0,2 të qindat e Llambi Blidos

Besim Tula

0,2 TË QINDAT E LLAMBI BLIDOS

Mbi veprën “Vajza në pultin e komandimit”

(Ajo ishte në grupin e veprave që u përzgjodhën për t’u ekspozuar në “Dokumenta 14”, në Athinë dhe në Kassel, prill-shtator 2017)

 

Në sallën e Galerisë Kombëtare të Arteve, ku është ekspozuar vepra e piktorit Llambi Blido ”Vajza në pultin e komandimit” (1971), sytë drejtohen tek ajo në mënyrë të menjëhershme. Kjo ndodh instinktivisht. Ndjesia nuk të lë kohë të arsyetosh psenë. Është e tëra e ndritshme. Veprat rreth e rrotull të duken pak më të shuara dhe të koloruara zona-zona. Kur krijoi këtë tablo, autori ka qenë vetëm 32 vjeç, moshë ku dëshira për aventurën e madhe të artit është e fortë. Ajo është një vepër me intensitet kompozicional, dekorativitet koloristik dhe mbi të gjitha me një pamje ndryshe nga veprat e dala nga shkolla jonë e pikturës. “Vajza në pultin e komandimit” e Llambi Blidos sillte për herë të parë në artin tonë tendenca të popartit – si shkronjat, numrat, vijat që konstruktojnë makinerinë apo levat e komandës. Këto pjesë grafike janë të realizuara me ngjyrë dhe krijojnë një ritmikë.

Dimë se një krijim, veçanërisht në pikturën e shkallës së lartë, është si një organizëm i gjallë, unik, ku çdo pjesë i përgjigjet së tërës. Çdo qenie në formimin vizual është e përbërë nga një pafundësi harqesh – vija e drejtë është krijuar nga njeriu. Me këto harqe formohen syri, hunda, vetulla, trupi, gjymtyrët… si dhe çdo gjallesë. Me këtë arsyetim en bloc njerëzit duhet të ishin njëlloj, mirëpo nga një lëvizje e vogël në këndin apo dimensionin e formës harkore lind ndryshimi apo karakteri. Ky motiv plastik zbatohet në mënyrë harmonike në të gjitha pjesët e qenies. Po kështu dhe një pikturë duhet të ketë në thelb esencën e së veçantës. Në qoftë se themi “jeshile” e kësaj vepre, ajo nuk duhet t’i ngjajë në asnjë mënyrë një “jeshileje” të një vepre tjetër. Ky qëndrim lejon që pikturat mund të ekspozohen afër, pa u sikletosur se mos i prishin punë njëra-tjetrës, ashtu si një grup njerëzish që janë të ndryshëm. Ku është sekreti i kësaj vepre që të sugjestionon me pamjen e saj ndryshe?

“…Në krijimin e veprës së artit janë dy procese: fillimisht zotërimi i ideve, të cilat dalin nga imagjinata, pastaj transportimi i tyre në krijimin artistik. Këto dy etapa janë të rëndësishme për njëra-tjetrën, por pushteti i ideve mbetet kushtëzimi për realizimin e tyre. Këtu lind origjina. Fuqia e ideve është një veprimtari e pastër e shpirtit, që mund ta përshkruajmë si një ”jetë të mendjes”. Ky produkt i krijimeve artistike mund të na njohë me psikikën tonë. Ajo mund ta na mësojë gjëra të vërteta, por nuk mund të na ndriçojë aspak mbi origjinën e veprës së artit. Atëherë çfarë është ajo? Origjina, e cila është dhe problemi kryesor, përmbledh shkakun e prezencës së veprës së artit. Në qoftë se pyetësori ndjek rrugën e shkakut, siç duhet ndjekur në të vërtetë, nuk duhet asnjëherë të nisemi nga vepra e artit, por nga  mënyra se si del në dritë ky produkt artistik. Objekt i artit rezulton gjithmonë “një punë e lidhur me shpirtin” nga ana e artistit…” (Heidegger “De l’origine de l’oeuvre d’art.”Version de 1931-32, edition bilingue numerique, pg. 2-3.)

Veçantia e veprës në fjalë ka të bëjë me të vërtetën, e cila ka dy pamje: ajo e jashtme, domethënë sugjestionimi i artistit ndaj realitetit dhe, e dyta, themelorja, të cilën dhe vetë autori nuk mund të shpjegojë qartë, të dhënat e natyrës (talenti), që të jep karakter dhe të bën të veçantë. E dyta zotëron mbi të parën, prandaj dhe vepra e tij është dukshëm vetjake. Llambi bën pjesë në të paktët artistë që ditën ta ruajnë me kujdes talentin, pa bërë kompromise.

Tabloja perceptohet menjëherë. Nuk ka zona shumë të rëndësishme dhe të tjera të dorës së dytë e tretë. Ajo tingëllon si një e tërë. Secila pjesë ka një zë të vetin. Në rregullin e përvetësimit nga syri është ruajtur shkallëzimi, ku kryesorja është në vendin e saj, të tjerat janë shumë afër. Loja zhvillohet në hapësira të afërta. Pani i parë dhe thellësia shpalosen njëherësh me ndryshime të vogla. Secila ngjyrë ka maksimumin e zërit pa dëmtuar ngjyrat pranë. Liria për të arritur atje ku synonte autori u realizua nga dematerializimi i objekteve. Çdo problem koloristik është i pavarur nga materiali. Autori arrin ta realizojë këtë kusht tërësisht dhe njëkohësisht të ketë shfrytëzimin e ngjyrave të kundërta. Tingujve të tyre artisti nuk dëshiron t’u humbin as 0,2 të qindat e forcës si në çdo në veprimtari  tjetër,  ku duhet të arrish maksimumin: në vrapim, not, gjuajtje, në ndërhyrjet kirurgjikalë në tru, në rritjen e shpejtësisë etj., ku kufiri i mundësive matet me  të qindtat. Ngjyrat e tij janë të ndjeshme. Mund të dëmtohen dhe nga ndërhyrje të vogla.

Një fakt profesional. Përdorimi i penelit nga artistët është vetjak. Disa i pastrojnë në fund të seancës, disa të tjerë i vendosin në ujë që të mos thahen dhe të ruajnë elasticitetin deri në seancën e ardhshme. Ndryshe nga të gjithë, Llambi i pastron me shumë kujdes me diluent gjatë procesit, që as thërrmijat e ngjyrës së mëparshme të mos ndikojnë në tingullin e zërit të ngjyrës pasardhëse, duke rrezikuar kështu ekuilibrat.

“Vajza në pultin e komandimit”, pa asnjë dyshim, është vepra e parë me elemente të popartit në pikturën tonë. Ajo sjell disa risi. E para, ideja. Një grua e re që të duket sikur e ke parë diku, qëndron drejt me një shikim të vëmendshëm përpara. Është mjaft serioze. Nuk të kujton mjedisin tonë të fabrikave, por ngjan si një laborator i huaj. Ishin vitet kur diçka lëvizi në modernitetin e prodhimit dhe ëndrrën e çdo të riu për përparimin autori e përkthente vizualisht me këto imazhe. Vijat grafike, numrat dhe teksti, krijojnë një marrëdhënie të re me plastikat përreth. Mbas Abdurrahim Buzës, Llambi solli një ndjesi koloristike krejt vetjake.

Kazimir Malevich, E bardha mbi të bardhë

Tabloja ka edhe një zgjidhje të urtë kompozicionale. Figura është zënë pak nga teksti dhe që të dy këto imazhe formojnë një dhe perceptohen të parët. Gjurma e penelit është e qetë dhe e sigurt. Kazimir Malevich, me veprën e tij “E bardhë mbi të bardhë”, solli një erë të re në koloristikë, duke arritur në tingujt me të lartë të ngjyrave të qarta; tek Llambi ngjyrat e qarta janë ndjesi të brendshme vetjake. Ai u jep lirinë e dëshiruar, duke mos i mbyllur me materien. Në tablo të mëvonshme ai përdor dhe kontrastin tonal me ndërhyrje të fuqishme.

Krijimet e tij shiheshin me sy të dyshimtë nga pushteti, i cili e kuptonte që me këto vepra nuk ishte i tij, prandaj nuk e lanë të hapte ekspozita deri mbas viteve ‘90.

Llambi Blido, Portret i një vajze, 1971


RELATED POST

Your email address will not be published. Required fields are marked *


The reCAPTCHA verification period has expired. Please reload the page.