READING

Parafjala e Palimpsest-it

Parafjala e Palimpsest-it

Të dashur miq!

Që nga dita e sotme nis udhëtimin revista kulturore-letrare e përtremuajshme Palimpsest, e cila do t’u ofrohet lexuesve në formatin online dhe në atë digjital. Gjithsesi, në të ardhmen nuk do të përjashtohet as mundësia e ekzistencës së saj edhe në versionin e printuar, nëse do të arrijë të dalë nga kriza që ka kapluar botime të tilla prej shumë vitesh.

Mundësitë e shumta që kanë krijuar teknologjitë e komunikimit në ditët tona, rritja e ndërveprimit me lexuesin përmes kanaleve virtuale apo rrjeteve sociale dhe nevoja për të gjetur dhe bashkëpunuar me lexuesit përtej kufijve të caktuar territorialë qenë shtysa të forta për ta nisur këtë rrugëtim jo-pa-sfida.

Themeluesit e revistës sjellin përvojat e tyre shumëvjeçare në fushën e studimit të letërsisë, menaxhimit të prodhimit letrar dhe kulturor, apo të komunikimit në përgjithësi, dhe përmes Palimpsesit adresojnë ofertën e hapur për bashkëpunim me të gjithë studiuesit në Shqipëri, në trojet mbarëshqiptare, në diasporë, apo edhe tek albanologët e huaj.

Pas rreth 25 vjetësh lirie krijuese, tashmë ndodhemi në një pikë kritike për të riparë vetveten mbi atë që ka bërë kritika dhe studiuesit gjatë kësaj periudhe, prandaj një platformë e tillë vjen edhe si një produkt i reflektimit dhe nevojës për përmirësimin e diskursit kulturor.

Po ashtu, në fokus të veçantë do të jenë edhe studiuesit e rinj, prej të cilëve priten këndvështrime të reja studimore.

Kjo revistë synon të mbledhë dhe promovojë nektarin letrar shqiptar apo atë që bëhet pjesë e inventarit shqip përmes përkthimit, përmes një përzgjedhje sipas shijeve të stafit të saj drejtues, si dhe të shërbejë si një agorë për debatet rreth çështjeve të ndryshme kulturologjike ndërshqiptare.

Kultura në vetvete është një palimpsest, sepse e shpalos vetveten përmes prodhimtarisë së saj në rrafshin sinkronik, por edhe përmes kujtesës, zbulimit apo risjelljes në komunikim të vlerave të prodhuara në kohë të ndryshme, prandaj ne nuk duam të jemi thjesht dëshmitarë të kohës që po jetojmë. Ne duhet ta kthejmë kokën pas për të shkuar tek rrënjët, pa komplekse; për të kuptuar vlerat identitare dhe për t’i bërë ato pjesë të qenësishme të komunikimit edhe në ditët tona. Harresa, cungimi, manipulimi apo mitizimi që u bëhet shpeshherë vlerave që janë prodhuar në kohë shkakton pasoja negative në mënyrën se si i perceptojnë brezat e rinj apo sesi na shërben e shkuara për të ecur para.

Kur një kulturë identifikon atë që konsiderohet si jo-njerëzore brenda saj, ajo identifikon vetveten, duke u përcaktuar si humane. Duke e pranuar historinë e një vendi si Shqipëria, si një histori mbijetese, kultura ka spikatur me fuqinë e saj të brendshme, sepse në çdo moment ka qenë në anën e kundër të forcave antinjerëzore. Njëherësh, me origjinalitetin dhe identitetin e saj kultura dhe letërsia shërben si element përbashkues mes njerëzve, si një mjet i fuqishëm kundërshtimi për shoqëri me prirje të theksuara autoritariste apo anarkiste.

Kërkimi i artefakteve që kanë përcaktuar fatet e vlerave kulturore, ofrimi i tyre për lexuesit në mënyrë të paanshme, vendosja e tyre në kontekstet aktuale, si dhe sjellja e metodave apo këndvështrimeve të reja për studimin e letërsisë do të jenë në qendër të punës sonë.

Produkti kulturor që shfaqet sot është një amalgamë kulturash në vetvete për shkak të rritjes së shkallës së ndërveprimit, prandaj është tejet e rëndësishme që të evidentohen vlerat që na bëjnë të ndryshëm nga shoqëritë e tjera. Për rrjedhojë, një reviste të tillë duhet të vëzhgojë dhe shoshisë tiparet specifike me të cilat shfaqet diskursi kulturor i ditëve tona, sidomos letërsia shqipe, e cila lëvrohet në hapësira të ndryshme.

Revista Palimpsest do ta shfaqë vetveten edhe si një grupim aktiv që nxit format moderne të leximit në komunitet, si promovuese e vlerave të reja letrare përmes mënyrave dhe formave të ndryshme, si dhe përmes botimeve në versionin digjital apo të shtypur në një të ardhme të afërt.

Ata që janë dakord, qoftë edhe pjesërisht, me të thënat e mësipërme dhe ndajnë ide për veprim në këto momente që po jetojnë, janë të mirëpritur të bëhen pjesë e rrugëtimit tonë, ashtu siç do të mirëpresim kritikat kur ato janë objektive dhe i shërbejnë përmirësimit të cilësisë dhe standardeve të saj.

Dr. Gazmend Krasniqi dhe Albert Gjoka |(PhD candidat)


RELATED POST

  1. Albana Ndoja

    13 September

    Suksese shume. Dicka qe i mungon ka mote nji analize te mirefillte te produktit letrar. Pune te mbare!

  2. Xhevair Lleshi

    13 September

    E përmenda «Palimpest» duke diskutuar në një tryezë ku nxehen koka dialogu, sepse fati i kësaj reviste është e paracaktuar të ecë përpara, vërtet me një hap tejet të rëndë, shpresojmë. Palimpest» do edhe të tjera shoqe, po edhe vetëm e dimë se do luftojë, ndryshe me një tjetër përkrah do më dukeshin si dy Ulisë, ku diku do të ishte edhe Çirçja: a do t’i shndërronte dhe ata në …? Goditjet e fatit të përkulin, po burrat (revistat) nuk thyen. Provë e rëndë kjo! Dhe në atë kohë përdorej një shprehje: Kush ta ketë për risk… sepse s’kishin ç’të të bënin. Ishte si ai mallkimi migjenian: Zoti të dhashtë! Të gjithë ishin të mbërthyer në pesë gozhdët e Realizmit Sacialist. Jo si Krisht, natyrisht, po si besnikë të urdhrit. Po a do t’i shndërronte Çirçja dhe ata të dy? Kjo ishte çështja! «Palimpest» e do lexuesi i ri, kurse tjetra ende nuk njihet, por sidoqoftë prite sikur ka dalë, veç prej të dyjave (e vjetra e re dhe e reja ende pa dalë), duket sheshit frikë e shprehjes në horizont. Vepra të shumta kanë mbetur të pabotuara. Dhe presim t’i gjejmë në faqet e «Palimpest»… Me shpresë…

Your email address will not be published. Required fields are marked *