Dita e Holokaustit, – Aushvici

 

Muzeu

Nga Gazmend KRASNIQI

Si shkruhet historia?
Një pyetje e ngritur dhe e diskutuar prej mijëvjeçarësh dhe ende tingëllon sikur sapo të jetë shqiptuar: asnjë histori e shkruar nuk i lë të gjithë të kënaqur. Shqiptarët e sotëm janë një dëshmi e gjallë dhe reale e gjithë kësaj: jemi të rrethuar nga kujtesa e nxehtë e disa grupeve, por na mungon gjakftohtësia e gjykimit të fakteve (kur ato janë, apo kur mund të biem në një mendje, siç është rasti i 28 e 29 Nëntorit).
Ndërsa mendon kështu, vetvetiu të vijnë në mendje fjalët e protagonistit të një romani të Elsa Triolesë, i cili thotë:
Unë nuk besoj në mundësinë e verifikimit të së vërtetës historike… Rrëfimet e dëshmitarëve të drejtpërdrejtë, bile rrëfimet e më të ndershmëve, nuk përputhen asnjëherë; ç’është e vërteta të gjithë ata janë dëshmitarë të rremë…
Flet idealisti i historianëve.
Mirëpo në Aushvic nuk është e domosdoshme të lexosh, por të shohësh.
Në vitin 1947, një akt i parlamentit polak themeloi Muzeun Aushvic-Birkenau, aty ku ndodhen Aushvici I dhe Aushvici II, pjesë të ruajtura të kampit më të madh nazist të vdekjes. Në vitin 1979, Unesco e futi atë në listën e Trashëgimisë Botërore.
Ky muze është vizituar deri më sot nga më shumë se 30 milion njerëz. Pas viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, ai vizitohet prej rreth 700,000 vizitorësh në vit.
Këtu, shumëkush do të bindet se një muze flet më shumë se qindra e qindra libra së bashku.
A kemi ne muze të tillë, ku faktet i ke parasysh?
A po duhet të lidhemi pas disa librave, që përfaqësojnë vetëm kujtesën e disa individëve apo grupeve të caktuar?
Ja, një pyetje që sikur sapo ka lindur për ne!

Historia e kampit

Po si qëndron puna me kampin që fillimisht (po të heqim rrethimin me tela) të shtrihet parasysh me pamjen e zakonshme të peizazhit polak: disa ndërtesa në një peizazh të pasosur fushor!
Nazistët e hapën këtë kamp më 1940, në periferi të qytetit Osvieçim, që si shumë qytete polakë qe pushtuar nga forcat gjermane me shpërthimin e Luftës II Botërore. Godinat prej tulle, që kishin shërbyer për ushtrinë polake, por që ishin ndërtuar qysh në kohën e perandorisë austro-hungareze, qenë gati. Gjermanët e ndryshuan emrin e qytetit në Aushvic dhe ky u bë emri i njohur i kampit.
Në vitet në vazhdim kampi u rrit, derisa filloi të përbëhej nga tri pjesë të mëdha: Aushvic I, Aushvic II-Birkenau dhe Aushvic III-Monovic, si dhe më shumë se 40 nënkampe të vogla. Fillimisht, këtu burgoseshin polakët. Më vonë këtu vinin të burgosurit sovjetikë të luftës, romët dhe të burgosurit nga vendet e tjera.
Në fillim të vitit 1942, kampi u bë skena e vrasjes më të madhe në masë në historinë njerëzore. Me krijimin e kampit në Birkenau, pjesa më e madhe e hebrenjve drejtoheshin drejtpërdrejt në dhomat e gazit. Është vlerësuar se këtu janë sjellë së paku 1,100,000 hebrenj. Këtu qenë sjellë rreth 150,000 polakë, 23,000 romë, mbi 15,000 sovjetikë dhe mbi 10,000 të burgosur nga vende të ndryshme të Evropës. Pjesa më e madhe e tyre vdiqën këtu.
Të burgosurit silleshin me trena dhe që në fillim ndaheshin në katër pjesë:
– një grup, rreth tri të katërtat, shkonin në dhomat e gazit brenda pak orëve; këtu përfshiheshin fëmijët, gratë dhe pleqtë
– grupi i dytë përdoreshin si skllevër pune nëpër fabrika të ndryshme. Mbi 1,100 hebrenj polakë i shpëtuan dërgimit në kampin e Aushvicit falë industrialistit gjerman Oskar Shindler, në fillim për të punuar në fabrikën e tij pranë Krakovit, pastaj në një fabrikë që tashti ndodhet në republikën Çeke.
– grupi i tretë shkonte për eksperimente mjekësore në duart e një mjeku të quajtur “Engjëlli i vdekjes”
– grupi i katërt përbëhej nga gra që përdoreshin për të punuar
Në fund të luftës, për të fshehur krimet, këtu në Birkenau nazistët shkatërruan dhomat e gazit dhe krematoriumin.
Në janar të vitit 1945, kur hyri Ushtria e Kuqe, në kamp kishin mbetur rreth 7,000 të burgosur, pasi një pjesë e tyre, më të fortit, qenë evakuar, në një marshim vdekjeje, për në Gjermani.

 

 

Vazhdon historia

Si të gjitha kampet e përqendrimit, edhe Aushvici u ndërtua nga kreu SS Himler.
Siç thamë, ndërtesat që u përdorën për kampin Aushvic I më parë qenë kazerma të ushtrisë polake, kështu që nazistët nuk u munduan shumë që ta ngrinin atë: kuptohet rrethimi me tela u projektua nga fillimi. Ndërtesat vazhdojnë të jenë në gjendje të mirë dhe pikërisht aty ndodhen eksponate të ndryshme muzeale, ku përfaqësohen vende të ndryshme që kishin të burgosurit e tyre në këtë kamp.
Shqipëria nuk është. Ose nuk ka pasur përfaqësuesit e saj në këtë kamp, ose ka pasur ndonjë numër të vogël, pasi për Jugun kishte kampe të tjera: edhe Jugosllavia e Austria bëjnë pjesë në një muze të vetëm.
Porta e hyrjes në Aushvic I është fotoja e njohur si ikonë e këtij kampi, ajo që ka përsipër shkrimin ARBEIT MACHT FREI (Puna do t’ju bëjë të lirë). Këtu kalonin të burgosurit që niseshin për në punë, shoqëruar nga tingujt e një orkestre. Ndryshe nga ç’është përshkruar nëpër disa filma, shumica e hebrenjve ishin në Aushvic II dhe nuk kalonin këtu.
Aushvic-Birkenau, me një tjetër ikonë të paraqitjes së kampit, atë të quajtur Porta e vdekjes, do të ndërtohej 3 km më larg. Në maj të vitit 1944, trenat e mbushur plot hynin deri brenda kësaj porte. Ndryshe nga Aushvic I, ku ndërtesat qenë me tulla, në Birkenau shumica e barakave qenë prej dërrase. Të burgosurit e ndanin një shtrat tip marinari me një mesatare prej pesë vetash.
Dëshmi faktike të asaj kohe janë kutitë boshe të gazit Zyklon B, flokët e grave, valixhet dhe këpucët e personave të zhdukur.
Në krematoriumin e Aushvic I llogaritej që të digjeshin 340 trupa në ditë, ndërsa në kompleks, kur u ndërtua edhe ai i Birkenaut (1943), mund të digjeshin 4,576 trupa në ditë.
Pas ikjes nga kampi, nazistët, për të humbur gjurmët, i hodhën ato në erë, por dhomat e gazit dhe krematoriumi i Aushvic I dëshmojnë të njëjtën pamje.

 

Pas Aushvicit nuk mund të shkruhen më lirika

Një filozof tha se pas Aushvicit nuk mund të shkruhen më lirika.
Të tjerë folën për fajin kolektiv.
Sigurisht që duke vizituar Aushvicin njeriu del tmerrësisht i pështjelluar: që nga mendja deri te rropullitë.
Komandanti SS i kampit Rudolf Hoess i ka bërë një përshkrim të detajuar punëve në kamp, gjatë pyetjeve që iu bënë më vonë, si dhe në autobiografinë e tij. Ai u var në hyrje të krematoriumit të Aushvic I dhe trekëmbëshi i ekzekutimit mund të shihet edhe sot.
Si mundën të bënin veprime të tilla njerëz që kishin lexuar Geten, Rilken, që kishin dëgjuar Moxartin, Shubertin? Kjo pyetje, për njerëzimin ende nuk ka gjetur përgjigje.
Ja disa emra që kaluan nëpër këtë kamp apo u vranë aty:
Primo Levi, shkrimtar italian me origjinë hebreje
Robert Desnos, poet francez
Ana Frank, ditaristja e famshme
Imre Kertezh, shkrimtari nobelist i vitit 2002
Mu në mes të Evropës, gjithçka qe bërë me fshehtësinë më të madhe.
Forcat aleate kishin marrë disa informacione, por vrasjet masive i kishin parë si të ekzagjeruara. Gjërat ndryshuan kur raportuan dy të arratisur nga kampi: forcat aleate filluan të lidhen me të vërtetat e Aushvicit në mesin e vitit 1944.
Pas kërkesës së një rabini sllovak, në maj të vitit 1944, u ndërmor një fushatë për të bindur forcat aleate që të bombardonin Aushvicin apo linjën hekurudhore që të çonte atje. Çërçilli urdhëroi që të përgatitej një plan i tillë, por sqaroi se bombardimi i kampit do të vriste të burgosurit, ndërsa bombardimi i linjës hekurudhore ishte i pamundur.
Në vitin 1943, brenda në kamp u organizua një grup me qëllimin që të nxirrte jashtë kampit sa më shumë informacione mbi ato që ndodhnin aty. Ata groposën të dhëna të ndryshme, me qëllim që një ditë të zbulohej e vërteta.
Primo Levit, shoku i tij i burgut i kishte thënë:
… kampi është një makinë e madhe e cila do që na shndërrojë në kafshë, por ne nuk duhet të bëhemi kafshë; ai që do të mbijetojë, duhet të tregojë gjithçka, të japë dëshmi; që të mbijetojmë, duhet, së paku, të ruajmë skeletin, konturet e dukshme të civilizimit”.

Pas rënies së Murit të Berlinit

Para rënies së murit të Berlinit, muzeu shquhej për lavdinë që i thurte Ushtrisë së Kuqe. Deri në atë kohë pllaka memoriale e vendosur nga sovjetikët, por e mbështetur edhe nga autoritetet polake, fliste për 4,000,000 të vdekur, por hulumtimet e më vona flasin për 1,100,000 të vdekur, 90% e të cilëve hebrenj. Përveç të tjerash, tashti muzeu polak e shikon paktin gjermano-sovjetik të mossulmimit si shitje që i bëri Stalini Polonisë.
Numri i saktë i viktimave është e vështirë të përcaktohet me saktësi, sepse para ikjes së tyre, gjermanët shkatërruan shumë dëshmi: vetëm dëshmitë në gjyqin e Nurembergut përpiqen të bëjnë diçka në këtë drejtim. Rudolf Hoess, komandant i burgut nga viti 1940 deri në vitin 1943, tha se dy milion e gjysmë hebrenj qenë vrarë në dhomat e gazit, ndërsa gjysmë milioni kishin pasur vdekje natyrale. Libri i të Vdekurve në Aushvic, i zbuluar në arkivat sovjetike, flet vetëm për atë që është regjistruar.
Në vitin 1996, Gjermania e bëri 27 janarin, ditën e çlirimit të Aushvicit, ditë zyrtare për përkujtimin e viktimave të Nacional Socializmit.
Më 2005, Parlamenti Evropian e kujtoi përvjetorin e çlirimit të kampit me një minutë heshtje dhe me këtë rezolutë:
27 Janari i vitit 2005, përvjetori i gjashtëdhjetë i çlirimit të kampit të vdekjes Aushvic-Birkenau, ku u vranë mbi një milion e gjysmë hebrenj, romë, polakë, rusë, si dhe të burgosur të vendeve të tjera, nuk është vetëm një rast i veçantë i evropianëve që të kujtojnë tmerrin e pafund dhe tragjedinë e holokaustit, por edhe për të kujtuar rritjen e antisemitizmit në Evropë dhe për të hapur sytë ndaj rrezikut të persekutimit të njerëzve në bazë të racës, origjinës etnike, religjionit, klasifikimeve sociale dhe orientimeve politike apo seksuale.

Kundërshtitë

Mohuesit e holokaustit ndryshimin e numrit të të vdekurve në pllakën përkujtimore përpiqen ta përdorin për propagandën e tyre. Pra, nëse historianët nuk arrijnë ta ngulisin këtë shifër – thonë ata – si mund ta marrim holokaustin për të besueshëm?
Libri i të Vdekurve të Aushvicit është përdorur nga mohuesit për të njëjtin qëllim; meqë ky burim i veçantë përmbledh një listë të hollësishme të emrave të viktimave, mohuesit kanë ardhur në përfundimin se ajo është bindëse, megjithëse kjo rrëzon dëshmitë dhe zbulimet e historianëve të nderuar të holokaustit. Megjithatë, shumë dëshmitarë thonë se SS-ët ishin skrupulozë në regjistrimin e emrave dhe numrit të të aftëve për punë. Mirëpo, ata që shkonin drejt e në dhomat e gazit, nuk janë shënuar.
Kohët e fundit, media dhe Ministria e Jashtme e Polonisë kanë pasur kundërshtime për përdorimin e shprehjes Kampi polak i vdekjes, kur flitet për Aushvicin, sepse iu dukej se fraza transmetonte gabimisht se polakët (më fort se sa gjermanët) e ngritën holokaustin. Me 1 prill 2006, zëdhënësi i qeverisë polake tha se i qe kërkuar UNESCO-s që ta ndryshonte emërimin Kampi i përqendrimit të Aushvicit në Ish-kampi gjermano-nazist i përqendrimit Aushvic-Birkenau për të theksuar se kampin e ngritën nazistët gjermanë e jo polakët.

Më 12 korrik 2006, UNESCO pranoi të bëheshin konsultime të mëtejshme. Më 28 qershor u shpall se emri i ri qe “Aushvic-Birkenau, Kampi gjermano-nazist i përqendrimit dhe i shfarosjes”.
Dy regjisorëve polakë u është dhënë leje për të xhiruar filmat respektivë në Aushvic. Njëkohësisht, disa miniseri televizive kanë xhiruar skena holokausti. Mirëpo, kjo leje iu mohua të famshmit Stiven Spilberg për xhirimet e filmit të tij Lista e Shindlerit. Për skenën e arritjes së trenit me gratë është “sajuar” një kamp jashtë harkut të Portës së Vdekjes.
Në shkurt të vitit 2006, Polonia u mohoi vizat hyrëse disa studiuesve iranianë, të cilët kishin planifikuar të vizitonin Aushvicin. Ministri i Jashtëm polak tha se do ta pengonte Iranin për gjurmimin e shkallës së holokaustit, të cilin presidenti iranian Ahmadinexhad e kishte cilësuar si fals.
Në Poloni propaganda kundërshtuese ndaj holokaustit dënohet me tre vjet e lart.

 


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *