, e tjerët; por do t’vësh me faktin se ti, djalë i vogël, ushqeve burimin i gjithë asaj lëvizje rivolucjonare, çë i dha “all’Italia”, bashkimin?

 

Kur arbëreshit të bukës, pas ca vjetësh, i lenë bijtë, ndijeti se historia e tij ngë mënd të vdisëj kurrë. E ashtù ja mësoi të bijvet me gjithë hollësirat, çë vejën tuke u shtuar me burì, e të bijtë, pa skollë, logjikisht i shtuan tjerat, aqë se dukej se “l’Italia unita” e kish bërë prindi i tyre.

 

Më parë se të shkoj nga kjo jetë te jetra, ku ndodhen të shumtit, garibaldini i bukës, thërriti të bijtë rreth, zbilli sënduqin ku mbaj shërbiset e tija, nxori një skatull druri të mbyllur me një kliç i vogel, ngrëjti kapakun e skatullës e tuke ja shkuar përposh syvet njëi pas tjetrit, i tha të bijëvet, çë e vërejën me gojë të haptë, se ato ishën drudhet të thata e, me qëroin nanì të verdha, çë i kishën rarë Garibaldit kur dhrosisej të haj atë ushqim të rrallë e plot me sustancë çë ish e ë edhe sot buka e Horës.

 

Bijtë ja trashëguan bijvet, tuke dëftuar si dokument e besës së tyre drudhet të ngrëjtura me kujdes. Por dihet se niprat janë me pak te lidhur vizatimevet të prindravet e zunë fill të rrallojën rrëfimet, edhe përçë ndonjerì arruri të bëj studje në qytet.

 

Stërniprat klenë një gorromimë: kishën punt për faktin se stërgjyshi kish dhuruar vetëm një bukë të thjeshtë, megjithëse buka jone ë buka jonë, e rrumbullakët e kundërmuese, pa shtuar për shembull edhe një thele primusalli o një grusht ullinjsh. Ashtù, megjithëse mbajën besën kundra vullnesë, shkurtuan trashëgimin gojor të ngjarjes e megjithëse e rrëfyejën, bëjen sikurse harrojën skatullën me drudhet garibaldine, për te çilat kishën dyshim se mënd t’i kishën rarë Garibaldit.

 

Por qeronjet ndërruan edhe më shumë: niprat e nipravet qeshën për aventurën e gjyshit të tyre garibaldin, e i dukej pa tru të mendoje se Garibaldi mënd t’ kish ngrënë ca thele bukë ndanëz Gibilrosës, me parë se të hyj Palermë; pa krye ish se mënd t’ kish qellur te trasta atë bukë edhe në Milaco!

Niprat vunë pra në dyshim, tuke bërë studime të holla te libret çë flasjën për të bëmat edhe më të vogla të Garibaldit, se Heroi mund t’kish ngrënë këtu te Hora e Arbëreshëvet bukën e rrumbullakët të traditës. Një nip student tha se zglodhi te një libër, kushedi ka e nxori, se thomse Garibaldi kur shkoi te Hora kish një dhëmballë ç’i dhëmbëj e dihet se buka jonë e rrumbullakët ngë mund t’ hahet me dhëmbjen e dhëmbëvet. Thomse Garibaldi ja kish dhuruar Nino Biksiot, çë i rrij gjithmone ngjitur te ana.

Ashtù, niprat e nipravet të nipravet, mbyllen gojën e ngë folën më. Të thënat mbi bukën dhënë Garibaldit u shuan.

Drudhet një ditë dimri, kur zbora bën të qasen pàsarit çë ngë gjejën të ngrënë të picullisjën, klenë shturë tek ajo kutrë e bardhë: por edhe të njomura nga lagësira e zborës ngë ishën më të mira të i picullisjën zogat.

Një stërpikje e re zborje pra i pështroi përgjithmonë.

 


RELATED POST

Your email address will not be published.