POETI I DITËS – Petrit NIKA

 

Në foto: Petrit Nika

Natë shkurti

Fryn erë.

Është muaj shkurt.
Nëpër rrugicat e përgjumura të fshatit
akordohen melodi melankolike.
Një grua del në oborrin e një shtëpie përdhese,
i bën kryq errësirës,
erës dhe një ylli fare të largët që shfaqet mes një reje.

Pastaj fshihet në zhguallin prej qeramike
dhe era luan mbi tastierat e trishtuara të barkave.

Pritet shi,
por shi nuk do ketë dhe këtë stinë…

Kalendari shtiret.

Keqardhje nuk ka më për kohën e shkuar.

 

 

Fundshkurt me shi

Po bie shi.

Është fund shkurt,

por kjo s’ka lidhje me shirat poetikë,

që vijnë vërdallë pambarimisht

nëpër dhjetëra – mijëra faqe poemash.

 

Është thjesht shi;

shi që bie siç bie gjithmonë,

domethënë si gjithmonë kur bie.

Largësitë duken sa të afërta aq dhe të pakapshme,

si në kohërat homerike,

dhe ngutja e pranverës të shkërben,

me çoroditjen e vetë jetës.

 

Mendja jote shkon të kërkojë njerëzit;

gruan që shkoi në mëngjes në pazar shiu e zuri,

babain plak që është akoma në radhë për pensionin,

vajzën e vogël që tani duhet të ketë dalë nga shkolla,

dhe mërzitesh me vetminë,

vërtitesh si piton në shtëpi,

teksa shikon tërbimin e shiut nga dhoma.

 

Po bie shi,

dhe ti kupton se tashmë je i pamundur,

siç janë në përgjithësi gjithë të pamundurit.

 

Të tjerë menduan më parë në një ditë si sot për ty,

dhe ti këtë ditë gjatë e ke pritur.

 

Ndoshta është koha për të ikur,

në pranverë bashkë me shiun të kthehesh në kujtim.

 

 

Progresion neogotik

(poemë kozmogonike)

themeli

vetmi

vetmi gjithandej

vetmi gjithandej në fshatra

vetmi gjithandej në fshatra të varfëra

vetmi gjithandej në fshatra të varfëra e qytete plot shkëlqim

vetmi gjithandej në fshatra të varfëra, qytete plot shkëlqim e kontinente

vetmi gjithandej në fshatra të varfëra, qytete plot shkëlqim e kontinente dhe në botën tonë, me sa duket fare të vetmuar mes materies pa jetë.

 

oborri

 

braktisja na buzëqesh me sarkazëm

sarkazëm si gjuhë lavjerrësi në Kullën e anuar të Pizës

në Kullën e anuar të Pizës pizmosin dijetarë të rinj

dijetarë të rinj që tymosin hashash deri në orgazëm.

 

 

muret

 

tastiera fluturuese – delete this folder

delete this folderabsurd mirror

absurd mirrorconnect the fjalë

connect the fjalë – with the words,

with the words – rreth e rrotull the world

the world me trumpeta – dum-da-da-da

dum-da-da-da – jasha, more ja.

 

oxhakët

 

pasdite

pasdite në perëndim

pasdite në perëndim me tym

pasdite në perëndim me tym të bardhë

pasdite në perëndim me tym të bardhë e të hidhur

pasdite në perëndim me tym të bardhë e të hidhur karbonik

pasdite në perëndim me tym të bardhë e të hidhur karbonik deri në re

 

kopshti

 

rrënjë squfuri spërkatin botën me ndryshk – exit please

fjalë të urta vdesin në barkun e pleshtit të kokës – hereabout

mungon një dritare, çatia pikon yje natën – eyewitness

në ekzorcizmin tonë mungon qenia – altogether

gjeografia e krijimit zbulon sekrete të frikshme – impurity

ma ha mendja, s’do ketë botë të tjera më të gjora – ineternity

 

çatia

 

kapela

kapela në varreza

kapela në varreza ligjëron

kapela në varreza ligjëron rekujemin

kapela në varreza ligjëron rekujemin e mbrëmjes

kapela në varreza ligjëron rekujemin e mbrëmjes me zë

kapela në varreza ligjëron rekujemin e mbrëmjes me zë a capela

 

pushim

 

dita e shtatë është pushim, por nuk është Shabbat

tani po kërkojmë një thërrime ujë në një pikë bukë

kemi harruar të sendërgjojmë një kitchen

kitchen, o kitchen, o kitshen

nuk ka kitchen

të gjitha bëhen copy paste

por jo kitchen

pa kitchen në amshim

duhet rifilluar çdo gjë nga fillimi

good bye

no signal

 


RELATED POST

Your email address will not be published.