READING

25 vjet martesë (mjaullitje hungareze)

25 vjet martesë (mjaullitje hungareze)

 

 

Károly MÉHES

Pa nxjerrë mirë këmbën jashtë nga veturka Suzuki, filloi të pikonte shi. Pasi i ra në hundë një pikë e kolme shiu, zgjati dorën dhe priti të dytën – kur lajmëtarja e jonosferës iu zgërlaq në pëllëmbë, Otto Maçorraj ia dha deklaratës: shi! Qimen kemi, ta them unë, se…, por s’e vazhdoi. Maçorrka, e shoqja, e shikoi vëngër. Ashtu ë? Po mot, zotrote s’do të hash perime? Si do të rriten ato, po nuk ra shi: toka nuk njomet prej javësh, mundohu ta shohësh nga kjo pikëpamje, zemër. Ke të drejtë, thpirti i vockël, ia ktheu i shoqi me skërmitje. Dhëmbi i djathtë i syrit, veshur me këllëf argjendi, i shkëlqeu në dritë.

Mbërritën te moloja ku qe lidhur anijëza hotel. Ishte ideja gjeniale e Maçorrkës që të vinin në këtë vend të virgjër, për të kaluar një fundjavë përsëmbari, pa filluar sezoni, e me çfarë oferte speciale, thuajse falas. I tha Maçorrit që për Pashkë, babush dëgjo, nëse ty s’të ra gongu që ne po bëjmë 25 vjet bashkë, për mua kjo datë do të thotë goxha. Meritojmë diçka më të mirë sesa ta kalojmë përvjetorin të ulur si qyqarë mes katër mureve. Atëbotë Maçorraj ia pat kthyer, ngado që të ikësh, sado larg të marrësh arratinë, prapë mes katër mureve do ta gjesh veten. Vetëm në u fundosshim nën ujë. Fundja këtu në breg të Dravës janë shanset për një gjë të tillë, thpirti.

Piklat e kolme të ujit filluan të shpeshtohen, kështu që vendosën të zbresin tatëpjetën e shkurtër deri tek anijëza. Sa më shumë që i afroheshin, aq më i rrëgjuar dhe i shqepur llamarinash bëhej hotelthi lundrues. Mbërritën tek bregu i prerë si me thikë, ku duhej të shqyeje shalët që të ngulje këmbën në shkallën e hekurt që të çonte në kuvertë. Tani ia këputi dhe me rrebesh.

Maçorrka, si të ishte bijë marinari, u ngjit çakërrqejf deri në majë të shkallës. Shkallët e fundit binin nën një strehëzë eterniti ku të paktën mund të strukeshe që të mos kulloje i gjithi. Në kuvertën e improvizuar si punë tarrace, karrige të ndryshkura hekuri ishin palosur së bashku me ca tavolina të një tjetër modeli. Nga shkalla e hambarit po vinte lart një vajzë e re me tuta sportive e me celular të varur në qafë.

Kush është përgjegjësi këtu, pyeti Maçorrka.

Marika, u përgjigj vajza, është poshtë.

Mbi hyrjen e hambarit anija kishte të mbërthyer me perçina pllakëzën metalike: përfunduar më 1974, punishtja Horany.

Performanca e anijëzës lëshonte allyrin e një ish-bukuraneje që merr pjesë në një kasting amator, nga ato që rindërtojnë ngjarjet nëpër filma dokumentarë, me pak qindarka, ku ajo e luan rolin pa qejf të madh, por fundja natyrshëm. Ngjyrka e kaltër e makiazhit përreth trupit të llamarintë, splluqej në katrorë të salduar me tegelë kaf.

Poshtë kuvertës në zyrën e vockël rrinte teta Marika. Ato pak qime flokë që i kishin mbetur në kokë, qenë onduluar me delikatesë, diçka e ndërlikuar – jorrallë u gërmushej vartësve, sidomos meshkujve, “flokët bizë, prej jush më bëhen!”. Se teta Marika këtu qe kapitenia, edhe pse s’e kishte parë ndonjëherë kiçin nga afër. Radari ia detektoi lart nën strehë dy klientët, që hynë brenda sapo filloi kiameti përjashta.

Silvia me siguri do t’i ketë kryer adetet. Klientja u ul e ndezi menjëherë një cigare. Për bukuri. Ndërsa burri iu afrua xhamit të mbyllur të bufesë dhe filloi të studiojë çmimet në menynë e shkruar me stilolaps mbi një fletë jeshile të zverllëdhyer.

Birrë paska, tha, dyqind forinta.

Gruaja shfreu tymin nga buzët. Po verë ka?

Burri përsëri iu afrua fletës. Po, paska mo, shtatëdhjetë forinta njëqind gram.

E kuqe apo e bardhë?

S’e shkruan.

Shih kafen… Kanë?

Burri afroi përsëri hundën tek fleta, kësaj radhe më gjatë se më parë.

Ncuk, kafe s’ka. Nuk shkruan gjë.

Vërtet nuk keni kafe?, e pyeti klientja vajzën me tuta sportive.

Poshtë ka. Tek Marika. Një sekondë, po shoh.

Të faleminderit.

Vajza zbriti poshtë. Burri u rregullua në karrige dhe hodhi shikimin te bregu ku një mesoburrë i ulur në një stol të vockël qëronte patate. Befas mesoburri ia këputi me sa kishte në gabzherr, o Silvia, hajde mo i q… robt e qëro edhe ti, se u gërbula! Zëri i vajzës u dëgjua sakaq, prit mo prit një çikë, sa të çoj kafen lart, mos na pirdh shumë, atë bëj. Ndërkaq ajo u shfaq në krye të shkallëve me tabakanë si peshore në dorë, dy gota qelqi me kafe brenda dhe një mbajtëse sheqeri.

Ua vuri Maçorrajve përpara. Ju bëftë mirë.

Juve jua paguajmë? pyeti Maçorrka.

Jo, unë nuk jam kameriere, i ndihmoj Egonit për të gatuar. Këtu të gjitha i rregullon Marika.

Rrëkëllyen kafenë. E ftohtë deri-diku, por shija e padiste se kishte kohë që priste në xhezve apo në fund të termosit.

Burri me kruese në dorë murmuriti përsëri, eja më jep një dorë moj, se vijnë e ulërijnë si çakallët po s’ua vure menjëherë përpara. Nuk është paçamur që bëhet për pesë minuta.

Ndihmësja jokamerjere mori një bobinë plastike e iu ul pranë: brenda një të marrur fryme, duarshkathët, kapte patatet nga thesi, i qëronte, i ndante katërsh e i hidhte në kovën me ujë. Burri shkërmoqi specin djegës në kusi.

Maçorri, që i mbante veshët pipëz, dikur s’u durua pa pyetur, si pa të keq. Tasqebap për sot? Burri ia ktheu, paçë me lëng këmbësh. Vijnë ata të policisë bashkiake të Senteshit, janë rrugës, në Kaso mesa mora vesh. Për ata e bëj.

Maçorraj vështroi nga e shoqja, e cila ishte e përhumbur nga lumi gri i passhiut. Po tani ç’i shkrepi Lalit, që ia griftë zorrën, mendjen tek e ngrëna e ka, u përtyp Maçorrka. Bën si t’ia kenë munguar lugën gjithë jetën. Po pra… Tasqebap, plënca pafund. Vjen njeriu për të festuar një mut njëzetepesëvjetori, kurse ky fillon e nuhat këtej e andej. Me një shi të qelbur si ky që bie. I iku dhe qejfi për cigare. Eeej, në ngeltë sa për dy veta, tha Maçorraj gati duke u lutur. E paguajmë, s’ka dyshim.

Egoni hodhi vështrimin rreth e rrotull si për të parë se sa shanse kishte për të mbetur gjë pas policëve të uritur bashkiakë nga Senteshi. Them se do të mbesë diçka. Gjithmonë bëjmë më shumë se ç’duhet, por edhe s’e kemi hedhur ndonjëherë tepricën në pleh.

Një motobarkë zungulloi deri aty pranë: në të dy burra të mbipeshë. Njëri, nga fundi, drejtonte varkën, tjetri, në cepin e kundërt, ishte thuajse shtrirë mbi një fuçi, që të mos i rrokullisej.

Ç’ka për të ngrënë, Egon? thirrën njëzëri. Prapë paçë me xhel këmbësh? Xhelin te depiluesja e more? Të përdorur. Të dyve u pëlqeu shakaja, sa u shkundën së qeshuri: ai që mbante timonin, e tundi varkën sa vala e ujit shpërndau cikla gjithandej.

Ngadalë, Arpi, me ato gulçime se po na plandos, e s’kemi shanse shpëtimi: para një jave na u mbyt edhe polumbari.

Kush the? Bullgari?

Bullgari i satëme, u përfshi nga bregu dhe Egoni, na, plasi këtu, dhe ngriti drejt tyre pirunin e gjatë me një lëkurzë që çurgoi. Ja…, po s’keni faj ju xhanëm. Ej, Belo, ç’ke në atë fuçi mo?

Pleh organik, Egon, pleh, iu përgjigj Belo. Arpi tundi kokën në shenjë mospajtimi, më budalla se ky Belo nuk pjell toka, ta çosh plehun organik me fuçi…!

Maçorrka hodhi vështrimin nga i shoqi, ç’thua mik, si të duket? Se asaj i pëlqeu e gjithë kjo, e di, tamam rustike e gjitha. Bregu i Dravës, në fund të dynjasë, presin me paçë këmbësh doganierët e Senteshit, dy fshatarë rrondokopë që kalojnë në varkë, me fuçi me pleh organik. Gati i doli prej buzësh që, e sheh lum burri, këtu është jeta, aventurë, real show, prandaj kur them unë që ishte me mend rruga deri këtu. Por Maçorraj nuk po ia varte, kishte kthyer madje edhe karrigen nga bregu e vetëm kazani në zjarr i interesonte. Aha, mbase s’e ka miku mendjen tek ky Egoni që përzien në kusi aty, por te ndihmësja me tuta, Silvia apo si quhej ajo, që sa herë përkulej përpara për të marrë patate nga thesi, i hapej bluzka e i shihej kanali mes cickave. Me nerv pickoi nga paketa një cigare dhe iu soll Maçorrit, ma ndiz këtu zemra, mu ngrinë gishtat. Maçorri u kthye nga ajo me gojën të tërhequr në cep e dashamirësi të shtirë, urdhëro zonjë e nderuar. Me ndihmën e dorës tjetër i bëri vatër flakëzës së shkrepëses. Maçorrka u përkul mbi të dhe ndërsa ndeshi cigaren me flakën, ngriti vështrimin, duke e zhbiruar të shoqin me sy. Përveç zhabës tënde e bilbilit, s’e ke pasur ndonjëherë mendjen kund tjetër, Lali.

Maçorraj ncuk-ncuku me sëkëlldi dhe i fryu shkrepëses për ta fikur. Filloi t’i dridhej pak buza. Burra të fortë, pa shihi njëherë, s’u bën syri tërr nga një palo shi si puna e këtij. Në vend që të të bëhet qejfi që rregullova për drekë nga një meny të shijshme e sade… thpirtka.

Atje tej, përtej lumit, po vinin re edhe më të zymta, e papritmas, rrebeshi ia ktheu në breshrin që u përplas në ujin e shkumëzuar të Dravës: mbi kokën e tyre çatia prej eterniti bëri zhurmën e njëmijë daulleve.

Egoni hapi sakaq një çadër të madhe e shumë të vjetër me logon e pijes freskuese „Marka”. Dhe shau ndër dhëmbë, pastaj i kërkoi Silvit të sillte ca ujë. Sepse është krizë thatësire, nuk bie sa duhet, po?, pyeti vajza.

Hajde këtu ti, afrohu afrohu njëçikë, ik e njom atë të satëme…, e mos hidh vickla këtu, ia ktheu Egoni. Dhe kërkoi shikimin e Maçorrit e, si për t’u justifikuar, shtoi: po kjo rinia e sotme, mo vlla, as ka ndjenjë përgjegjësie, as ka pikë respekti për më të moshuarit.

Maçorri u bë gati të përgjigjej, por s’i erdhi në mëndje gjë e zgjuar si dhe ndjeu befas një dhimbje therëse tek kërciri i këmbës – e shoqja sapo i ra me majë të këpucës nën tavolinë.

Shkalla e hekurt nga poshtë filloi të kërcëllijë: pas ca hapash u shfaq Marika. Në qafë syze të lidhura, me skelet të praruar, në doçkë ca fletë formati. Së pari iu drejtua Egonit.

Ja faksi, tridhjetë e gjashtë veta kam këtu të shënuar. Sa na shkon racioni, Egonushi?

Tullumbace, rrumbullak një njëmijëshe. Brenda ke bukën dhe turshitë. Në rregull kështu?

Që ta sqarojmë edhe një herë, e kisha fjalën, se ajo drejtuesja e grupit mu hoq sikur s’ia ka thënë njeri akoma. Pijen, sa të konsumojnë, e paguajnë veç e veç.

Marika u rrotullua pas kësaj dhe ngjiti këmbët e fundit të shkallës.

Mirëdita. Juve keni rezervuar hotelin?

Maçorrka filloi të rrëmojë në çantën e dorës. Po, ne, ja ku është dhe konfirmimi.

Lëreni, nuk ka rëndësi, s’para do të vijë kush tjetër. Dy veta, apo jo? Mund të shkoni edhe në kapiteneri, nëse ju pëlqen.

Cila është?, pyeti Maçorrka.

Dhoma gjendet poshtë, u gjegj Marika.

Ku, poshtë?, ia befi Maçorri.

Ja pra, aty, Marika tregoi me gisht nga hambari, poshtë. Pasi ndjeu disi pasigurinë e klientëve, shtoi: Ej, nuk është keq, do ta shihni. Të përkund uji. Flihet për shtatë palë qejfe. Të paktën kështu thonë.

Rrugës duke zbritur u ndal para kazanit të Egonit. Po kjo si do të dalë? Mesoburri vështroi Marikën e hapi krahët. Si leshin do të dalë, mjaltë. Gruaja picërroi sytë nga ora. Epo mirë. Them se pas një ore i ke këtu. Vijnë të uritur si djajtë.

Do të mjaftojë, pa merak. Biles ka edhe për këta këtu, bëri me kokë nga kuverta, ku rrinin Maçorrajt me shikimin e përhumbur nga ujërat.

Egoni iu afrua Marikës te veshi. Këtu do të flenë sonte?

Dy net kanë rezervuar, shushuriti. Përvjetor martese, i argjendtë.

Ahere edhe Egoni e uli zërin. Kanë ardhur kështu, tak fap? Në këtë farë qenefi? Egoni i ra grushtit të njërës dorë me pëllëmbën e tjetrës, mmm, fuq e fuq do të ketë sonte, e garantuar.

Uah, mjaft more ti, i ra supit shefja, qeros. Shiko se nuk është edhe aq koti këtu tek ne, Egonushi, ashtu siç thua.

Egoni, ngriti supet. Si të thuash ti, tullumbace… Për mua stallë është e gjitha. Gëlbazë.

Silvia u kthye me kovën e mbushur me ujë. Çfarë bëhet? pyeti me kuriozitet. Çfarë të duhet ty, iu gërmush burri. Nëma atë kovë e bëje xixë këtu. Qelbet ky vend si nevojtore. Në kësi llomhanesh as s’të ngrihet.

Marika vuri gishtin tregues para gojës me panik.

Shttt, more ju. Tek e fundja mysafirë janë.

Dora e Egonit, tek përziente me lugë druri, u ndal. Po, edhe? Ç’ndryshim ka? Këtu të gjithë mysafirë do të jenë… Vijnë, pastaj ikin e thyejnë qafën. Kurse ne këtu mbesim e kalbemi. Po kështu edhe ti, tullumbace, njëlloj si anijëza jote!

Pastaj Egoni nxori një lugë dhe e afroi pranë buzëve lëngun e valuar, por nuk e provoi. Hodhi sytë andej nga po vështronin edhe Marika e Silvi: nga kuverta, ku çifti i ardhur, me shpinë nga ata, rrinte ulur si i ngrirë, përhumbur nga lumi nën shi.

 

 

Përktheu nga origjinali:

Ilir Dragovoja


RELATED POST

Your email address will not be published.