HORACIO QUIROGA
(Uruguai, 1878 – Argjentinë, 1937)
NËNKRESA ME PUPLA
Muaji i tyre i mjaltit kishte qenë një rrëqethje e gjatë. Bionde, engjëllore dhe e druajtur, por karakteri i ashpër i të shoqit ia kishte akulluar ëndrrat fëminore të nusërisë. Megjithatë ajo e donte shumë, edhe pse ndonjëherë, kur ktheheshin bashkë mbrëmjeve, i hidhte ndonjë shikim të fshehtë, me një drithërimë të lehtë, shtatëlartësisë së Jordanit, gojëkyçur për më shumë se një orë. Ai, nga ana tjetër, e dashuronte thellësisht, pa e vënë në dukje.
Gjatë atyre tre muajve – ishin martuar ne prill – përjetuan një lumturi të veçantë. Pa dyshim që ajo do të kishte dashur më pak ashpërsi në atë qiell të ngurtë dashurie dhe më shumë ëmbëlsi të sinqertë e të shkujdesur, por i shoqi, me pamjen e tij të sertë, gjithmonë e ndrydhte.
Shtëpia, në të cilën jetonin, po ashtu i shtonte jo pak trazimet e tyre. Bardhësia e oborrit të heshtur – pllakat, kolonat dhe statujat e mermerta – krijonte një ndjesi vjeshte të një shtëpie përrallash. Brenda, shkëlqimi i akullt i allçisë, pa as gërvishtjen më të vogël në muret e larta, dëshmonte ndjesinë e asaj ftohtësie të pakëndshme. Kur ecje nga një dhomë në tjetrën, hapat jehonin në gjithë shtëpinë, sikur një braktisje e hershme ta kishte bërë edhe më të ndjeshëm kumbimin e tyre.
Në atë çerdhe të pazakontë dashurie e kaloi Alisia gjithë vjeshtën. Gjithsesi, kishte vendosur t’u vinte kapakun ëndrrave të hershme të saj, edhe pse jetonte e përgjumur në atë shtëpi armiqësore, duke pritur gjithë kohën të kthehej i shoqi, pa menduar gjë tjetër.
Nuk qe e çuditshme që të dobësohej. E kapi një grip i lehtë në pamje të parë, por që po zgjaste me ditë të tëra; Alisia nuk po përmirësohej fare.
Më në fund, një pasdite mundi të dilte në kopsht, mbështetur në krahun e të shoqit. Vështronte e përhumbur sa andej këndej. Papritur Jordani, me ëmbëlsi të madhe, i ledhatoi lehtë kokën, Alisia u shkreh në vaj, duke ia hedhur krahët në qafë. Një copë herë të gjatë, shfreu në qarje gjithë tmerrin e saj të heshtur, duke e shtuar vajin në çdo ledhatim të Jordanit. Pastaj ngashërimet erdhën duke u shuar, por qëndroi gjatë e zhytur ne gjoksin e tij, pa lëvizur e pa thënë asnjë fjalë.
Kjo qe dita e fundit që Alisia u ngrit nga shtrati. Të nesërmen u gdhi e venitur. Mjeku i Jordanit e ekzaminoi me kujdes të madh, duke i rekomanduar qetësi dhe pushim absolut.
– Nuk e di, – i tha Jordanit, me zë të ulët ende, tek porta e oborrit. – Ka një këputje të madhe, që nuk e kam të qartë. Pa të vjella, asgjë… Nëse dhe nesër gdhihet si sot, më thirr menjëherë.
Të nesërmen Alisia u gdhi më keq. Mjeku e vizitoi. Konstatoi një anemi akute që përkeqësohej, krejtësisht e pashpjegueshme. Alisia nuk pati më gjendje të fikëti, por dukej qartë që po shkonte drejt vdekjes. Gjithë ditën dhoma ishte me dritat ndezur dhe në heshtje të plot. Kalonin orë të tëra, pa u dëgjuar as zhurma më e vogël. Alisia dremiste. Jordani pothuajse jetonte në sallon, po ashtu me dritat ndezur. Ecte pa pushim nga një skaj në tjetrin, me kryeneçësi të palodhshme. Hapat e tij mbyteshin në qilim.
Ndonjëherë hynte në dhomën e gjumit dhe vazhdonte atë vajtje-ardhjen e tij të shurdhët përgjatë shtratit, duke vështruar të shoqen sa herë që ecte në drejtim të saj.
Shumë shpejt Alisia nisi të ketë halucinacione, në fillim vagëlluese dhe pluskuese, por që më vonë arritën rrafsh me dyshemenë. Vajza, me sytë e shqyer, sa nga njëra anë në anën tjetër të shtratit, nuk ia shqiste sytë qilimit. Një natë, papritur, mbeti me sytë të ngulitur. Pas një kohe hapi gojën për të klithur, ndërkohë që hunda dhe buzët iu mbushën me bulëza djerse.
– Jordan! Jordan! – bërtiti, e ngrirë nga llahtari, pa i hequr sytë nga qilimi.
Jordani vrapoi për në dhomë. Me ta parë të shoqin, Alisia lëshoi një piskamë tmerri.
– Jam unë, Alisia, jam unë!
Alisia e shikoi me përhumbje, shikoi qilimin, pastaj përsëri të shoqin dhe pas një copë here të gjatë verifikimi tërë habi, erdhi ne vete. Buzëqeshi ia mori dorën të shoqit midis të sajave dhe ia ledhatonte, duke u dridhur.
Midis halucinacioneve më ngulmuese, pati një që thua se ishte një antropoid që qëndronte i mbështetur në maj të gishtave mbi qilim dhe nuk ia ndante sytë atij.
Mjekët shkonin e vinin, por më kot. Aty, para tyre, ishte një jetë që po shuhej, duke humbur gjak ditë pas dite dhe orë pas ore, pa ia pasur as idenë më të vogël se pse. Në vizitën e fundit të tyre Alisia dergjej e topitur, ndërkohë që ata i matnin pulsin, duke ia përcjellë njëri-tjetrit kyçin e dorës së mekur. E vrojtuan gjatë në heshtje dhe më pas shkuan në kuzhinë.
– Hëm… – mblodhi supet i shkurajuar mjeku i familjes. – Është një rast i pashpjegueshëm… S’kemi ç’të bëjmë më shumë…
– Edhe kjo më duhej! – shfryu Jordani, duke trokëllitur harbutërisht gishtat mbi tavolinë.
Alisia po përhumbej në kllapinë e anemisë, që përkeqësohej mbrëmjeve, por që frenohej orët e para të mëngjesit. Gjatë ditës sëmundja e saj nuk përparonte, por çdo mëngjes gdhihej e zbehur, pothuajse në kllapi. Dukej sikur çdo natë, jeta po i ikte me shkulme të reja gjaku. Kur zgjohej, kishte gjithmonë ndjesinë sikur të ishte shembur në krevat me një milionë kile përsipër. Që nga dita e tretë kjo fundosje nuk iu nda më. Mezi lëvizte kokën. Nuk deshi që t’ia preknin shtratin, dhe as t’ia ndërronin jastëkun. Tmerret e saj gjatë muzgjeve tanimë përparonin me forma përbindëshash që zvarriteshin drejt shtratit dhe kacavirreshin dalëngadalë në dyshek.
Më vonë humbi vetëdijen. Dy ditët e fundit jermoi e mekur, me gjysmë zëri, pa pushim. Dritat vazhdonin ndezur përmortshëm, në sallon dhe në dhomën e gjumit. Në heshtjen agonike të shtëpisë, nuk dëgjohej tjetër veç jermit monoton që vinte nga shtrati dhe kumbimi i shurdhët i hapave të përhershëm të Jordanit.
Më në fund, Alisia vdiq. Shërbëtorja, kur hyri, më vonë, e vetme, për të rregulluar shtratin, e çuditur, pa një copë herë nënkresën.
– Zotëri! – thirri Jordanin, me zë të ulët. – Tek nënkresa ka ca njolla si prej gjaku.
Jordani u afrua me nxitim dhe u përkul mbi nënkresë. Qartësisht, mbi këllëf, dhe në dy anët e gropës që kishte bërë koka e Alisias, vëreheshin njolla të errëta.
– Duken si pickime, – mërmëriti shërbëtorja pas një kohe duke vrojtuar e palëvizshme.
– Ngrije në dritë, – i tha Jordani.
Shërbëtorja e ngriti; por e lëshoi të binte dhe qëndroi duke e vështruar, e zbehtë dhe duke u dridhur. Pa e ditur pse, Jordani ndjeu që flokët iu ngritën përpjetë.
– Çfarë ka? – mërmëriti me zë të ngjirur.
– Është shumë i rëndë, – shqiptoi shërbëtorja, duke u dridhur edhe më.
Jordani e ngriti; ishte plumb i rëndë. E morën dhe shkuan në kuzhinë; mbi tavolinë Jordani, me një të prerë, çau këllëfin dhe jastëkun. Puplat e sipërme fluturuan dhe shërbëtorja ia dha një klithme llahtari, me gojën shqyer, duke i vendosur duart e dridhura mbi flokë. Në fund të jastëkut, mes puplave, duke lëvizur ngadalë këmbët gjithë lesh, ishte një kafshë e përbindshme, një top i gjallë dhe veshtullor. Ishte buhavitur aq shumë, saqë mezi i dallohej goja.
Natë pas nate, qëkur Alisia kishte rënë në shtrat, ajo kafshëz e përbindshme, pa u ndier, kishte ngjitur gojën – më saktë, thimthin e tij – tek tëmthat e saj, duke i thithur gjakun. Pickimi ishte pothuajse i pandjeshëm. Largimi nga jastëku, gjatë ditës, pa dyshim që në fillim nuk kishte lejuar përshpejtimin e asaj gjendjeje, por që kur vajza nuk mundi të lëvizte më, thëthitja qe bërë marramendëse. Për pesë ditë e pesë net, përbindëshi ia kishte gjerbur tërë gjakun Alisias.
Këta lloj parazitësh të shpendëve, të veckël në mjedisin e tyre të përhershëm, në kushte të caktuara arrijnë të marrin përmasa të stërmëdha. Me sa duket, në veçanti gjaku i njeriut është shumë i favorshëm për ta, dhe nuk është e çuditshme të gjenden në nënkresat me pupla.
VDEKJA E NJË BURRI
Burri dhe jatagani i tij sapo kishin pastruar udhishtën e pestë të bananishtes. Mbeteshin ende edhe dy udhë; por, edhe pse aty kishte një dendësi të madhe shkurresh dhe mëllagash të egra, edhe pak punë mbetej për ta mbaruar. Kësisoj, burri u hodhi një vështrim, plot kënaqësi, shkurreve të prera dhe shkoi të kapërcente gardhin me tela që të shtrihej e të prehej një copë herë në lëndinën me jonxhë.
Ndërkohë që uli telin me gjemba dhe po kalonte trupin matanë, këmba e majtë, që shkeli mbi një copë lëvoreje të shqyer nga huri i gardhit, rrëshqiti dhe jatagani i shpëtoi nga dora. Ndërsa binte, burri pati një ndjesi tejet të largët se nuk e pa jataganin të rënë me faqe në tokë.
Më në fund po prehej, i shtrirë brinjas mbi jonxhë, shtrirë mbi krahun e djathtë, ashtu siç donte. Goja, që sapo i qe hapur vesh më vesh, gjithashtu iu mbyll sakaq. Ndodhej ashtu siç kishte dashur të ishte, me gjunjët e mbledhur dhe me dorën e majtë mbi gjoks. Vetëm se prapa parakrahut dhe fill poshtë rripit, përmes këmishës, dilte doreza dhe gjysma e jataganit; gjysma tjetër nuk dukej.
Burri më kot u përpoq të lëvizte kokën. Me bisht të syrit hodhi një vështrim mbi dorezën e jataganit, ende të lagur nga djersa e dorës së tij. Mori me mend futjen dhe rrugën e jataganit brenda barkut të vet dhe ftohtë, saktësisht e mizorisht u bind plotësisht se sapo kishte mbërritur në fundin e ekzistencës së tij.
Vdekja. Gjatë jetës ndodh që, shpesh herë, ta mendojmë se dikur, pas vitesh, muajsh, javësh dhe ditësh përgatitore, do t’i vijë radha edhe çastit tonë të vdekjes. Është ligji fatal, i pranuar dhe i parashikuar, aq shumë sa shpesh herë, me kënaqësi, e lëmë veten të na rrëmbejë përfytyrimi i atij çasti, më kulmorit nga çdo tjetër, kur lëshojmë grahmën e fundit.
Por midis çastit të tanishëm dhe asaj grahme të mbrame, sa ëndrra, ankthe, shpresa dhe drama të jetës sonë shkojmë nëpër mend?! Çfarë na ruan ende kjo jetë plotë gjallëri, përpara zhdukjes së saj nga skena njerëzore?!
A thua është ky ngushëllimi, kënaqësia dhe arsyeja e vramendjeve tona të përmortshme?! Aq e largët është vdekja dhe aq e paparashikuar sa duhet të jetojmë ende?!
Ende…?! Nuk kanë kaluar as dy sekonda: dielli ndodhet saktësisht në të njëjtën lartësi; hijet nuk kanë lëvizur asnjë milimetër. Për burrin që dergjet, vramendjet e pambarimta sakaq e morën përgjigjen: po vdes.
I vdekur. Në atë qëndrim çlodhës, sigurisht, mund të quhet i vdekur.
Por burri hap sytë dhe shikon. Vallë, sa kohë ka kaluar?! Ç’gjëmë të ketë ndodhur në botë?! Ç’ndëshkim të natyrës lëshon ndodhia e tmerrshme?!
Do të vdesë. Ftohtësisht, fatalisht dhe pashmangshmërisht, do të vdesë.
Burri reziston – oh, sa i papritur ky tmerr! – dhe mendon: A thua është një makth?! Ashtu është! Çfarë ka ndryshuar? Asgjë. Dhe shikon: A nuk është bananishtja kjo?! A nuk vjen çdo mëngjes për ta pastruar?! Kush e njeh bananishten si ai?! E shikon fare qartë bananishten, të krasitur aq mirë, ja gjethet e gjera të zhveshura, në diell.
Ja ku janë, shumë afër, të bëra fije-fije nga era. Por tani nuk po lëvizin… Është qetësia e mesditës; ora duhet të jetë dymbëdhjetë.
Por, atje lart midis bananeve, burri, që nga toka e fortë ku ndodhet i shtrirë, shikon çatinë e kuqe të shtëpisë së tij. Në të majtë shikon vagëllimthi kodrën dhe lirishtën me kanella. Nuk arrin të shohë tjetër gjë, veç e di shumë mirë se, pas shpinës së tij, është rruga për në portin e ri; dhe se në drejtim të kokës së tij, atje poshtë, në fund të luginës, shtrihet lumi Parana i fjetur si një liqen. Gjithçka, saktësisht gjithçka, është si përherë; dielli i zjarrtë, ajri dridhës dhe i shkretë, bananet e palëvizshme, gardhi me hunj të trashë e të lartë, të cilët së shpejti duhet t’i ndërrojë…
I vdekur?! Si është e mundur? A nuk është kjo një nga ato ditët e zakonshme, mëngjesin e së cilës ka dalë nga shtëpia me jatagan në dorë? A nuk është pikërisht aty me jatagan në dorë? A nuk është pikërisht aje, katër metro më tutje nga ai, edhe kali i tij, Kuqoi i tij, duke nuhatur qet-qet telin me gjemba?
Po, ja! Dikush vërshëllen. Nuk mundet ta shikojë dot, sepse është me shpinë nga rruga; por ndien të trokasin mbi urë këmbët e një kali… Është djaloshi që kalon përditë, në njëmbëdhjetë e gjysmë, për te porti i ri. Gjithmonë duke vërshëllyer. Që nga huri i zhvoshkur, të cilin gati e prek me çizmet e tij, deri në anë të pyllit me banane, ku ndahet bananishtja nga rruga, janë pesëmbëdhjetë metra largësi. E di fare mirë, sepse ai vetë, kur ngriti gardhin, e mati largësinë.
Atëherë, çfarë po ndodh? Është apo jo kjo një mesditë e zakonshme si gjithë të tjerat në Misiones, në pyllin e tij, në livadhin e tij me jonxhë, në bananishten e krasitur? Patjetër! Bar i korrur, fole milingonash, heshtje, diell si plumb…
Asgjë, asgjë nuk ka ndryshuar. Vetëm ai është ndryshe. Qysh prej dy minutash personi i tij, personaliteti i tij i gjallë, nuk ka të bëjë më aspak as me djerrishtën, të cilën, për pesë muaj me radhë, e seliti vetë me shat, e as me bananishten, të dyja vepra të duarve të tij. Madje as me familjen e tij. Ka dy minuta që, rrëmbimthi dhe fare natyrshëm, është shkëputur nga jeta, për shkak të një lëvoreje të lëmuar dhe një jatagani që iu fut në bark. Po vdes.
Burri, fare i sfilitur dhe i shtrirë në jonxhë mbi krahun e djathtë, para pamjes normale dhe monotone të asaj që shikon, nuk do ta pranojë një pamje kaq gjëmëmadhe dhe vazhdon të rezistojë e të mos e pranojë një gjë me pasojë të tillë. E di mirë sa është ora: njëmbëdhjetë e gjysmë… Djaloshi i përditshëm sapo kaloi urën.
Por nuk është e mundur që të ketë rrëshqitur…! Ja tek ishte doreza e jataganit (duhet ta ndërrojë sa më parë; tashmë është vjetërsuar), e ngjeshur midis dorës së tij të majtë dhe telit me gjemba. Pas dhjetë vjet përvoje, ai e di fare mirë si përdoret një jatagan në pyll. Vetëm se është shumë i lodhur nga puna gjatë këtij mëngjesi dhe, si zakonisht, po pushon një çast.
Vërtet…?! Ama këtë jonxhë, fijet e së cilës po i gudulisin tani cepin e buzëve, e ka mbjellë ai vetë në këtë arë që e punoi pëllëmbë për pëllëmbë! Edhe kjo është bananishtja e tij; edhe ky kalë, i cili po gulçon i kujdesshëm përpara telave të gardhit, është Kuqoi i tij! E shikon shumë mirë atë dhe e di se ai nuk do të guxojë ta kalojë gardhin, sepse pothuaj është ngjitur me hurin. E shquan shumë mirë; i shikon edhe vijat e errëta të djersës që i nisin nga kurrizi deri tek ija. Dielli bie si plumb dhe heshtja është shumë e madhe, sepse asnjë fletë bananeje nuk lëviz. Të njëjtat gjëra ka parë, gjatë të gjitha ditëve, si kjo.
…Është shumë i lodhur, por ja tek po çlodhet. Kushedi sa minuta duhet të kenë kaluar… Dhe në dymbëdhjetë pa një çerek, që andej lart, që nga shtëpia me çati të kuqe, do të turren drejt bananishtes gruaja dhe dy fëmijët e tij dhe do ta kërkojnë për të drekuar. Gjithmonë i dëgjon, para çdo zëri tjetër është ai i djalit të vogël, i cili përpiqet të shkëputet nga dora e së ëmës: Papi! Papi!
Mos është ai…?! Sigurisht, ja tek e dëgjon! Është tamam ora. Dëgjon vërtet zërin e të birit…
Uh, ç’makth…! Ama është një prej tërë ditëve, e zakonshme si të gjitha, kjo është e qartë! Dritë e tepruar, hije të verdheme, nxehtësi e shurdhët furre mbi mish, që e bën të djersijë edhe Kuqoin, i cili rri palëvizur, përpara bananishtes së ndaluar.
…Tejet i lodhur, shumë, por asgjë më. Sa herë në mesditë, si tani, është kthyer në shtëpi, duke kaluar nëpër këtë arë me jonxhë, që ishte lëndinë kur erdhi ai këtu, dhe më përpara kishte qenë pyll i virgjër! Edhe atëherë kthehej shumë i lodhur, me jataganin në dorën e majtë, me hapa të ngadaltë. Me mendje, mund të shkojë përsëri, në qoftë se do; në qoftë se do që ta braktisë një çast trupin, që nga penda, të cilën e ndërtoi vetë, mund të shohë peizazhin e mërzitshëm, të përhershëm: gurishtën vullkanike me barëra të ashpër, bananishten dhe dheun e saj të kuqërremtë, gardhin me tela që ulet në pjerrtësi dhe kthehet drejt rrugës. Dhe më larg akoma do të shohë arën me jonxhë, vepër e duarve të tij. Dhe pranë një huri të zhvoshkur do të shohë veten e tij, të shtrirë mbi krahun e djathtë dhe me këmbët të mbledhura, ashtu si çdo ditë, si një pako në pikën e diellit mbi jonxhë – duke u çlodhur, sepse është shumë i lodhur.
Ja kali, gjithë njolla djerse, i palëvizshëm prej kujdesit nga teli me gjemba, që nga qoshja e gardhit në tokë, shikon të zotin dhe nuk guxon t’i afrohet bananishtes, që aq shumë e dëshiron. Burri, për një çast të gjatë, të gjatë, i mban veshët pipëz andej nga vijnë zërat, që tani janë afër: Papi! Më në fund i qetësuar, vendos të kalojë midis hurit të gardhit dhe burrit të shtrirë që tashmë është çlodhur.
Përktheu nga origjinali Bajram Karabolli
HORACIO QUIROGA (1878 – 1937) – tregimtar, dramaturg dhe poet uruguaian. Ka qenë mjeshtër i tregimit latinoamerikan, i prozës së gjallë, natyraliste dhe moderniste. Tregimet e tij të shkurtra, që shpesh portretizojnë natyrën me tipare të frikshme e të tmerrshme dhe si armik të qenies njerëzore, e bëjnë të krahasohet me amerikano-veriorin Edgar Allan Poe.
Jetoi në vendlindje deri në 23 vjeç, moment kur, pasi vrau aksidentalisht mikun e tij më të mirë, vendosi të emigrojë në Argjentinë, vend ku jetoi 35 vjet – deri në vdekjen e tij -, ku u martua dy herë e pati tre fëmijë dhe ku krijoi pjesën më të madhe të veprës së tij. Tregoi një pasion të përjetshëm për krahinën e Misiones (vise fushore plot pyje dhe lumenj në kufijtë Argjentinë, Uruguai, Paraguai e Brazil, sot Provincë e Argjentinës) dhe xhunglën e saj, duke e përdorur këtë dhe banorët e saj në intrigat e shumë prej tregimeve të veta. Jeta e Kirogës, e spikatur nga tragjedi, aksidente dhe vetëvrasje, arriti kulmin kur vetë ai mori vendimin për të pirë një gotë me cianur në Spitalin e Klinikave të Buenos Airesit, në moshën 58 vjeçare, pasi merr vesh se vuante nga kanceri në prostata.
Horasio Kiroga, sa qe gjallë, botoi trembëdhjetë vëllime të ndryshme me tregime dhe tre romane.
Jam duke përkthyer një vëllim me tregime të zgjedhura të këtij shkrimtari të madh
KOMENT I SHKURTËR PËR TREGIMIN “VDEKJA E NJË BURRI”
Ngjarja e këtij tregimi është vendosur në Misiones, pranë lumit Paraná. Si shumica e tregimeve të tjerë të tij, edhe ky tregim, për pasojë të vetë jetës tragjike të autorit, karakterizohet prej një obsesioni nga vdekja. Personazhi i tregimit “Vdekja e një burri”, pronar i vogël i tokës së vet, pasi ka luftuar dhe triumfuar kundra forcave të natyrës për dhjetë vjet me radhë, vdes rastësisht dhe aksidentalisht. Autori, duke na krijuar një atmosferë magjiko-realiste, duket sikur u shmanget emocioneve dhe dhimbjes që të përcjell aksidenti.
I gjithë tregimi përqendrohet në dhjetë minutat e fundit të jetës së protagonistit. Koha ecën me një ngadalësi të pabesueshme dhe shquhet nga saktësimi i orës: “sapo…”, “s’kanë kaluar as dy sekonda”, “hijet nuk kanë lëvizur asnjë milimetër”, “njëmbëdhjetë e gjysmë”, “ka dy minuta”, “dymbëdhjetë pa një çerek”, “mesditë”, etj. Gjatë atyre minutave burri nuk pushon së habituri para indiferencës së natyrës, ndërkohë që kujtimet e tij për disa hollësi të së kaluarës e bëjnë më njeri dhe më të brishtë. Për atë, situata bëhet më tronditëse, kur dëgjon vërshëllimën e djaloshit që kalon aty pranë, kur shikon kalin balash që mërzen dhe nuk guxon të kapërcejë gardhin, por, sidomos, kur ndien se po vjen e shoqja me dy fëmijët, në çastin e vdekjes së tij.
Personifikimi i jataganit, i pandashëm nga njeriu, dhe anonimati i personazhit, “burri”, reflekton aspekte tipike të realizmit magjik.
Si në shumicën e tregimeve të tij më të mira, edhe këtu, Kiroga përpiqet të na prezantojë universalen përmes rajonales; në tregim, si kudo te krijimet e tij, dominon plotësisht teknika e të rrëfyerit me një gjuhë të thjeshtë, e cila, në njëfarë mënyre, mohon karakterin modernist të tij.
Përktheu nga origjinali Bajram Karabolli
NO COMMENT